Drejtoria e Hetimit Antimafia (DIA) në Itali është vënë në shënjestër të një sulmi të dyshuar kibernetik këtë të hënë, duke ngritur shqetësime për sigurinë e informacioneve konfidenciale që lidhen me hetimet kundër krimit të organizuar. Ngjarja vjen në një periudhë tensionesh në rritje për sigurinë kibernetike në Europë, pas një serie sulmesh që kanë prekur sektorë të rëndësishëm të infrastrukturës.
Mediat italiane raportuan fillimisht se hakerët mund të kishin depërtuar në sistemet e Drejtorisë së Hetimit Antimafia, strukturë e specializuar e Ministrisë së Brendshme italiane, duke vjedhur dokumente dhe informacione të ndjeshme që lidhen me aktivitetin e organizatave kriminale.
Megjithatë, verifikimet e mëvonshme të autoriteteve italiane kanë treguar se nuk rezulton të jenë marrë të dhëna sekrete nga sistemet e institucionit. DIA ka sqaruar se personat përgjegjës kanë kopjuar vetëm informacione dhe dokumente që ishin publikuar më parë në faqen zyrtare të institucionit.
Pavarësisht këtij sqarimi, incidenti ka tërhequr vëmendjen e autoriteteve të sigurisë, pasi dyshohet se tentativa mund të ketë pasur si qëllim sigurimin e informacioneve sekrete në prag të një takimi të rëndësishëm mes drejtuesve të forcave policore europiane, i planifikuar të zhvillohet gjatë ditëve në vijim.
Koha e incidentit ka ngritur pikëpyetje mbi motivet e autorëve dhe mundësinë që pas tij të qëndrojnë grupe të organizuara hakerësh, të interesuara për të siguruar informacione mbi hetimet dhe bashkëpunimin ndërkombëtar kundër krimit të organizuar.






















