Detaje të tjera nga dosja hetimore “Black Eagle”, ku figurë qendrore konsiderohet Alfredo Hamzai, tregojnë se hetimet nuk janë fokusuar vetëm te trafiku i kokainës dhe lëvizja e parave, por edhe te investime të mundshme në pasuri të paluajtshme në jug të Shqipërisë.
Sipas dokumenteve të administruara nga autoritetet belge dhe të përfshira në dosjen e SPAK, në pajisjet telefonike të përdorura nga Alfredo Hamzai janë gjetur fotografi, plane dhe materiale që lidhen me një projekt rezidencial të identifikuar si “Green Coast II”.
Dosja referon se gjatë analizës së komunikimeve në platformën e koduar SkyECC janë zbuluar biseda dhe materiale të shkëmbyera gjatë periudhës 2019-2021, të cilat sipas hetuesve lidhen me investime në ndërtim në jug të vendit.
Sipas dokumenteve, në komunikime shfaqet edhe Artur Koceku, i identifikuar nga hetuesit me pseudonimin “Loku”, i cili ka dërguar fotografi dhe materiale që paraqesin kompleksin “Green Coast”. Në një prej episodeve të dokumentuara, “Loku” i dërgon Hamzait foto të zonës ku parashikohej të zhvillohej projekti “Green Coast II”.
Në të njëjtën kohë, dosja evidenton se Artur Shehu i ka dërguar Arben Ismailajt fotografi dhe pamje që sipas hetuesve paraqesin projektin e ndërtimit paralel me kompleksin “Green Coast II”. Materialet përfshijnë plane urbanistike, pamje ajrore dhe fotografi të zonës ku parashikohej zhvillimi i projektit.
Një element tjetër i përmendur në dosje është një numër telefoni, të cilin hetuesit e identifikojnë si të lidhur me Adrian Ramën. Sipas dokumenteve, ky numër figuron në kontaktet e pajisjeve të përdorura nga Arben Ismailaj.
Dosja përmban gjithashtu biseda ku diskutohet për parcela toke dhe mundësinë e zhvillimit të projekteve ndërtimore. Në një prej komunikimeve të cituara nga hetuesit, Hamzai pyet nëse është siguruar leja e ndërtimit për një parcelë të caktuar, ndërsa në vijim diskutohet mundësia e ndryshimit të statusit të tokës.
Sipas dosjes, në një nga komunikimet e përgjuara diskutohet hapur mundësia e zhvillimit të një projekti ndërtimi në zonën e referuar në fotografi. Në bisedë thuhet se “duhet ta paguaj ca lekë për ta hequr nga zona e gjelbër dhe e vendos për ndërtuar”, një frazë që sipas hetuesve lidhet me përpjekjet për ta bërë parcelën të përshtatshme për zhvillim ndërtimor.
Më tej, në një tjetër komunikim të përfshirë në dosje, shfaqet edhe fraza:
“larg tokës jemi të qetë, mund të ndërtojmë vila të mëdha”.
Fotografitë dhe materialet e sekuestruara nga autoritetet belge janë përfshirë në dosjen “Black Eagle” si pjesë e provave që dokumentojnë interesimin e personave nën hetim për investime në pasuri të paluajtshme, krahas komunikimeve që lidhen me lëvizjen e shumave të mëdha të parave dhe aktivitetet e tjera të dyshuara kriminale që po hetohen nga SPAK.






















