Bota 22 June 2025, 09:29 Nga VNA

SHBA sulmon Iranin, përplasje në arenën ndërkombëtare! Trump feston, Irani kërcënon, OKB paralajmëron katastrofë globale

Ndaje në Whatsapp
SHBA sulmon Iranin, përplasje në arenën ndërkombëtare!

 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj tre prej centraleve kryesore bërthamore të Iranit – Fordow, Natanz dhe Isfahan – duke ndezur alarm ndërkombëtar dhe tensione të forta në Lindjen e Mesme. Presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi operacionin si një “sulm shumë të suksesshëm”, duke shtuar se të gjithë aeroplanët ishin tashmë jashtë hapësirës ajrore iraniane dhe në rrugën e kthimit drejt SHBA-ve. “Ngarkesa e plotë e bombave është hedhur mbi Fordow. Ky është një moment historik për Shtetet e Bashkuara, Izraelin dhe botën”, shkroi ai në rrjetin Truth Social.

Sipas një zyrtari amerikan, në operacion morën pjesë bombarduesit strategjikë B-2. Një ndër objektivat kryesorë ishte Fordow, një kompleks i ndodhur rreth 96 km në jug të Teheranit, në një zonë malore pranë qytetit të shenjtë të Qomit. Objekti nëntokësor përfshin tunele të thella dhe një rrjet kompleks strukturash që strehojnë centrifugat për pasurimin e uraniumit.

Ndërkohë, menjëherë pas sulmit, Izraeli njoftoi se kishte qenë në “koordinim të plotë” me SHBA për ndërhyrjen ndaj infrastrukturës bërthamore iraniane. Kryeministri Benjamin Netanyahu e përshëndeti vendimin e Trump si “të guximshëm” dhe “historik”. “Vendimi juaj për të synuar objektet bërthamore të Iranit do të ndryshojë historinë”, u shpreh ai në një deklaratë video.

Irani reagoi me tone të ashpra, duke e quajtur sulmin “shkelje të rëndë të Kartës së OKB-së, të së drejtës ndërkombëtare dhe Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore”. Ministri i Jashtëm Abbas Araqchi deklaroi se zhvillimet ishin “tronditëse” dhe paralajmëroi se Teherani do të mbrohet ndaj këtij “agresioni të paprecedentë”.

Një tjetër valë sulmesh nisi edhe nga ushtria izraelite, e cila njoftoi se kishte goditur objektiva ushtarake në Iranin perëndimor. Forcat izraelite shtuan se këto sulme ishin një përgjigje ndaj raketave të lëshuara nga Irani në drejtim të territorit izraelit dhe kishin për qëllim neutralizimin e lëshuesve të tyre.

Ndërkohë, Kombet e Bashkuara kanë reaguar me shqetësim të thellë. Sekretari i Përgjithshëm, Antonio Guterres, paralajmëroi për rrezikun e përshkallëzimit të situatës. “Ky është një përshkallëzim i rrezikshëm në një rajon tashmë të brishtë dhe një kërcënim i drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Ekziston një rrezik në rritje që ky konflikt të dalë jashtë kontrollit – me pasoja katastrofike për civilët, rajonin dhe botën”, u shpreh ai.

Reagimet në arenën ndërkombëtare nuk munguan. Një zyrtar i NATO-s deklaroi për Reuters se aleanca “po ndjek nga afër situatën në Lindjen e Mesme”. Ndërkohë, brenda SHBA-ve, vendimi i Trump ka shkaktuar ndasi politike. Senatorë si Lindsey Graham dhe Roger Wicker e përgëzuan presidentin për vendosmërinë, ndërsa të tjerë si Thomas Massie ngritën shqetësime mbi kushtetutshmërinë e ndërhyrjes ushtarake pa miratim të Kongresit.

Në Iran, autoritetet kanë bërë të ditur se kishin evakuuar objektet e goditura pak kohë para sulmeve. Ndërkohë, rebelët Houthi në Jemen, të mbështetur nga Irani, kanë paralajmëruar për pasoja ndaj presidentit Trump, duke theksuar se ai “duhet të mbajë përgjegjësi për atë që ka ndodhur”.

Pas sulmit, Izraeli ka shtuar masat e sigurisë në të gjithë territorin e tij. Janë ndaluar aktivitetet edukative, tubimet publike dhe janë pezulluar aktivitetet e bizneseve që nuk konsiderohen thelbësore. Forcat e Mbrojtjes Izraelite u kanë bërë thirrje qytetarëve të ndjekin me kujdes udhëzimet e publikuara në kanalet zyrtare.

Presidenti Trump, në një fjalim drejtuar kombit, tha se “Irani tani duhet të bëjë paqe”. Ai paralajmëroi se, nëse nuk e bën këtë, “sulmet e ardhshme do të jenë shumë më të mëdha dhe shumë më të lehta për t’u realizuar”.

Dëmet e sakta në terren nuk janë konfirmuar ende, por sipas Trump, të tri objektet – Fordow, Natanz dhe Isfahan – janë “shkatërruar”. Sipas ekspertëve, kjo është ndër ndërhyrjet më të rrezikshme të dekadës së fundit në rajonin e Lindjes së Mesme, me potencial për përshkallëzim të shpejtë drejt një konflikti të gjerë rajonal, madje edhe global.

Video

Se ne nuk kemi hallin e prindërve po të bëjmë çik propagandë para nisjes së shkollës…

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme