Deklaratat e Marine Le Pen se Franca është vendi më pak racist në botë dhe se diskriminimi nuk ekziston në shoqërinë franceze kanë shkaktuar reagime të forta politike, në një kohë kur vendi po përballet me tensione sociale, protesta të dhunshme dhe një debat gjithnjë e më të ndezur mbi emigracionin.
Sipas gazetës britanike The Times, udhëheqësja e së djathtës radikale, e cila kryeson sondazhet për zgjedhjet presidenciale të prillit 2027, i bëri komentet gjatë një interviste për emisionin amerikan “60 Minutes” në televizionin CBS, ku fajësoi emigracionin masiv për destabilizimin e shoqërisë franceze.
“Kur pranoni shumë emigrantë, krijoni kushtet për destabilizimin e shoqërisë suaj dhe kjo është pikërisht ajo që ka ndodhur në Francë”, deklaroi Le Pen, duke argumentuar se niveli i papunësisë mes të huajve është dy herë më i lartë se ai i qytetarëve francezë.
“Ne nuk mund të vazhdojmë të importojmë njerëz të papunë”, shtoi ajo.
E pyetur nga gazetari Trevor Phillips nëse papunësia e lartë mes emigrantëve mund të lidhej edhe me diskriminimin, Le Pen e hodhi poshtë kategorikisht këtë mundësi.
“Jo, nuk ka diskriminim në Francë. Kjo nuk është e vërtetë. Madje do të shkoj edhe më tej: Franca është vendi më pak racist në botë”, u shpreh ajo.
Deklaratat kanë nxitur reagime nga përfaqësues të së majtës, politikanë të qendrës dhe organizata që luftojnë racizmin. Kritikët e akuzojnë Le Pen se po mohon një problem të dokumentuar prej vitesh, veçanërisht në tregun e punës, strehim dhe marrëdhëniet e qytetarëve me policinë.






















