Tensionet mes SHBA-ve dhe Iranit janë rritur sërish, ndërsa përpjekjet për arritjen e një armëpushimi kanë ngecur pas dështimit të raundit të fundit të bisedimeve.
Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane (CENTCOM) njoftoi se SHBA-të kanë kryer sulme “në vetëmbrojtje” ndaj objektivave iraniane në Ishullin Qeshm, në Ngushticën e Hormuzit. Sipas autoriteteve amerikane, operacioni erdhi si përgjigje ndaj sulmeve të ndërmarra nga Irani në rajonin e Lindjes së Mesme.
Nga ana tjetër, Teherani deklaroi se kishte goditur baza dhe helikopterë amerikanë në një vend të rajonit duke përdorur raketa dhe dronë. Siç shkruan BBC, CENTCOM bëri të ditur se Irani kishte lëshuar dy raketa drejt Kuvajtit dhe tre të tjera drejt Bahreinit, por ato u interceptuan ose u shpërbënë gjatë fluturimit.
Ushtria amerikane tha gjithashtu se kishte neutralizuar tre dronë iranianë të drejtuar drejt anijeve civile që po kalonin në ujërat rajonale.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike paralajmëroi se çdo veprim që cenon sigurinë e Ngushticës së Hormuzit do të ketë pasoja të rënda për SHBA-të.
Ndërkohë, CENTCOM njoftoi se kishte goditur edhe një cisternë nafte me flamur të Botsvanës, e cila po lundronte drejt Iranit. Sipas ushtrisë amerikane, anija nuk iu bind urdhrave të përsëritur të forcave amerikane gjatë një periudhe 24-orëshe. Goditja u krye me një raketë Hellfire që synoi dhomën e motorëve të mjetit lundrues.
Sipas të dhënave të publikuara nga CENTCOM, që nga vendosja e bllokadës detare në Ngushticën e Hormuzit më 13 prill, gjashtë anije tregtare janë nxjerrë jashtë funksionit dhe 122 të tjera janë detyruar të ndryshojnë itinerarin.
Përshkallëzimi i situatës vjen në një kohë kur negociatat për paqe mbeten të bllokuara. Mediat amerikane raportojnë se presidenti Donald Trump ka kërkuar ndryshime në kushtet e një marrëveshjeje të mundshme me Iranin, përfshirë çështjet që lidhen me Ngushticën e Hormuzit, programin bërthamor iranian dhe largimin e uraniumit të pasuruar.
Megjithatë, Teherani ka mohuar se këto propozime kanë qenë pjesë e bisedimeve, duke akuzuar Uashingtonin për ndryshim të vazhdueshëm të qëndrimeve dhe vendosje të kërkesave të reja.
Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi para Kongresit se SHBA-të nuk i kanë ofruar Iranit lehtësim të sanksioneve në këmbim të rihapjes së Ngushticës së Hormuzit, duke theksuar se çdo ndryshim në regjim sanksionesh do të varet nga zhvillimet që lidhen me programin bërthamor iranian.






















