Detaje të tjera nga dosja hetimore “Black Eagle”, në të cilën figurë qendrore konsiderohet Alfredo Hamzai, hedhin dritë mbi komunikimet e zhvilluara me Orest Sotën, lëvizjen e shumave të mëdha të parave dhe interesimin për investime në pasuri të paluajtshme.
Sipas materialeve të administruara në dosje, në qershor të vitit 2020 Orest Sota komunikon me Alfredo Hamzain për një person në Itali që kërkonte 300 mijë euro. Në bisedë përmendet mundësia e sigurimit dhe kthimit të kësaj shume në Shqipëri. Pak muaj më vonë, në shtator 2020, komunikimet vijojnë me referenca për 141 mijë euro që do të silleshin nga Londra me një komision prej 3 për qind.
Në një tjetër episod të dokumentuar nga hetuesit, Orest Sota i shkruan Hamzait se duhej të dërgoheshin 133 mijë paund në një pikë këmbimi valutor në Londër për t’u konvertuar në 141 mijë euro. Në komunikime përmendet edhe adresa e një exchange-i në qendër të Londrës, ndërsa një nga bashkëbiseduesit shprehet se aty “i kanë kapur të gjithë çunat shqiptarë” dhe se kamerat ndalonin këdo që shfaqej me çanta me para.
Dosja përmban gjithashtu komunikime mes Orest Sotës, Alfredo Hamzait dhe Ardian Zykës, ku diskutohet për takime në Vlorë që sipas hetuesve lidhen me marrjen e shumave të parave të përmendura në biseda.
Por dosja nuk ndalet vetëm te lëvizja e parave. Në një komunikim të datës 17 prill 2020, Alfredo Hamzai i shkruan Orest Sotës për blerjen e një vile dhe një automjeti tip Mercedes G-Class. Në bisedë Hamzai i thotë se “vihet puna para villa aty jan makinat” dhe i kërkon të gjejë një vilë me çmim të mirë, duke shtuar se edhe nëse pas një viti do të donte ta shiste, mund t’i merrte sërish paratë e investuara.
Në vijim të komunikimit, Hamzai shkruan se një ndërtim që po realizonte kushtonte 190 euro, ndërsa “dyqan kushton 225 euro”, elemente që sipas hetuesve lidhen me interesimin për prona dhe investime të ndryshme.
Një tjetër pjesë që bie në sy në dosje është komunikimi i 12 dhjetorit 2020. Në atë bisedë, Orest Sota i shkruan Alfredo Hamzait:
“dhe bej 1 mil e 500 ti mbaj vet dhe 500 tja jap qorrit, tja japim qorrit dhe te paguaj nga dy gjera te tj tek kafet”.
Ndërsa në një komunikim tjetër të datës 20 dhjetor 2020, Orest Sota shkruan:
“kam vetem hall punen e qorrit dhe te tender; dhe te pallatit qe kam marr lek ketyre te shpis qe te kam then kam 3 muaj”.
Referencat për “qorrin”, “tenderin”, “pallatin”, vilat, G-Class-in dhe qarkullimin e qindra mijëra eurove cash shfaqen në të njëjtën periudhë me komunikimet për shkëmbime valutore dhe transferime parash, të cilat janë dokumentuar nga SPAK në kuadër të hetimit.
Komunikimet janë pjesë e dosjes voluminoze që dokumenton aktivitetin e personave të dyshuar për trafik ndërkombëtar kokaine dhe pastrim parash. Në të njëjtën dosje përmenden gjithashtu udhëtime, takime dhe operacione financiare në Shqipëri, Itali, Spanjë, Belgjikë, Holandë dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa hetuesit i konsiderojnë këto biseda si pjesë të mekanizmave të lëvizjes dhe administrimit të shumave të mëdha të parave.






















