Sociale 28 Shtator 2025, 16:08 Nga VNA

“Në fillim nuk mund të flija në këtë shtëpi”

Ndaje në Whatsapp
“Në fillim nuk mund të flija në këtë

Për tri dekada me radhë, diktatori shqiptar Enver Hoxha terrorizoi vendin e tij. Rezidenca e tij luksoze mbeti për një kohë të gjatë e braktisur. Por prej pak kohësh, aty jetojnë dhe punojnë artistë – të cilët përpiqen të kuptojnë se si mund t’i bëjnë drejtësi të kaluarës së errët të kësaj shtëpie.

Me mbrëmjen, zhurma e jetës përshkon gardhin, depërton në kopshtin e madh dhe në çdo cep të vilës, ku për shumë vite kishte mbretëruar qetësia. Nga klubet përreth shpërthen muzika elektronike, makinat luksoze fishkëllejnë në rrugët e Tiranës, ndërsa në tarracat e kafeneve e restoranteve njerëzit bisedojnë, qeshin, festojnë. Në fasadat e zverdhura të pallateve varen kondicionerë si miza, ndërsa mes tyre ngrihen kullat e reja që shndrisin argjendtë mbi qiellin e lagjes Blloku, zemra e gjallë e kryeqytetit shqiptar.

Në mes të këtij gjallërimi qëndron një vilë që çdo shqiptar e njeh – edhe pse shumica vetëm nga jashtë. Brenda saj, për më shumë se tridhjetë vjet, kishte jetuar diktatori Enver Hoxha me familjen, i izoluar plotësisht nga pjesa tjetër e vendit, në një luks të paimagjinueshëm për qytetarët e thjeshtë. Sot, gjatë ditës, grupe turistësh ndalen para gardhit për të hedhur ndonjë vështrim përmes dritareve, ndërsa pjesa më e madhe e kalimtarëve kalon sikur vila të mos ekzistonte fare.

Vetë ekzistenca e saj si simbol i pushtetit dhe privilegjit duket ende e dhimbshme. Kjo hapësirë ka mbetur një pikë e verbër: deri në fund të regjimit komunist më 1991 – gjashtë vjet pas vdekjes së Hoxhës – hyrja në këtë zonë ishte rreptësisht e ndaluar. Derisa erdhi arti.

Që nga fillimi i vitit 2025, aty jetojnë për nga tre muaj njëmbëdhjetë artistë nga Franca, Gjermania, Italia, Bangladeshi dhe Shqipëria. Programi është kuruar nga fondacioni Art Explora me qendër në Paris. Disa punojnë në mënyrë të pavarur, të tjerë në bashkëpunim. Në fund të periudhës, secili paraqet rezultatet e punës. Si në çdo bashkëjetesë, në mbrëmje gatuajnë bashkë, pinë birrë në ndonjë lokal, ose mblidhen në sallën e madhe për ligjërata nga artistë të ftuar.

Roja në kabinën e vogël pranë portës ka ulur perdet dhe po dremit – vizitorë nuk kanë shumë. Shtëpia e lyer me ngjyra të verdhë-portokalli e të gjelbërta, me kopshtin e rregulluar me kujdes, shtigjet e kalldrëmta dhe pellgjet e ujit, duket sikur është ulur nga rastësia në mes të një qyteti të përtypur. Dyshemeja prej guri të kuq, e përshkuar me vija të bardha cik-cak, shkëlqen përballë dollapëve të errët prej druri; divanet e mbështjella me kadife duken sikur askush s’është ulur kurrë mbi to.

Mobiliet ishin porositur nga familja Hoxha në Perëndim ose ishin ndërtuar posaçërisht për ta. Pas restaurimit, për artistët u shtuan vetëm disa tavolina e karrige plastike të bardha – si shenjë e një fryme të re që kishte vonuar të vinte për dyzet vjet.

Pas vdekjes së diktatorit, shtëpia qëndroi për një kohë bosh. Herë pas here aty u mbajtën mbledhje qeveritare ose u strehuan diplomatë gjatë vizitave zyrtare. Disa refuzuan të flinin aty – si shkrimtari argjentinas me origjinë shqiptare Ernesto Sábato, i cili, kur iu propozua të qëndronte në vilë gjatë një vizite në vitin 1996, u përgjigj se “në mes të këtij horror-i nuk do të mund të kalonte as një natë.”

Për shumë vite u debatua çfarë duhej bërë me këtë shtëpi, që mbetet pronë shtetërore dhe me perdet përherë të mbyllura. Një muze? Jo, u tha, sepse do ta zvogëlonte peshën e saj. Në fund, u vendos që përgjigjja të ishte arti, ndoshta edhe për shkak të historisë personale të kryeministrit Edi Rama, dikur vetë artist. Në vitin 2014, një grup performance shqiptar hyri për herë të parë në vilë, por emocionet dhe kufizimi i audiencës në vetëm njëqind vizitorë e lanë në hije ngjarjen. Pas rinovimeve, në janar 2025 hynë banorët e parë artistë.

Struktura labirintike e vilës është ideale për një projekt të tillë: çdo artist ka hapësirën e vet të ndarë për punë dhe gjumë, krahas ambienteve të përbashkëta. Por e kaluara ngjitet pas këtij vendi si çamçakëz nën këpucë – dhe kjo e bën fillimin e ri më të vështirë.

Kush hyn këtu, duhet të përballet me hijet

Kushdo që pranon të jetojë këtu, duhet të pranojë se do të flejë në të njëjtin dhomë ku ka fjetur dikur diktatori, apo të lajë fytyrën në të njëjtin lavaman ku lahej e shoqja e tij, Nexhmije Hoxha. Për shumicën e artistëve të huaj kjo s’është e rëndësishme, por për ata me rrënjë shqiptare është.

“Në fillim nuk mund të flija në këtë shtëpi,” thotë Erdiola Kanda Mustafaj, 33-vjeçare, fotografe e lindur në Elbasan, rreth gjysmë ore larg Tiranës, e rritur në Bolonjë. Familja e saj u largua nga Shqipëria më 1997, gjatë trazirave të “firmave piramidale”. “Historia e kësaj vile nuk largohet dot,” thotë ajo. “Kur fiket drita në mbrëmje, ndihem tmerrësisht e vetmuar.”
Ajo ndan bursën me kuratoren franceze Anne Bourrassé.

Kur u tregon njerëzve se ku jeton, përgjigjja është gjithmonë e njëjtë: ‘Aty? Kurrë!’ Edhe në familje përballet me mospranim. Xhaxhai i saj, që ka vuajtur nën regjimin e Hoxhës sepse i ndalohej të studionte, nuk arrin ta kuptojë pse ajo qëndron aty me dëshirë. “Nuk do të flasë kurrë për atë kohë,” thotë ajo.

Edhe prindërit, që pas emigrimit në Itali kishin nisur jetën nga e para, rrallë kanë folur për të kaluarën, pavarësisht pyetjeve të saj. “Shqipëria vuan nga një amnezi kombëtare,” thotë Mustafaj. “Mendoj se deri më sot vendi nuk ka arritur të përballet me historinë e vet.” Vetëm së fundmi, nëna i kishte rrëfyer se kishte qarë ditën kur vdiq Hoxha. “Të paktën është një hap i parë,” shton ajo me një buzëqeshje të hidhur.

Një e kaluar e shtypur nën heshtje

Shumëçka nga periudha e Hoxhës vazhdon të idealizohet, shkruan historiani shqiptar Elidor Mëhilli, që ligjëron në City University of New York. Kjo, sipas tij, lidhet me faktin që arkivat e Sigurimit mbeten ende të mbyllura. Nga kjo mungesë dijesh lindin mite që prej dekadash s’janë vënë në dyshim. “Është për t’u habitur sa pak dihet sot për faktet më elementare të asaj kohe,” thotë Mëhilli. Përpunimi i së shkuarës ka nisur ngadalë; një ndryshim i vërtetë në elitën politike nuk ka ndodhur për shumë vite.

Shqipëria e Hoxhës ishte një vend paranojak. Armiqtë e shtetit ai i shihte jo vetëm jashtë kufijve, por edhe brenda çdo shtëpie. Sigurimi, policia sekrete, u bë instrumenti më i fuqishëm për të mbikëqyrur popullin. Edhe veprimet më të vogla imagjinare shpalleshin krime; kushdo mund të shpallej “armik”. Dhjetëra mijëra u dërguan në kampe pune ose në internim, mijëra u torturuan e u ekzekutuan.

Edhe në Bllok, “qytetin e ndaluar” në zemër të Tiranës, askush nuk ishte i sigurt. Vetëm anëtarët e lartë të Partisë Komuniste jetonin aty, të shkëputur nga qyteti, me dyqane, kuzhinierë e mjekë të veçantë. Historiani Mëhilli e përshkruan këtë lagje si një “vatër xhelozie dhe paranoje”.

Hoxha ndërtoi qindra mijëra bunkerë, shkatërroi shumicën e kishave e xhamive. Në vitin 1967 e shpalli Shqipërinë “shteti i parë ateist në botë” dhe e izoloi plotësisht. Nga kjo vilë, ku jetonte me gruan, fëmijët e nipërit, ai vendoste për jetën e të gjithëve.

Nga izolimi te hapja

Në dhomën e punës së Hoxhës gjenden ende raftet e larta ku dikur qëndronin librat e ndaluar për popullin. Ndërkohë që çdo ndikim perëndimor ishte i ndaluar, për të vetë bënin përjashtim. Madje edhe udhëtarët e huaj duhej t’i nënshtroheshin rregullave të tij absurde: fundet e shkurtra dhe flokët e gjatë ishin të ndaluar; në aeroport priste berberi me gërshërë.

Tani, izolimi ka marrë fund. Në prill 2025, për herë të parë, vila hapi dyert për publikun. Sipas menaxheres së projektit Nita Deda, rreth 15 000 vizitorë hynë për të parë ambientet e përbashkëta dhe disa prej dhomave të artistëve. “Njerëzit donin të shihnin çdo cep – ashensorin privat, kinemanë, dhomat e gjumit, pishinën që nuk u përdor kurrë.”

Reagimi më i zakonshëm, thotë Deda, ishte: “Çfarë luksi, ndërsa ne luftonim për të mbijetuar!”
Që prej asaj kohe, çdo fundjavë mbahen ngjarje: shfaqje filmash, lexime, punëtori për fëmijë dhe kurse vallëzimi për të moshuar.

Kujtesa përmes artit

Për bursën e tyre, Mustafaj dhe Bourrassé po punojnë mbi historinë dhe gjuhën e çamëve, një popullsi shqiptare myslimane e vrarë ose e dëbuar nga Greqia midis viteve 1913–1945 – një histori që përfshin edhe gjyshërit e Mustafajt. Në mur varen harta të vjetra, piktura dhe artikuj shtypi që dëshmojnë për këtë kapitull të mohuar.

Ndërsa Kairo Urovi, 25-vjeçar me origjinë shqiptare, i lindur në Itali dhe banues në Londër, e braktisi projektin fillestar sapo hyri në vilë. “Ky vend ma përplasi historinë familjare në fytyrë,” thotë ai. Fillimisht donte të punonte mbi temën e padukshmërisë, por “këtu historia është shumë e rëndë.”

Familja e tij kishte vuajtur nga varfëria dhe frika. Nëna i tregonte se si zgjohej në orën tre të mëngjesit për të zënë radhë për një kilogram mish. Frika e përhershme se mund të spiunoheshe nga fqinjët shenjoi jetën e përditshme – dhe ende pasqyrohet në sjelljen e prindërve. Xhaxhai i tij kishte ikur në Greqi, babai në Itali dhe nuk ishte kthyer më. “Rreth katër milionë shqiptarë janë larguar nga vendi; sot kanë mbetur vetëm rreth 2,5 milionë,” thotë ai.

Megjithatë, Urovi është i ndarë mes mirënjohjes dhe dyshimit. “Nuk jam i sigurt nëse është ide e mirë ta kthesh këtë shtëpi në rezidencë artistësh,” thotë ai, duke rregulluar syzet. “Po, është e drejtë që vendi të ringjallet, por frikësohem se pas disa vitesh njerëzit do të harrojnë se çfarë ka ndodhur këtu. Do të ishte fatale që historia e përgjakshme e Hoxhës të zbehej pas shkëlqimit të projekteve artistike.”

As ai, si Mustafaj, nuk ka gjetur qetësi në gjumë. “Muajin e parë nuk flija dot fare.” Figura e Nexhmijes, që në një intervistë për Spiegel në vitin 2004 kishte deklaruar se “ne kurrë s’kemi vrarë pa arsye”, e përndiqte. “Kjo vilë është sfiduese. Elefanti është në çdo dhomë,” thotë ai.

(Süddeutsche Zeitung, 26 shtator 2025, Julia Rothhaas)

Video

Krahu Lindor i Shtëpisë së Bardhë po shembet për t’i hapur rrugë ndërtimit të një salle luksoze ballosh, një projekt me vlerë 250 milionë dollarë i prezantuar nga Presidenti Donald Trump. Megjithëse u premtua se struktura historike nuk do të prekej, punimet kanë nisur me shkatërrimin e pjesës lindore që daton nga viti 1902. Projekti përfshin një sallë prej 25,000 metrash katrorë me dizajn të frymëzuar nga resorti Mar-a-Lago, me llambadarë kristali, kolona të praruara dhe zbukurime ari. Salla do të përdoret për darka shtetërore dhe ngjarje zyrtare, me një kapacitet prej 1,000 personash dhe dritare antiplumb. Ajo pritet të financohet kryesisht nga donatorë privatë, përfshirë kompani të mëdha teknologjike dhe të mbrojtjes. Në një moment simbolik, Donald Trump hapi perdet e arta për të zbuluar vendin e ndërtimit dhe shpalli nisjen zyrtare të shembjes. Ai deklaroi se kjo do të jetë “salla e vallëzimit më e bukur ndonjëherë” dhe përmendi plane për një hark përballë Varrezave të Arlingtonit, nëse mbeten fonde. Dëshira për një sallë të tillë daton që nga viti 2010, kur ai shprehu pakënaqësinë për ambientet ekzistuese të darkave shtetërore në kohën e Presidentit Obama.

Dy shtetas kinezë janë kapur gjatë tentativës për të futur në Shqipëri 62 kilogramë kanabis, të ndarë në dy valixhe. Lënda narkotike ishte nisur nga Tajlanda, me tranzit në Emiratet e Bashkuara, dhe më pas drejtuar Shqipërisë. https://www.vna.al/kronika/tentuan-te-fusnin-61-kg-kanabis-ne-shqiperi-arrestohen-dy-kineze-ne-rina-i15927

Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy ka nisur zyrtarisht dënimin me pesë vjet burg për konspiracion në financimin e paligjshëm të fushatës presidenciale të vitit 2007, duke u bërë ish-udhëheqësi i parë francez që shkon pas hekurave në epokën moderne. 70-vjeçari, u paraqit këtë mëngjes në burgun “La Santé” në jug të Parisit, ku do të qëndrojë në një qeli 9 metra katrorë, e pajisur me tualet, dush, tavolinë pune dhe televizor. Ai do të mbahet në seksionin e izolimit për arsye sigurie, pasi burgu strehon edhe persona të dënuar për trafik droge dhe terrorizëm.

Donald Trump u përplas me ambasadorin e Australisë në Shtetet e Bashkuara, Kevin Rudd, gjatë një deklarate me gazetarët që mbulonin vizitën e kryeministrit australian Tony Albanese në Uashington. Gjatë konferencës, një gazetar australian e pyeti presidentin amerikan nëse kishte ndonjë shqetësim në lidhje me qeverinë australiane — veçanërisht për shkak të komenteve kritike që Rudd kishte bërë në të kaluarën për të, kohë kur ai shërbente si kryeministër. Trump reagoi menjëherë duke thënë: “As mua nuk më pëlqen, dhe ndoshta nuk do të më pëlqesh kurrë.” Komentet kritike të Rudd ndaj Trump datojnë në vitin 2020, kur ai e kishte cilësuar atë në rrjetet sociale si “presidentin më shkatërrues në histori”. Postimi u fshi më vonë, por duket se nuk është harruar nga presidenti amerikan.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme