
Rritja e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare, e nxitur nga tensionet gjeopolitike në Ngushticën e Hormuzit, po transmetohet shpejt edhe në ekonominë shqiptare. Sipas një analize të ALTAX, Shqipëria është një ekonomi tipike “price taker” në tregun global të energjisë, çka do të thotë se nuk ka asnjë ndikim në formimin e çmimit ndërkombëtar të naftës, por përthith menjëherë efektet e tij.
Në një ekonomi me varësi të lartë nga importet, si ajo shqiptare, rritja e çmimit të energjisë transmetohet përmes një mekanizmi zinxhir që nis nga karburantet dhe përfundon tek çmimet e produkteve të konsumit. Sipas analizës, rritja e çmimit ndërkombëtar reflektohet menjëherë në kostot e importit, transportit dhe sigurimit të mallrave, duke çuar në shtrenjtim të shpejtë të karburanteve në tregun vendas. Aktualisht, çmimi i naftës në tregun e brendshëm ka arritur deri në rreth 179 lekë për litër.
Energjia funksionon si një input transversal në ekonomi. Kjo do të thotë se rritja e saj ndikon pothuajse në çdo sektor, nga transporti dhe industria deri tek ushqimet dhe shërbimet. Në rastin e Shqipërisë, efekti është edhe më i fortë për shkak të varësisë së lartë nga importet dhe strukturës së përqendruar të tregut të karburanteve, ku pak operatorë dominues dhe një nivel i lartë informaliteti reduktojnë konkurrencën. Si pasojë, rritjet e çmimeve nga tregjet ndërkombëtare transmetohen shpejt dhe pothuajse të plota te konsumatori, ndërsa uljet e çmimeve zakonisht reflektohen më ngadalë.
Ky fenomen krijon një asimetri në treg. Sipas analizës, rritjet e çmimeve nga jashtë kalojnë menjëherë në tregun vendas, ndërsa uljet amortizohen përmes marzheve më të larta të fitimit. Në këtë mënyrë, goditja inflacioniste për konsumatorët shqiptarë është shpesh më e fortë dhe më e qëndrueshme.
Një nga sektorët që pritet të preket më fort është bujqësia. Duke qenë një sektor intensiv në përdorimin e karburanteve dhe inputeve të importuara, rritja e çmimit të naftës përkthehet në kosto më të larta për makineritë bujqësore, transportin e produkteve dhe për inpute si plehrat kimike, pesticidet apo farat. Në Shqipëri, mbi gjysma e inputeve bujqësore janë të importuara, çka e bën sektorin shumë të ndjeshëm ndaj goditjeve të tregjeve ndërkombëtare.
Në terma ekonomikë, kjo rritje e kostove përkthehet në presion të drejtpërdrejtë inflacionist. Sipas precedentëve historikë si kriza e energjisë gjatë luftës në Ukrainë, kostot operative të fermave mund të rriten deri në 20–30% në periudha të ngjashme krize. Kjo rritje zakonisht shoqërohet me ulje të prodhimit, rritje të çmimeve të ushqimeve dhe dobësim të konkurrueshmërisë së sektorit.
Bujqësia shqiptare është veçanërisht e brishtë përballë këtyre goditjeve. Kontributi i saj në Prodhimin e Brendshëm Bruto ka rënë nga mbi 20% në fillim të viteve 2010 në rreth 17% sot. Migracioni rural, fragmentimi i fermave të vogla, mungesa e teknologjisë moderne dhe varësia nga kushtet klimatike kanë reduktuar rezistencën e sektorit ndaj krizave të jashtme.
Një faktor tjetër që e rrit vulnerabilitetin është niveli i ulët i mbështetjes buxhetore. Në Shqipëri vetëm rreth 1–2% e buxhetit publik shkon për bujqësinë, ndërsa në Bashkimin Europian mbështetja mesatare për sektorin tejkalon 5% të buxhetit. Kjo diferencë e lë sektorin pa mekanizma mbrojtës në situata krize si ajo aktuale.
Efekti i rritjes së çmimit të naftës është i menjëhershëm në bujqësinë në fushë dhe në serra. Në bujqësinë e hapur, karburanti për traktorët, makineritë e mbjelljes dhe korrjes si dhe transporti i prodhimeve përbëjnë një pjesë të rëndësishme të kostove. Gjatë krizës së energjisë të vitit 2022, kostot e karburantit për fermerët shqiptarë u rritën me 25–40%, duke çuar në ulje të sipërfaqeve të mbjella dhe në rënie të prodhimit në disa rajone.
Në sektorin e serrave, ndikimi është edhe më i fortë për shkak të intensitetit energjetik të prodhimit. Ngrohja dhe sistemet e ujitjes shpesh varen nga karburantet ose nga energjia elektrike, e cila gjithashtu ndikohet nga çmimet e energjisë. Në vitin 2022, serat në Lushnjë raportuan ulje të eksporteve me rreth 20% për shkak të rritjes së kostove të energjisë.
Rritja e kostove transmetohet gjithashtu në sektorin e përpunimit agro-ushqimor. Fabrikat e miellit, konservimit apo përpunimit të produkteve bujqësore përballen me kosto më të larta për transportin e lëndëve të para dhe për energjinë e nevojshme në proceset e prodhimit. Gjatë krizës inflacioniste të vitit 2022, kostot për industrinë e miellit u rritën me rreth 30%, duke çuar në rritje të çmimeve të bukës me rreth 20%.
Edhe blegtoria ndikohet, megjithëse efekti shfaqet me një vonesë relative. Shtrenjtimi i transportit të ushqimit për kafshët dhe i inputeve të tjera rrit kostot e prodhimit për mishin, qumështin dhe vezët. Historikisht, kriza të ngjashme kanë çuar në ulje të stokut të bagëtisë në disa rajone malore, për shkak të kostove të larta të ushqimit dhe energjisë.
Analiza e ALTAX thekson se ndikimi i rritjes së çmimit të naftës është kryesisht cilësor, përmes presionit të kostove dhe inflacionit, por në skenarë të zgjatur mund të çojë në rënie të prodhimit bujqësor deri në 10–20%. Një zhvillim i tillë do të ndikonte drejtpërdrejt në çmimet e ushqimeve dhe në të ardhurat e familjeve rurale.
Për të zbutur efektet e kësaj krize energjetike, analiza sugjeron një paketë masash parandaluese. Ndër to përfshihen subvencionimi i pjesshëm i karburantit bujqësor për fermerët, nxitja e investimeve në energji diellore për ujitje dhe ngrohje në sera, krijimi i rezervave shtetërore për inpute bujqësore dhe përmirësimi i logjistikës rurale për të ulur kostot e transportit.
Një rol të rëndësishëm mund të luajnë gjithashtu kreditë e buta dhe garancitë sovrane për investime në teknologji më efikase energjetike, ndërsa Banka Shqiptare e Zhvillimit pritet të ketë një rol kyç në financimin e sektorëve prioritarë si bujqësia. /ekofin.al/






















