Sociale 14 Korrik 2025, 10:21 Nga VNA

Shqipëria heq dorë nga prodhimi i bulmetit dhe mishit, rriten importet

Ndaje në Whatsapp
Shqipëria heq dorë nga prodhimi i bulmetit dhe mishit, rriten importet

Gjatë pesë viteve të fundit, importet në sasi dhe në vlerë të grupit “Produket Bulmetore, vezët, mjalti”, si dhe të mishit për konsum janë rritur në mënyrë dramatike, sipas shifrave zyrtare të publikuara nga INSTAT. Në të njëjtën kohë, prodhimi vendës i qumështit dhe i nënprodukteve ka ardhur në rënie masive.

Gjatë vitit 2024, Shqipëria importoi 35.5 milionë kilogramë produkte bulmeti, vezë dhe mjaltë, me rritje 13% kundrejt vitit 2023 dhe me rritje 51% kundret vitit 2019. Në të njëjtën kohë, sasia e qumështit të prodhuar në Shqipëri, ra me 5% në vitin 2024 kundrejt vitit 2023 dhe me 30% kundrejt vitit 2019.

Të dyja të dhënat nuk janë ngushtësisht të krahasueshme. Raportimi i të dhënave të tregtisë së jashtme përmbledh në një grup të madh qumështin, llojet e ndryshme të bulmetit si gjalpë apo djathë, vezët dhe mjaltin, ndërkohë që sasia e qumështit të prodhuar në Shqipëri përfshin të gjithë qumështin i cili më pas ose është konsumuar si i tillë, ose është bërë nënprodukte.

Gjithsesi, të dyja të dhënat, sasia e importit dhe sasia e qumështit të prodhuar në vend duket se kanë ecur përgjatë gjashtë viteve të fundit në drejtime të kundërta. Importet rriten ndërkohë që prodhimi vendës bie.

Sa i përket vlerës, importi i grupit “Produkte bulmemore, vezët dhe mjalti” i kushtoi vendit 6.8 miliardë lekë ose rreth 68 milionë euro gjatë vitit 2024, ndërsa Shqipëria eksportoi në këtë grup mallra me vlerë të përgjithshme prej 787 milionë lekësh ose 7.9 milionë euro. Importet në këtë kapitull janë 5 herë më të larta se sa eksportet të matura në sasi dhe pothuajse 10 herë më të larta të matura në vlerë.

Treguesit e prodhimit vendës dhe të importit të mishit japin një tablo të ngjashme. Gjatë vitit të kaluar, Shqipëria importoi 49 mijë tonë mish, me rritje 2.8% kundrejt vitit 2023 dhe me rritje 18% kundrejt vitit 2019. Në vitin e kaluar, prodhimi i mishit peshë e gjallë ishte 130 mijë tonë, me rënie 3.8% kundrejt vitit 2023 dhe 16,7% kundrejt vitit 2019. Mishi peshë e gjallë zakonisht jep 60% mish të therur kështu që, për t’i bërë të krahasueshme shifrat, mund të themi se mishi konsumuar në Shqipëri gjatë vitit të kaluar ishte 49 mijë tonë importi dhe 78 mijë tonë prodhim vendës.

Rënia e popullsisë dhe ‘sëmundja holandeze’

Gjatë viteve të fundit, popullsia e Shqipëria ka rënë në mënyrë dramatike por popullsia e fshatit, e cila e prodhon qumështin kryesisht në ekonomi familjare, ka rënë edhe më shumë se sa popullsia e përgjithshme. Kjo natyrisht që nuk shpjegon rënien dramatike me 30% të prodhimit të qumështit për shkak se, ndërsa numri i familjeve bujqësore bie, prodhimi i tyre mund të zëvendësohet pa ndonjë mund të madh nga prodhimi i qumështit e i mishit në ferma të mëdha, në stalla, ku eficienca e prodhimit është më e lartë se sa në familje dhe rritja e prodhimit është krahësimisht më e lehtë.

Bujqësia shqiptare natyrisht që ka pengesa të stërmëdha strukturore, nga fragmentarizimi i pronësisë së tokës te mungesa e titujve të rregjistruar të pronësisë por faktori më me gjasa që ka sjellë këtë situatë, pra rritjen e importeve dhe rënien e prodhimit, duket se është forcimi i monedhës vendëse në tregun e kursit të këmbimit.

Në vitin 2017, euro kushtonte 140 lekë ndërsa në vitin 2019 ra në 120 lekë. Aktualisht euro kushton 98 lekë. Gjasat janë që paratë e pista janë kanalizuar në Shqipëri përmes investimeve në tregun e ndërtimit dhe në prona të patundshme për të shkaktuar forcim anormal të monedhës kombëtare, gjë që i ka bërë importet gjithnjë e më të lira dhe më konkurruese me prodhimin vendës.

Fenomeni në fjalë njihet në ekonomi me emra të ndryshëm. Emri më i përhapur është Sëmundja holandeze. Emra të tjerë janë mallkimi i burimeve apo ethet e arit.

Sëmundja holandeze është një term i krijuar fillimisht nga gazeta britanike The Economist në vitin 1977 për të përshkruar situatën e ekonomisë së Holandës pasi në vitet ’60 atje u zbulua një rezervuar i madh gazi që vijon të shfrytëzohet edhe sot. Eksportet e gazit sollën në ekonominë holandeze një sasi të konsiderueshme të valutës, e cila forcoi monedhën vendëse dhe nxorri jashtë tregu prodhimet tradicionale të Holandës.

Historianët dhe ekonomistët kanë kërkuar shembuj të ngjashëm në vende të ndryshme të botës. Zbulimi i një  vendburimi të madh argjendi në Amerikën Latine në shekullin e 16 nga Spanja solli shumë para të lehta në këtë vend dhe nxorri të paleverdisshme shumë nga prodhimet e tjera. Ndërsa eksportet e naftës nga vende të caktuara, kryesisht në Lindjen e Mesme, bën që ekonomitë e tyre të mos jenë në gjendje të prodhojnë pothuajse asgjë tjetër.

Në këtë kontekst, shqiptarët duket se kanë gjetur thesarin e tyre në formën e parave të lehta të fituara në trafikun ndërkombëtar të drogës. Këto para janë duke vrarë ekonominë e të gjithë pjesës tjetër të vendit, përfshirë shumicën e shqiptarëve, të cilët nuk janë duke shitur drogë./BIRN/

 

Video

Këto janë momentet e arrestimit të një 45-vjeçari pasi sulmoi dy burra hebrenj me thikë në zonën Golders Green, një lagje me komunitet të madh hebre në veri të Londrës. Sipas autoriteteve, sulmi po trajtohet si një akt terrorist dhe hetimet po drejtohen nga njësia kundër terrorizmit. Të plagosurit, të moshave 76 dhe 34 vjeç u dërguan në spital, ku raportohet se ndodhen në gjendje të qëndrueshme. Dëshmitarët thanë se autori ishte parë duke vrapuar në rrugë me thikë dhe duke synuar persona të identifikueshëm si hebrenj. Ai u neutralizua nga policia me Taser dhe më pas u arrestua nën dyshimin për tentativë vrasjeje. Policia Metropolitane deklaroi se i dyshuari kishte edhe një histori të mëparshme dhune dhe probleme të shëndetit mendor. Kryeministri britanik Keir Starmer e dënoi sulmin duke e cilësuar si “plotësisht të tmerrshëm”, ndërsa liderët hebrenj kërkuan masa më të forta sigurie për komunitetin.

Kjo video nga darka zyrtare në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Donald Trump, Zonjën e Parë Melania Trump dhe Mbretin Charles III po bëhet virale në rrjet. Shkak është një moment i sikletshëm gjatë fotos zyrtare, ku Melania duket se i heq dorën Trump, duke nxitur reagime të shumta dhe diskutime për gjuhën e trupit dhe marrëdhënien mes çiftit presidencial.

Një aksident rrugor është regjistruar në aksin Orikum–Vlorë pranë fshatit Tragjas. Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip Volkswagen, i drejtuar nga shtetasi Vladimir Gaba, ka përplasur një tufë me bagëti të imta (dhi) si dhe çobanin, shtetasin Andi Demiraj, rreth 35 vjeç, i cili ndodhej në fund të kopesë. Si pasojë e përplasjes, Demiraj ka pësuar traumë dhe është transportuar me autoambulancë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës për ndihmë mjekësore.

Një aksident rrugor ka ndodhur pasditen e kësaj të mërkure në aksin Tepelenë Krahës, në afërsi të fshatit Iliras. Dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin teksa qarkullonin në anë të kundërt. Nga aksidenti kanë mbetur të lënduar 8 persona, të cilët janë transportuar në spitalin e Gjirokastrës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. “Rreth orës 18:30, në aksin rrugor “Tepelenë–Krahës”, në vendin e quajtur “Iliras”, automjeti me drejtues shtetasin indian Sh. P., 27 vjeç, është përplasur me automjetin me drejtuese shtetasen L. B., 42 vjeçe, banuese në Tiranë. Si pasojë e aksidentit, janë dëmtuar lehtë 2 drejtuesit e automjeteve dhe 6 pasagjerë, të cilët ndodhen në Spitalin Rajonal Gjirokastër, për ndihmë mjekësore. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit“- njofton policia.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme