Bota 8 May 2024, 08:40 Nga VNA

SHBA, Britania dhe Australia sanksione ndaj hakerit rus Dmitry Khoroshev

Ndaje në Whatsapp
SHBA, Britania dhe Australia sanksione ndaj hakerit rus Dmitry Khoroshev

SHBA- Australia, Britania dhe Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj udhëheqësit rus të bandës së krimit kibernetik “LockBit”, thanë të martën autoritetet britanike dhe amerikane. Dmitry Khoroshev u identifikua si një nga drejtuesit e “LockBit”, një grup kriminal kibernetik që ka vjedhur më shumë se 1 miliard dollarë nga viktimat në katër vitet e fundit. Britania tha se hakeri rus Khoroshev do të përballet me ngrirjen e pasurive dhe ndalim udhëtimi.

"Këto sanksione janë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe tregojnë se nuk ka vend për t'u fshehur për kriminelët kibernetikë si Dmitry Khoroshev, të cilët bëjnë krime të rënda në të gjithë globin", tha përmes një deklarate Graeme Biggar, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Krimit në Britani.

“LockBit” fiton para përmes ndërhyrjeve të paligjshme në sistemet kompjuterike, duke vjedhur të dhëna personale dhe duke kërcënuar viktimat me publikimin e tyre nëse nuk paguajnë një shpërblim. Më shumë se 2500 viktima në mbarë botën kanë qenë në shënjestër të këtyre sulmeve kibernetike, duke përfshirë kompani të mëdha. Khoroshev mori të paktën 100 milionë dollarë në pagesa me kriptomonedhën Bitcoin nga aktiviteti tij me grupin “LockBit”, sipas një padie me 26 akuza të ngritur nga Shtetet e Bashkuara të martën.

Infrastruktura e grupit “LockBit” u shkatërrua nga forcat e zbatimit të ligjit në shkurt në një fushatë nga Agjencia Kombëtare e Krimit në Britani, Departamenti amerikan i Drejtësisë, FBI-ja dhe Europoli. Faqja e këtij grupi u konfiskua nga policia dhe u përdor për të nxjerrë informacione të brendshme rreth grupit dhe operatorëve të tij.

Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se do të ofrojë një shpërblim deri në 10 milionë dollarë për informacione që mund të çojnë në arrestimin e hakerit rus Khoroshev. Shpërblim i ngjashëm është ofruar edhe për idendifikimin ose vendndodhjen e drejtuesve të tjerë të grupit “LockBit”.

“Rusia vazhdon të ofrojë strehim për kriminelët kibernetikë, ku grupet si “LockBit” janë të lira të kryejnë sulme kibernetike ndaj Shteteve të Bashkuara, aleatëve dhe partnerëve të saj”, thuhet në një deklaratë të Departamentit amerikan të Thesarit./ VOA

Video

Një person me flamurin palestinez hyri me vrap në fushën e “Yankee Stadium” gjatë ndeshjes mes New York Yankees dhe New York Mets, më 11 shtator. Incidenti ndodhi në 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit, në një mbrëmje kur në stadium po zhvilloheshin edhe aktivitete përkujtimore. Personi vrapoi në fushë me flamurin palestinez, përpara se të kapej dhe të rrëzohej nga punonjësit e sigurisë. Ai u shoqërua më pas jashtë fushës dhe ndeshja vijoi normalisht. Ngjarja tërhoqi vëmendje të veçantë për shkak të simbolikës së datës dhe ceremonive përkujtimore të zhvilluara atë mbrëmje.

Rama “djeg” Allajbeun dhe i fik dritën jeshile tenderit prej afro 50 milionë eurosh. Pas denoncimeve të VNA, Ministria e Shëndetësisë anulon procedurën për hemodializën në pesë spitale rajonale, ku në garë ishte vetëm “Diaverum AB”. Por “shkundja” nuk ndalet këtu. Nga drejtimi i OSHIS largohet Arisa Cane, e cila kishte punuar më parë në Spitalin Amerikan të Klodian Allajbeut. Kontrata që dukej se po shkonte drejt firmosjes tashmë është ndalur. Çfarë do të ndodhë me tenderin 50-milionë eurosh dhe kush do ta marrë në dorë hemodializën?

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

Kokainë kolumbiane e fshehur në kërcell plastikë trëndafilash, një lulishte fantazmë dhe një vilë në Marathona. Mes të arrestuarve raportohet edhe Lulzim Caka, një emër i njohur i kronikës shqiptare. I dënuar me 25 vite burg, i liruar gabimisht para kohe në vitin 2019 dhe më pas i shpallur në kërkim, Caka rikthehet tashmë në një dosje ndërkombëtare droge. Mbi 110 kilogramë kokainë lidhen me grupin e goditur në Greqi. Si përfundoi një i kërkuar nga drejtësia shqiptare në zemër të kësaj skeme?

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme