K-pop dhe anime po bëhen zëri dhe simbolika e rezistencës
Monkey D. Luffy, protagonisti i “One Piece”, një seri e famshme japoneze manga dhe anime, e përshtatur së fundmi nga Netflix, është një pirat adoleshent plot shpirt e i buzëqeshur nën kapelën e tij prej kashte.
Luffy dhe ekuipazhi i tij lundrojnë nëpër dete në kërkim të thesareve, duke sfiduar Qeverinë Botërore të korruptuar që i sundon. Flamuri i tyre, një kafkë me kapelën e Luffy-t, valëvitet bashkë me ta.
Në muajt e fundit, ky flamur ka marrë një rëndësi të re jashtë ekranit. Gjatë verës, të rinjtë indonezianë që protestonin kundër vështirësive ekonomike dhe autoritarizmit në rritje nisën të valëvitnin flamurin me simbolin e “One Piece”.
Qeveria kërcënoi me akuza për tradhti, por kjo vetëm sa ia shtoi popullaritetin në demonstratat masive. Në shtator, flamuri u pa në Nepal, ku të rinjtë e ngritën gjatë protestave kundër nepotizmit dhe korrupsionit që rrëzuan kryeministrin.
Po atë muaj, ai u shfaq edhe në Madagaskar, ku protesta të ngjashme kulmuan me një grusht shteti ushtarak që larguan presidentin në tetor. Flamuri është parë gjithashtu në Filipine, Peru dhe Marok.
Flamuri i Luffy-t është bërë shembull i një fenomeni më të gjerë. Për breza me radhë, kultura pop perëndimore, nga panku te hip-hopi, ka përcaktuar frymën e rebelimit rinor.
Por protestat e brezit të sotëm po frymëzohen nga personazhet e filmave anime dhe himnet e muzikës K-pop.
Në Korenë e Jugut, kënga “Into The New World” e grupit Girls’ Generation shoqëroi si protestat kundër korrupsionit në vitet 2016–2017, ashtu edhe demonstratat kundër vendosjes së ligjit ushtarak në vitin 2024, që përfunduan me rrëzimin e dy presidentëve.
E njëjta këngë kumbonte edhe në tubimet pro-demokracisë në Hong Kong gjatë viteve 2019 dhe 2020, si edhe në Tajlandë në vitin 2020.
Protestuesit tajlandezë veshën veshë hamster-i dhe vraponin rreth Monumentit të Demokracisë në Bangkok, duke brohoritur “Ushqimi më i shijshëm është paraja e taksapaguesve”, në ritmin e melodisë së “Hamtaro”, një anime japoneze e njohur për një hamster të vogël.
Siç vëren Roland Kelts, studiues i kulturës pop në Tokio, Azia Lindore, dikur e lidhur me përputhshmërinë dhe konservatorizmin, sot po ofron “imazhin dhe kolonën zanore” të lëvizjeve globale të rezistencës.
Pjesërisht, kjo ndodh sepse K-pop dhe anime janë bërë pika reference të përbashkëta kulturore për të rinjtë e sotëm, në të njëjtën mënyrë që muzika, filmat dhe librat perëndimorë ishin për brezat e mëparshëm.
Për më tepër, qasja pothuaj universale në rrjetet sociale bën që një simbol i caktuar të përhapet me shpejtësi nga një vend në tjetrin.
Duke parë online protestat në Nepal dhe Indonezi, Shely Andriamihaja, një aktiviste 26-vjeçare nga Madagaskari, kuptoi se të rinjtë nëpër botë po luftonin “të njëjtën betejë kundër korrupsionit, qeverisjes së keqe dhe shpërfilljes”.
Ajo dhe bashkëmoshatarët e saj vendosën të përdorin flamurin e “One Piece” për të shprehur solidaritetin e tyre. Flamuri i bëri protestat e tyre edhe më të dukshme në internet.
Megjithatë, mund të ketë diçka më të thellë pas kësaj. K-pop, që u bë popullor në fillim të viteve 1990, menjëherë pasi Koreja e Jugut kaloi nga diktatura ushtarake në demokraci, lidhet me një frymë të qëndresës civile, pavarësisht teksteve të tij zakonisht apolitike, argumenton Lee Gyu-tag nga Universiteti George Mason Korea në Incheon.
Shumë nga fansat e tij u përkasin komuniteteve jashtëzakonisht të organizuara, që shquhen për fushata të fuqishme në rrjetet sociale dhe shpesh mbështesin kauza të majta.
Ndërsa anime, me personazhet etnikisht të paidentifikueshëm dhe botët e saj fantastike, ofron një pasqyrë më të lehtë për t’u identifikuar sesa heronjtë amerikanë të dikurshëm, thotë Kelts.
Fakti që Luffy dhe miqtë e tij mund të përfaqësojnë gjithçka për të gjithë ndihmon të shpjegohet pse protestuesit në vende kaq të ndryshme si Nepali, Indonezia dhe Madagaskari i përvetësojnë si simbole të tyre.
Në shoqëri ku liria e fjalës është e kufizuar, personazhet lozonjarë të animeve mund të shërbejnë edhe si maskë për kritika më serioze, të paktën për pak kohë (deputetët indonezianë së shpejti vendosën se flamuri i Luffy-t përbënte kërcënim për unitetin kombëtar).
Në fund të fundit, tërheqja që ndieni ndaj Luffy-t dhe shokëve të tij ndoshta qëndron tek optimizmi i tyre, entuziazmi rinor dhe besimi i sinqertë në miqësi dhe solidaritet. Luffy aksidentalisht ha një “frutë djalli” që i jep fuqinë të bëhet elastik si gomë dhe të përballet me armiq të frikshëm.
Por fruta e privon nga aftësia për të notuar, një dobësi fatale për një pirat. Megjithatë, sa herë që ai bie në det, miqtë e tij janë gjithmonë aty për ta shpëtuar.
Për të rinjtë që përballen me shkopinj gome dhe gaz lotsjellës për t’i bërë qeveritë të dëgjojnë, vetëbesimi i pathyeshëm i Luffy-t është i parezistueshëm.
“Mund të më godisni gjithë ditën” – thotë ai, teksa bie përballë një kundërshtari të fuqishëm. “Por unë nuk do të heq dorë kurrë nga ëndrrat e mia”./Monitor






















