Momente tensioni janë regjistruar këtë të hënë në Uashington, pasi një automjet u përplas me barrierat e sigurisë pranë Shtëpisë së Bardhë, duke shkaktuar mobilizimin e menjëhershëm të forcave të rendit dhe shërbimeve që kujdesen për mbrojtjen e presidentit amerikan.
Drejtuesi i automjetit, për të cilin fillimisht u ngritën dyshime se mund të ishte i armatosur, u arrestua nga autoritetet. Pak më vonë, policia ndaloi edhe një person të dytë, ndërsa rrethanat e përfshirjes së tij në incident nuk janë sqaruar ende.
Menjëherë pas përplasjes, Shtëpia e Bardhë u vendos përkohësisht nën masa të rrepta sigurie. Gazetarëve që ndodheshin në zonë iu kërkua të hynin brenda ndërtesës, ndërsa forcat e sigurisë krijuan një perimetër mbrojtës dhe kufizuan lëvizjen në rrugët përreth.
Alarmi zgjati rreth një orë, gjatë së cilës autoritetet kryen kontrolle për të përcaktuar nëse ekzistonte ndonjë kërcënim i mëtejshëm.
Në momentin e incidentit, presidenti Donald Trump ndodhej në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, automjeti ishte përplasur me barrierat në një distancë të konsiderueshme nga godina presidenciale dhe nuk arriti të depërtonte në perimetrin e brendshëm të sigurisë.
Situata shkaktoi shqetësim edhe për faktin se zëvendëspresidenti amerikan, J.D. Vance, po mbante një fjalim në një ndërtesë pranë kompleksit presidencial.
Forcat e sigurisë ndërhynë menjëherë pas marrjes së informacionit se drejtuesi i automjetit mund të kishte armë, ndërsa kontrollet u përqendruan te automjeti dhe personat e ndaluar.
Deri tani, nuk është bërë e ditur nëse gjatë kontrolleve është gjetur ndonjë armë, ndërsa autoritetet nuk kanë sqaruar nëse përplasja ishte e qëllimshme apo pasojë e një aksidenti.
Po ashtu, nuk ka informacione që tregojnë se incidenti kishte si objektiv presidentin amerikan apo zyrtarë të tjerë të administratës.
Ngjarja riktheu vëmendjen te masat e sigurisë rreth Shtëpisë së Bardhë, një prej objekteve më të mbrojtura në Shtetet e Bashkuara, ku çdo përpjekje për të kaluar barrierat e sigurisë shkakton reagim të menjëhershëm të autoriteteve.






















