
Bisedimet globale për të hartuar një traktat historik për t’i dhënë fund ndotjes nga plastika kanë dështuar sërish.
Negociatat e OKB-së, raundi i gjashtë i bisedimeve në më pak se tre vjet, duhej të përfundonin të enjten, por vendet vazhduan të negociojnë deri në orët e vona me shpresën për të thyer ngërçin.
Megjithatë, vazhdoi përplasja mes një grupi prej rreth 100 shtetesh që kërkonin kufizime në prodhimin e plastikës, dhe shteteve prodhuese të naftës që donin të përqendroheshin tek riciklimi.
Duke folur në orët e para të mëngjesit, delegacioni kuban tha se vendet “humbën një mundësi historike, por duhet të vazhdojmë përpara”.
Bisedimet u thirrën fillimisht në vitin 2022 si përgjigje ndaj provave shkencore në rritje për rreziqet që ndotja plastike paraqet për shëndetin e njeriut dhe mjedisin.
Megjithëse plastika ka përfitime për pothuajse çdo sektor, shkencëtarët janë veçanërisht të shqetësuar për kimikatet potencialisht toksike që ajo përmban, të cilat mund të çlirohen kur plastika shpërbëhet në copa më të vogla.
Mikroplastikat janë zbuluar në tokë, lumenj, ajër dhe madje edhe në organe të trupit të njeriut.
Shtetet kishin një afat fillestar për të arritur marrëveshjen deri në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, por nuk arritën ta përmbushin.
Dështimi i këtyre bisedimeve i çon ato edhe më shumë pas me kohën.
Duke folur në emër të shteteve ishullore, shteti i Paqësorit Verior, Palau, tha të premten:
“Po kthehemi në shtëpi përsëri e përsëri me shumë pak përparim për t’u treguar njerëzve tanë.”
“Është e padrejtë që ne të përballemi me pasojat më të rënda të një tjetër krize mjedisore globale, kur kemi kontribuar fare pak në të,” shtuan ata.
Vija ndarëse kryesore mes vendeve ka qenë gjithmonë e njëjta: nëse traktati duhet të trajtojë problemin tek burimi – përmes uljes së prodhimit të plastikës – apo të përqendrohet tek menaxhimi i ndotjes që ajo krijon.
Vendet më të mëdha prodhuese të naftës e shohin plastikën – e prodhuar nga lëndë djegëse fosile – si pjesë jetike të ekonomive të tyre në të ardhmen, veçanërisht tani që bota po largohet nga karburantet tradicionale drejt makinave elektrike.
Kjo grup, që përfshin Arabinë Saudite dhe Rusinë, argumenton se zgjidhja më e mirë është përmirësimi i infrastrukturës për mbledhjen dhe riciklimin e mbetjeve – një qëndrim i përbashkët edhe nga vetë prodhuesit e plastikës.
“Plastika është thelbësore për jetën moderne – ajo gjendet në gjithçka,” tha Ross Eisenberg, president i shoqatës amerikane të prodhuesve të plastikës.
“Fokusi duhet të jetë te ndalja e ndotjes plastike, jo ndalja e prodhimit të plastikës,” shtoi ai, duke paralajmëruar se zëvendësimi i plastikës me materiale të tjera mund të sjellë “pasoja të paqëllimshme”.
Por shumë studiues paralajmërojnë se ky qasje është thelbësisht e gabuar. Shkalla globale e riciklimit vlerësohet të jetë vetëm rreth 10%, me kufizime të mëdha për sa mund të rritet.
“Edhe nëse arrijmë ta rrisim në dekadat e ardhshme në 15, 20, apo 30%, gjithsesi do të mbetej një sasi e konsiderueshme që ndot mjedisin dhe dëmton shëndetin e njeriut,” tha Dr. Costas Velis, profesor i asociuar në Inxhinieri të Mbetjeve dhe Burimeve në Imperial College London.
“Duhet ta përmirësojmë patjetër riciklimin… por nuk mund të shpresojmë që kjo do të zgjidhë çdo aspekt të problemit të plastikës,” shtoi ai.
Prodhimi i plastikës është rritur nga dy milionë tonë në vitin 1950 në rreth 475 milionë tonë në vitin 2022 – dhe pritet të vazhdojë të rritet nëse nuk merren masa shtesë.
Rreth 100 vende – përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe Bashkimin Evropian – po shtynin për kufizime në prodhim dhe për një dizajn më të njëtrajtshëm global që ta bënte riciklimin më të lehtë.
Kjo mund të jetë diçka aq e thjeshtë sa kërkesa që shishet plastike të jenë me një ngjyrë – sepse shishet me ngjyra kanë gjysmën e vlerës së atyre transparente.
Kjo qasje u mbështet edhe nga disa nga paketuesit më të mëdhenj të produkteve plastike, përfshirë Nestlé dhe Unilever, pjesë e Koalicionit të Bizneseve të udhëhequr nga Fondacioni Ellen MacArthur.
Ky koalicion gjithashtu tha se vendet duhet të harmonizojnë më mirë skemat për vendosjen e një takse të vogël mbi produktet plastike për të ndihmuar financimin e riciklimit – i njohur si përgjegjësia e zgjeruar e prodhuesit.
Sipas këtij grupi, kjo mund të dyfishojë të ardhurat për vendet, duke arritur në 576 miliardë dollarë (425 miliardë paund) deri në vitin 2040.
Bisedimet duhej të përfundonin të enjten, por vendet vazhduan të negociojnë natën, me shpresën për të thyer ngërçin.
Kryetari i bisedimeve, Luis Vayas nga Ekuadori, paraqiti një tekst të ri që dukej se ishte më pranë kërkesave të grupit të Mbretërisë së Bashkuar.
Ky tekst nuk kërkonte një kufi të prodhimit të plastikës – që ishte një nga kërkesat kryesore të Britanisë – por përfshinte referenca që i linin vendet të ndërmarrin hapa për të trajtuar çështje si kimikatet e rrezikshme në plastikë dhe dizajnin e saj për riciklim më të lehtë.
Duke folur në takimin përmbyllës, delegacioni i BE-së tha: “Ne e shohim rezultatin e këtij sesioni si një bazë të mirë për negociatat e ardhshme.”
Por shtetet e naftës mbetën të pakënaqura. Arabia Saudite tha se e gjeti procesin e negociatave “problematik”, ndërsa Kuvajti deklaroi se pikëpamjet e tij “nuk u pasqyruan”.
Shumë grupe mjedisore, duke reaguar ndaj dështimit të bisedimeve, kritikuan atë që e konsiderojnë si përparësi të fitimeve nga shtetet e naftës përpara shëndetit të planetit.
Graham Forbes, kreu i delegacionit të Greenpeace në negociatat për Traktatin Global të Plastikës, tha:
“Pamundësia për të arritur një marrëveshje në Gjenevë duhet të jetë një thirrje zgjimi për botën: ndalimi i ndotjes plastike do të thotë përballje e drejtpërdrejtë me interesat e industrisë së karburanteve fosile.”
“Shumica absolute e qeverive duan një marrëveshje të fortë, por një grusht aktorësh negativë u lejua të shkatërrojë këtë ambicie përmes procedurave,” shtoi ai./ BBC