Sociale 6 December 2025, 10:17 Nga VNA

Transparencë me tollon!

Ndaje në Whatsapp

Transparencë me tollon!

Jo më kot në SHBA ligjin e informimit, që përcakton detyrimet e institucioneve për dhënie informacioni dhe të drejtat e publikut për marrje informacioni, e quajnë “ligji i dritës së diellit”. Ideja është e thjeshtë: aty ku hyn drita e diellit, nuk ka vend për terr. Dhe aty ku informacioni qarkullon lirshëm, vendimmarrja bëhet më e përgjegjshme, më e drejtë dhe më e vështirë për t’u kapur peng nga interesa të ngushta.

Në Shqipëri, fatkeqësisht, drita informative shpesh ndizet me porosi dhe shumë herë fiket qëllimisht.

Rasti i fundit është kërkesa për informacion mbi efektet reale të “paqes fiskale”, një nismë që ka ngjallur debat të fortë publik dhe për të cilën pritet transparencë e plotë. Deri më sot, institucionet nuk japin të dhëna. Nuk zbulohet kostoja, ndikimi, përfituesit potencialë apo analiza që e justifikon politikën e shndërruar në ligj. Pa këto të dhëna, publiku nuk ka si të kuptojë nëse “paqja” është instrument drejtësie dhe paqtimi fiskal, apo një amnisti e fshehur, siç paralajmërojnë prej kohësh organizatat ndërkombëtare.

E njëjta kulturë e mungesës së transparencës shfaqet edhe në fusha të tjera, sidomos në publikimin e statistikave. Shembulli më i qartë është treguesi i lejeve të ndërtimit. Shifrat e plota nuk publikohen në kohë, ndërsa disa të dhëna mungojnë ose shfaqen të cunguara. Madje edhe statistikat kombëtare nuk i shpëtojnë këtij fenomeni. INSTAT, institucioni i vetëm zyrtar i prodhimit të të dhënave, shpesh jep statistika të pjesshme, me vonesa ose pa detajimet e nevojshme. Kjo e ka bërë debatin për ekonominë, migracionin, zhvillimin urban apo tregun e punës të mbështetet gjithnjë e më shumë në hamendje dhe jo në prova, duke ndikuar edhe në cilësinë e vendimmarrjes.

Por transparenca nuk ka të bëjë vetëm me publikimin e tabelave e grafikëve.

Ka të bëjë me besim publik, me cilësinë e politikëbërjes dhe me integritetin institucional.

Kur nuk dihen efektet e një ligji apo kostoja e një vendimi, publiku nuk mund të gjykojë nëse ligjet po miratohen për të mirën e shoqërisë apo për të krijuar favorizime të fshehta, që deformojnë konkurrencën dhe përkeqësojnë kulturën institucionale. Pa transparencë, vendimet rrezikojnë të ndërtohen mbi interesa të ngushta dhe të godasin shumicën në favor të pakicës, duke dëmtuar ekuilibrin shoqëror dhe sidomos duke krijuar një kulturë mosbesimi dhe armiqësimi ndaj shtetit.

Raporti i fundit i Komisionit Europian për progresin e Shqipërisë e thotë hapur: mungesa e transparencës dhe dobësia në zbatimin e ligjit për informimin mbeten probleme serioze, të cilat ndikojnë në besimin e publikut dhe në vetë procesin e integrimit. Raporti thekson se institucionet shpesh vonojnë, kufizojnë ose nuk e ofrojnë informacionin, duke treguar se struktura përgjegjëse është ende anemike, pavarësisht gjobave të mëdha të parashikuara nga ligji i ri për të drejtën e informimit. Gjobat, duket, shërbejnë më shumë për rastet e shkeljeve formale dhe jo për situatat kur publikut i mohohet informacion thelbësor.

Shqipëria nuk mund të bëjë reforma cilësore, nuk mund të tërheqë investime serioze dhe nuk mund të avancojë në procesin e integrimit europian pa vendosur më parë rregullin bazë: dritën e transparencës.

Çdo projekt, çdo ligj, çdo vendim me ndikim në ekonomi, financa apo territor duhet të shoqërohet me analiza të hapura, të verifikueshme dhe të aksesueshme për publikun dhe mediat.

Në fund të fundit, ne kemi edhe një fjalë të urtë popullore:

“Ku hyn dielli, s’hyn mjeku.”

E thënë ndryshe: aty ku hyn rrezja e diellit të transparencës dhe informimit, nuk hyn elefanti i korrupsionit. Dhe kjo, për Shqipërinë e sotme, është më shumë se një metaforë.

Është domosdoshmëri! /Monitor.al/

Lexo gjithashtu

Video

Se ne nuk kemi hallin e prindërve po të bëjmë çik propagandë para nisjes së shkollës…

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme