Kandidati i Listës Studentore në Serbi, Fegja Dimoviq, ka deklaruar se Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë dhe zë një vend të rëndësishëm në identitetin shpirtëror dhe kulturor të popullit serb. Deklarata e tij vjen pas vizitës së një delegacioni të kësaj lëvizjeje në Kosovë, më 7 dhe 8 nëntor.
Në një reagim publik në Facebook, Dimoviq ka theksuar se Kosova mbetet pjesë e rëndësishme e programit politik të Listës Studentore, duke premtuar mbështetje për komunitetin serb dhe Kishën Ortodokse Serbe.
“Bashkëkombësve tanë në Kosovë u përcjellim një mesazh dashurie dhe solidariteti, me premtimin e qartë se nuk do t’i harrojmë kurrë”, ka shkruar ai.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, delegacioni i Listës Studentore zhvilloi një takim me mitropolitin Teodosije në Manastirin e Graçanicës, ku u diskutua për gjendjen e komunitetit serb dhe sfidat e Kishës Ortodokse Serbe.
Përfaqësuesit e lëvizjes u zotuan se, në rast të marrjes së përgjegjësive qeverisëse, do t’i kushtojnë vëmendje mbrojtjes së të drejtave të serbëve dhe objekteve fetare ortodokse në Kosovë.
Sipas Radio Evropa e Lirë, delegacioni nuk zhvilloi takime me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës. Ndërkohë, kandidati Jugosllav Gashiq deklaroi se Lista Studentore nuk do të bashkëpunojë me Listën Serbe, të cilën e konsideron përgjegjëse për përkeqësimin e pozitës së komunitetit serb.
Qëndrimet e shprehura gjatë kësaj vizite tregojnë se Lista Studentore, pavarësisht kundërshtimit ndaj politikave të Aleksandar Vuçiqit dhe Listës Serbe, vazhdon ta konsiderojë Kosovën pjesë të Serbisë.






















