Sociale 7 Dhjetor 2025, 12:58 Nga VNA

Një “Zecchino d’oro” për vajzën shqiptare

Ndaje në Whatsapp
Një “Zecchino d’oro” për vajzën shqiptare

Emma Dakoli, 9 vjeç, u shpall mbrëmjen e së dielës fituese e edicionit të 68-të të “Zecchino d’oro”, një festival historik i këngës për fëmijë që zhvillohet në Bolonja.

Mediat italiane theksuan se vogëlushja vjen nga Monza dhe se, sipas rregullores së konkursit, vlerësimi i shkon autorëve të këngës, Francesco Marruncheddu dhe Lodovico Saccol.

Florian Dakoli, i ati i Emës, i tha BIRN se familja e tij nga Durrësi banon prej vitesh në Monza, aty ku ka lindur edhe Emma.

“Unë punoj në një firmë logjistike transporti, ndërsa ime shoqe, Mimoza, në administratën e universitetit”, tha ai.

“Zecchino d’Oro” është një festival historik italian i këngës për fëmijë, i themeluar në vitin 1959 dhe i zhvilluar çdo vit në Bolonja nga instituti Antoniano.

Ai konsiderohet një nga evenimentet më prestigjioze për muzikën e fëmijëve në Europë, ku këngë të reja të kompozuara posaçërisht për fëmijët interpretohen nga vogëlush të përzgjedhur nga e gjithë Italia.

Festivali njihet për vlerat edukative, traditën shumëvjeçare dhe ndikimin e tij të gjerë kulturor.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Statistikave të Italisë, më 1 janar 2014 në Itali banonin 502,546 banorë me origjinë nga Shqipëria.

Tani, me siguri janë më shumë.

Pjesa dërrmuese janë integruar dhe tashmë përbëjnë një faktor mjaft pozitiv në jetën e Italisë.

Por përse Ema e vogël është paraqitur nga mediat si italiane? Pse nuk flitet për prindërit e saj shqiptarë?

“Nuk na pyeti njeri se nga jemi ne, familjarët,” shfajësohet Floriani gjatë bisedës telefonike me BIRN.

Pastaj flet me dashuri prindërore për të bijat: “Mia, më e vogla, është 4 vjeç, ndërsa Emës do t’i festojmë ditëlindjen, 10 vjeç, më 1 janar, pas një muaji”.

“Emës i pëlqen shumë të këndojë e të pikturojë, e çojmë edhe në pishinë,” vazhdoi Floriani.

“Ne përpiqemi që ajo të mësojë, e pastaj të tjerat,” shtoi ai me humor, ndërsa theksoi se “kjo është marrëveshja që kemi së bashku.”

Floriani, 44-vjeçar, bashkë me të shoqen, Mirandën, bëjnë gjithçka për vajzat, por nuk i ndjekin dot kudo.

“Na pëlqen edhe ne muzika, por nuk shkojmë dot në koncerte,” tha ai, ndwrsa shtoi: “Jemi në punë. Nuk kemi kohë dhe mundësi.”

Prindërit, gjyshërit dhe të afërmit që jetojnë në Lodi janë gëzuar, kur Ema – e cila prej kohësh shkonte në kursin e pianos dhe përgatitej në korin “MiMiSol” të qytetit, u thirr për të kënduar në “Zecchino d’oro”.

“Mendo gëzimin e gjyshit Besnik, 90-vjeçar,” shtoi Floriani.

Bashkëatdhetarët e Florianit në Monza e kanë pritur me entuziazëm suksesin e Emës së vogël.

“Familjen Dakoli e njoh prej vitesh,” tha për BIRN Ken Mehmeti, duke shtuar se ata janë të njohur edhe në Durrës.

Ai shprehu habinë për mënyrën si disa media dhe madje edhe drejtues të festivalit në Itali nuk kanë përmendur prejardhjen e Emës në raportimet e tyre.

Sipas Mehmetit, Emma Dakoli ka lindur në Itali nga prindër shqiptarë, të cilët ruajnë lidhje të forta me atdheun dhe me qytetin e origjinës, Durrësin.

Keni, i cili ka punuar në strukturat e kompanisë mediatike Mediaset në Itali, është kritik për mbulimin që mediat italiane i japin emigrantëve.

“Ende disa media këtu kujdesen për të saktësuar përkatësinë etnike të grabitësve apo shkaktarëve të aksidenteve. Nuk besoj të jetë thjesht mungesë vëmendjeje apo profesionalizmi,” tha ai.

Disa të intervistuar theksuan se jo vetëm mediat italiane, por edhe vetë shqiptarët vijojnë të mbartin komplekse, veçanërisht kur bëhet fjalë për ata që janë integruar mirë dhe nuk dallohen nga vendasit në jetën e përditshme.

“Aty ku jetoj unë, në një komunë periferike, ende ndjehet dallimi për shkak të kombësisë,” tha Mikel Deçolli për BIRN.

Ai tregoi se, edhe pse familja e tij ka prej vitesh shtetësinë italiane, vajza e tij u la në pritje për një vend pune praktik, ligjërisht të garantuar dhe të papaguar për gjashtë muaj, derisa komuna punësoi fillimisht kandidatët vendas.

“Priti gjatë, derisa u sistemuan të gjithë vendasit,” shtoi Deçolli, duke nënvizuar se trajtime të tilla vazhdojnë të krijojnë ndjesinë e një hendeku të pashlyer mes komuniteteve.

Por 24 orë pas suksesit të merituar të Emës, edhe në vendin tonë ishin ende të pakët ata që e mësuan se Ema është vogëlushe italo-shqiptare.

Dy-tre media të vëmendshme në Tiranë e Durrës e “vizatuan” me fjalët “shqiptarja” apo “durrsakja” fituesen e “Zecchino-s”, që është ndjekur në Shqipëri prej gati katër dekadash.

Në vitin 1992, këngën “Gjinkalla” të autorëve durrsakë Hasan Ulqini dhe Agron Xhunga e paraqiti me shumë sukses vogëlushi Alfons Baba në festivalin italian.

Më pas nuk munguan edhe prezantimet e fëmijëve të tjerë nga Shqipëria.

Fatime Hoxha, një mësuese letërsie në pension, njoftoi disa nga gazetarët që njeh se ajo i ka dhënë mësim Florit, babait të Emës, duke i shtyrë ta kontaktin duke mësuar diçka më shumë prej tij.

“Nuk e kuptoj përse hezituan,” tha znj. Fatime për BIRN. “Ndoshta edhe ne vazhdojmë të vuajmë komplekset tona të inferioritetit,” përfundoi mësuesja në pension./Reporter.al

Video

Bethlehem ndezi pemën e Krishtlindjeve për herë të parë pas dy vitesh — një sinjal i rikthimit të shpresës në qytetin e shenjtë në Bregun Perëndimor.

New South Wales në bregun jug-lindor të Australisë, po përballet me një krizë serioze zjarresh. Sipas autoriteteve: • Janë regjistruar më shumë se 50 zjarre aktive në të gjithë shtetin.  • Një valë të nxehtësie ekstreme — me temperatura deri në 42 °C — ka përshpejtuar përhapjen e flakëve.  • Situata emergjente detyroi autoritetet të nxisin evakuime në masë për mijëra banorë në zonat më të rrezikuara, përfshirë zonën e Central Coast dhe bregdetin afër.  • Deri tani, disa shtëpi janë shkatërruar — ndër to në zonën e Koolewong, ku flakët përfshinë lagje banimi.  • Një numër i madh ekuipazhesh –, me qindra zjarrfikës dhe mjete zjarrfikëse – janë angazhuar për të frenuar shpërthimet. 

Tifozët e Tiranës "ndezin" kryeqytetin në prag të derbit me Partizanin, që starton në 18:00

Aeroporti i Heathrow u përfshi në kaos këtë mëngjes (7 dhjetor) ndërsa policë të armatosur hynë në një nga parkingjet e tij. Policia Metropolitane tha se u thirr në aeroport në orën 8:11 të mëngjesit pas raportimeve për “sulm ndaj disa personave” në parkingun shumëkatësh në Terminalin 3, raporton Express. Policia e armatosur mbërriti në vendngjarje dhe gjeti një numër njerëzish të cilët ishin spërkatur me atë që policia beson të jetë një formë ‘spreji me piper’, nga një grup burrash të cilët më pas ikën nga vendi i ngjarjes.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme