Sociale 26 Shtator 2025, 08:37 Nga VNA

A e “shpëtoi” Kosova turizmin në gusht ashtu si eksportet?! Italianët vijojnë rënien

Ndaje në Whatsapp
A e “shpëtoi” Kosova turizmin në gusht ashtu si

Gushti dha sinjale pozitive për ecurinë e turizmit në vend, pas një ecurie zhgënjyese deri në korrik.

Sipas INSTAT, në gusht, në vend hynë 2.38 milionë shtetas të huaj, me një rritje prej 9.9% në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë.

Në korrik, zgjerimi kishte qenë vetëm 0.4%, në qershor 7.1%, në maj 1.38%, në prill 3.15% ndërsa marsi ishte me rënie prej 2.7%. Vetëm janari kishte shënuar një rritje dyshifrore prej 14.5%.

Të dhënat e detajuara të INSTAT bëjnë të ditur se efektin kryesor në ecurinë pozitive të hyrjeve të shtetasve të huaj e ka dhënë Kosova. Në gusht, në vend hynë gati 1.1 milionë shtetas nga Kosova, me një rritje prej 15% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kjo është hera e parë që raportohen mbi 1 milion hyrje nga Kosova në një muaj, të paktën që nga viti 2022, kur INSTAT raporton të dhënat e detajuara. Hyrjet e shtetasve nga Kosova zunë 47% të totalit në gusht, nga 38% që ishte kjo peshë për 8 mujorin.

Vetëm në gusht, hyrjet e shtetasve nga Kosova ndikuan në gati 70% të rritjes (142 mijë më shumë hyrje vetëm nga Kosova, nga 214 mijë hyrje më shumë në total).

Përkundrejt shifrave, operatorët turistikë nuk e kanë parë këtë optimizëm në tendencën reale. Rrahman Kasa, Kryetar i Unionit Turistik Shqiptar, ka pohuar në një intervistë të mëparshme për “Monitor” se ka një prani më të ulët të shqiptarëve të Kosovës.

Rënia e tyre është ndikuar nga disa faktorë, si rritja e çmimeve, zhvlerësimi i euros që ul të ardhurat që ata marrin kur i këmbejnë në lekë si dhe fakti që tashmë shtetasit e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza, duke pasur mundësi për të kaluar pushimet në vende të tjera si Greqia.

Që nga 1 maj, është rikthyer marrëveshja mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, në bazë të së cilës për automjetet e Kosovës që hynë në Shqipëri (dhe anasjelltas) nuk do të kryhen kontrolle kufitare, duke mundësuar lëvizje të shpejtë dhe të pakufizuar.

Lëvizja e tyre gjurmohet në mënyrë administrative bazuar në dhënat e automjeteve dhe transportit (p.sh. numri i autobusëve, makinave, udhëtarëve që deklarohen nga autoritetet e kufirit dhe transportit).

Një pjesë e hyrjeve vijnë në Shqipëri dhe tranzit për të udhëtuar përmes aeroportit të Rinasit, për shkak të çmimeve të lira të biletave dhe destinacioneve të shumta që po tërheqin gjithnjë e më shumë udhëtarë nga Kosova, tashmë që ata mund të udhëtojnë lirisht në Europë.

Duket se Kosova po shërben si një “amortizator” për turizmin, ashtu siç ndodhi dhe me eksportet shqiptare, ku tranziti i naftës po përfshihet si eksport në grupin minerale, lëndë djegëse dhe energji nga Shqipëria në Kosovë, duke rritur fiktivisht eksportet shqiptare.

Bien sërish italianët, vijon rritja e francezëve, na zbulojnë izraelitët

Italianët, grupi i dytë më i madh i turistëve pas Kosovës, me 10% të totalit, kanë vijuar tendencën rënëse edhe në gusht. Hyrjet e tyre zbritën në gati 240 mijë, me një tkurrje prej 6.4% me bazë vjetore, duke shënuar të dytin muaj radhazi me ulje, ndryshe nga viti i kaluar kur rritja ishte dy shifrore.

Kasa pohon se ashtu si me Kosovën, një nga arsyet kryesore që po ndikon largimin e italianëve është rritja e çmimeve. Shqipëria ishte reklamuar si një vend i lirë, që nxiti shumë turistë italianë, të njohur për faktin që janë ndër më koprracët, ndaj dhe shtrenjtimi i vendit po i step ata.

Në gusht, rritjen më të madhe e shënuan shtetasit nga Mali i Zi, me 43%, duke arritur në 100 mijë, por ashtu si me Kosovën, një pjesë e tyre e përdorin vendin si tranzit, për të udhëtuar përmes Rinasit.

Francezët kanë vijuar rritjen e fortë, me 36% në gusht, duke arritur në 66 mijë hyrje, ndërsa gjermanët, një grup tjetër me rritje të fortë nuk e preferon turizmin në muajt e nxehtë, duke u ngadalësuar në 3.7%.

Polakët kanë vijuar rënien (-7%) në gusht, me operatorët që pohojnë se po largohen kryesisht turistët individualë, ndërsa ai i organizuar po ecën më mirë. Edhe Spanja vijoi rënien (-1%). Në tkurrje të fortë ishin edhe serbët (-18%).

Në gusht rritje e fortë u konstatua nga Ukraina (43%), megjithëse numri i tyre mbetet i ulët në 22 mijë.

Po në gusht u shënua një rritje rekord e shtetasve nga Izraeli, në gati 15 mijë, nga 1-2 mijë vitet e mëparshme.

Përgjithësisht operatorët turistikë e cilësojnë këtë vit si të dobët për turizmin ku zhvillimet reale nuk u përputhën me pritshmëritë e fillimvitit dhe vetëm gushti shënoi një fluks më të qëndrueshëm.

Strukturat hoteliere në Jug kanë raportuar rënie me 30% të të ardhurave në raport me verën 2024, ndërsa në Veri, kjo rënie ishte 10-15%. Shkak është ndryshimi i target-grupit që po na viziton ku mbizotërojnë masivisht ata me buxhet të ulët./Monitor

Video

Në Libanin jugor, dronët-bombë të Hezbollah po krijojnë probleme serioze për ushtrinë izraelite. Pamjet tregojnë një sulm ndaj një helikopteri Blackhawk që kishte shkuar për të marrë të plagosurit nga një pritë me dronë, ku një ushtar u vra dhe gjashtë të tjerë u plagosën. Teksa helikopteri po ulej, dy dronë u afruan dhe shpërthyen pranë tij, ndërsa ushtarët izraelitë hapën zjarr për t’i rrëzuar. Hezbollah thuhet se po shton përdorimin e këtyre dronëve, ndaj të cilëve Izraeli ende nuk ka kundërmasa efektive.

Një problem i vogël për Laura Pausini gjatë koncertit live në Quito, në Ecuador. Popstarja ndërpreu koncertin dhe kërkoi t’i sillnin oksigjen. Një pengesë e vogël, me shumë gjasa e lidhur me lartësinë e qytetit (rreth 2800 metra mbi nivelin e detit), e cila mund të shkaktojë probleme të tilla, sidomos kur je i ekspozuar ndaj një stresi fizik si ai i një koncerti live. Këngëtarja e mori situatën me humor dhe, me maskën e oksigjenit në gojë, iu drejtua publikut duke pyetur: “A mund të flitet kur e mban këtë, apo është më mirë jo?”

Një 89-vjeçar ka hapur zjarr këtë të martë në qendër të Athinës, duke plagosur disa persona në dy sulme të njëpasnjëshme. Autori qëlloi fillimisht në një zyrë të sigurimeve shoqërore dhe më pas brenda një godine gjykate. Policia ka gjetur armën e krimit, një pushkë gjahu, dhe ka nisur një operacion masiv për kapjen e autorit. Ndërsa të plagosurit ndodhen në spital.

Kur e pyet Sali Berishën se ç’mendon për debatet Spiropali-Rama…

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme