
TIRANË- Sektori i prodhimit në vend po shpreson t’i kthehet rritjes nga pika e ulët në të cilën ka rënë. Lufta tregtare me tarifat pritet të shtojë kërkesën brenda Europës. Prodhuesit e këpucës pohuan se tendenca ka nisur, teksa eksporti i zarzavateve në vlerë ishte 61% më i lartë në dy muajt e parë 2025. Sinjalet pozitive nuk janë të mjaftueshme për të nxjerrë prodhimin nga gropa, por shpresat janë shtuar, teksa mekanizma të rinj po zbatohen për të mbijetuar në një treg me pasiguri të larta.
Duke përjashtuar vitin pandemik (2020), eksportet shqiptare shënuan vlerën më të ulët në vitin 2024 në shtatë vitet e fundit. Rënia ishte aq e fortë (-15.4%) një rekord historik që kur nisën të raportohen të dhënat nga INSTAT në vitin 2005.
Ky vit duket më pozitiv. Pas zgjedhjeve në SHBA, situata gjeopolitike ka ndryshuar dhe një erë e re po fryn në tregtinë globale. Vënia e tarifave reciproke me gjasë do të rrisë kërkesën për mallra shqiptare në Europë.
Sinjalet e para u dhanë në dy muajt e parë, kur rënia në sektorin e prodhimit të këpucëve pothuajse u ndal. Dy kompanitë më të mëdha “Fital” dhe “Prodyn”, pohuan se kërkesa është rigjallëruar dhe prodhimi po kthehet për të mbuluar hendekun.
Vitin e kaluar dhe në fillim të këtij viti, shumë njësi prodhuese, kryesisht të vogla dhe të mesme në fushën e tekstilit dhe këpucëve, e mbyllën aktivitetin, duke u zhvendosur në sektorë të tjerë. Kompanitë e prodhimit që kanë mbetur në treg janë kryesisht të mëdha, që kanë kapacitet teknologjik për të përballuar ndryshimet.
Ndërsa në sektorin bujqësor, sidomos nga zarzavatet, eksportet në vlerë në dymujorin e parë 2025 u rritën me 61%, ndërsa në sasi në mbi 70%.
Eksportuesit shqiptarë të perimeve dhe zarzavateve kanë kapur tregjet baltike si Estonia, Lituania dhe Letonia dhe ato të Lindjes në Poloni, Hungari dhe Bullgari, ku këtë sezon është rritur ndjeshëm eksporti i lakrës dhe zarzavateve të tjera.
Industria e materialeve të ndërtimit ka pësuar goditje të fortë nga rënia e Euros, që i ka bërë produktet jokonkurruese në Rajon. Përfaqësuesit e industrisë nuk shikojnë sinjale rikuperimi për shkak se tregu i tyre i vetëm i eksportit është rajoni.
Mineralet dhe lëndët djegëse, kryesisht nafta dhe energjia, e nisën vitin 2025 me rritje të fortë, me rreth 64%. Eksportet e këtij grupi përgjithësisht luhaten në varësi të reshjeve të nevojshme për prodhimin e energjisë dhe prodhimit të “Bankers Petroleum” që është eksportuesi i vetëm i naftës bruto.
Lufta tregtare, si një mundësi
Disa eksportues po e shikojnë “luftën” tregtare me tarifa e kundër-tarifa si një mundësi për rigjallërimin e kërkesës brenda Europës. Alban Zusi, i cili prej vitesh operon në sektorin agroushqimor për eksport, pohoi se ka nisur një pikë kthese në eksportet shqiptare.
Pavarësisht se dobësimi i Euros i ka dërmuar kompanitë e prodhimit që kanë shkurtuar 30% stafet, ka nisur një ringjallje e kërkesës dhe interesit pas shpalljes së tarifave të reja nga SHBA.
Kundërpërgjigja me tarifa nga Europa dhe Azia së bashku me shtrenjtimin e kostove të transportit nga Kina po kthen edhe një herë tregun shqiptar të prodhimit në vëmendje, tha z. Zusi. Për kompanitë që kanë mbetur mund të nisë rritja, por shumë të tjera tashmë kanë falimentuar dhe janë zhvendosur në sektorë të tjerë.
Presidenti amerikan Donald Trump në Uashington ka nisur një kurs tjetër, duke çuar në nivele “jashtëzakonisht të larta” të pasigurisë në lidhje me tregtinë globale. Presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, lajmëroi së fundmi se rritja e tensioneve tregtare, mund të prishë zinxhirët e furnizimit, të rrisë kostot dhe të zbehë rritjen globale.
Tani znj. Lagarde dhe ekonomistë të tjerë në Europë po shikojnë amortizimin e pasojave në integrimin tregtar brenda BE-së. Kthimi i prodhimit në Europë, si në vitin 2021 pas bllokimeve që solli pandemia, do të ndikojë pozitivisht kërkesën për mallra shqiptare.
Tarifat e vendosura nga SHBA për Europën nuk do të ndikojnë shumë në ekonominë tonë. Tregtia e Shqipërisë me SHBA-në zuri 2.1% të volumit tregtar me jashtë vitin e kaluar, duke mbetur e pandryshuar në dekadën e fundit.
Politika tarifore që po ndjek administrata e re në SHBA mund të ndikojë në Shqipëri tërthorazi, sesa nga mallrat që tregtohen drejtpërsëdrejti. Ekspertët e ekonomisë besojnë se lufta tregtare mund të sjellë një valë të re çmimesh në tregjet globale nga të cilat Shqipëria mund të ekspozohet tërësisht.
Zoti Zusi thotë se produktet shqiptare i humbën tregjet vitet e fundit nga rënia e Euros, por lufta tregtare mund të sjellë tarifa dhe çmime të larta, duke i vënë sërish në tregje produktet tona.
Rikthehet kërkesa për veshje dhe këpucë
Kërkesa e jashtme për veshje dhe këpucë shqiptare ka nisur të rigjallërohet. Vitin e kaluar, eksportet e këtij grupi pësuan rënie vjetore me 17%.
Në janar-shkurt 2025, rënia u zbut në rreth 5%. Për këpucët, rënia thuajse ka ndaluar, me vetëm -0.6% në dymujor, teksa prodhuesit pohojnë se ka nisur rritja e kërkesës e për rrjedhojë, rritja e prodhimit në mars.
Tekstilet dhe këpucët përfaqësojnë grupin më të madh të eksporteve me rreth 28% të totalit më 2024.
Skënder Pashaj, nga kompania “Fital”, pohoi se ka një rigjallërim të kërkesës nga jashtë, pas rënies së fortë të dy viteve të fundit. Të njëjtin pohim dha edhe Eva Laro, e cila drejton “ProDyn”, një nga më të mëdhatë në vend.
Znj. Laro e përballoi krizën duke u integruar në zinxhirët e lartë të vlerës, duke prodhuar për kompaninë e luksit “Prada”. Së fundmi, gjatë muajit shkurt, ajo ka siguruar kontrata të reja me “Massimo Dutti”, teksa është rritur sasia e prodhimit për markat “Gant”, “Prada” dhe “Birkenstock” dhe ka prezantuar projekte të reja.
Fabrikat e këpucëve që kanë mbetur në treg po rrisin prodhimin, por ndërkohë po përballen me vështirësi për të rigrumbulluar punonjësit që i patën shkarkuar vitin e kaluar. Zhvillimet në sektorin e turizmit sollën kërkesë më të lartë për punonjës nga hotelet, qiradhënia me Airbnb dhe restorantet, sidomos për pastrim.
Shumë gra që punonin në fabrikat e tekstilit janë integruar në sektorin e shërbimeve. Rikthimi i tyre në punën e vjetër është mision i vështirë, teksa të rinjtë nuk zgjedhin të punojnë në fabrika.
Flori Zekja, nga Shoqata Proeksport, i cili zotëron një fabrikë tekstili, tha se ka një rigjallërim të kërkesës, por sërish prodhimi është në hendek. Eksportuesit janë para presioneve të shumëfishta, me mungesa punonjësish, rritje të kostove dhe për më tepër me mungesë sigurie se si do të jetë ecuria e kursit të këmbimit.
Në dy vitet e kaluara, kërkesa në tregjet ndërkombëtare për veshje dhe këpucë ra, në një kohë që magazinat ishin plot me stoqe nga superprodhimi pas pandemisë.
Edhe pse e vështirë të parashikohet, edhe në kohët më të mira, industria e modës është në një vit të trazuar dhe të pasigurt. Konsumatorët, të prekur nga periudha e fundit e inflacionit të lartë, janë gjithnjë e më të ndjeshëm ndaj çmimeve.
Ekziston gjithashtu riorganizimi i vazhdueshëm i tregtisë globale nga tarifat e reja çka mund të ndikojë si çmimet dhe zinxhirët e furnizimit.
Rriten eksportet e ushqimeve nga kërkesa e jashtme
Pas vështirësive të vitit të kaluar, eksportet e prodhimeve bujqësore, sidomos zarzavateve, u rritën ndjeshëm në këtë fillimvit. Në janar-shkurt, eksportet e zarzavateve arritën në 16 milionë euro nga 9.8 milionë euro që ishin në të njëjtën periudhë të vitit 2024, me rritje 67%.
Mariglen Ziu, i cili kultivon mbi 10 hektarë serra për eksport në zonën e Beratit, tha se këtë vit çmimet e grumbullimit me shumicë kanë qenë shumë më të mira se vitin e kaluar. Ai tha se çmimi mesatar për një kilogram kastravec është 90 lekë dhe asnjëherë nuk kanë rënë më pak se 60 lekë.
Tani ka nisur edhe prodhimi i domates që po shitet me 160 lekë kilogrami, një çmim shumë më i lartë se vjet.
Sezoni i favorshëm me klimë të ngrohtë dhe rritja e kërkesës për lakër shqiptare nga vendet e Lindjes dhe ato Baltike ndikuan pozitivisht tek eksportet e zarzavateve në sasi në dymujorin e parë të 2025.
Klima këtë vit ka favorizuar rendimentin e perimeve dhe zarzavateve të dimrit në fushë. Ruzhdi Koni, eksportues i prodhimeve bujqësore, pohoi se janë rritur shumë eksportet e lakrës përtej rajonit, sidomos në vendet e Lindjes dhe ato Baltike, Bullgari, Poloni, Ukrainë, Moldavi, Letoni, Lituani, Estoni etj.
Zoti Koni tha se ka pasur dy zhvillime pozitive këtë vit, pikërisht për lakrën, kërkesa dhe çmimi u rritën njëkohësisht.
Lakra është baza e kulinarisë në kuzhinën e vendeve të Europës Lindore, mirëpo prodhimi i brendshëm tyre nuk ka qenë optimal, duke ndikuar në rritjen e kërkesës në vende të tjera. Shqipëria ishte favorite.
Ndryshimi i klimës po i nxjerr gjithnjë e më herët prodhimet në treg, duke i bërë konkurruese si në çmime dhe në kërkesë.
Fermerët po përshtaten shpejt me kërkesën e re. Për më tepër kultivimi i lakrës nuk kërkon investim me serra, pasi ajo rritet gjatë dimrit edhe në fushë. Shqipëria po eksporton dy lloje lakrash, për sallatë dhe lakër kokë, që përdoret për gatime të ndryshme.
Lakra me kokë po eksportohet në Serbi, Kroaci, Austri dhe Bosnjë, ndërsa lakra për sallatë po shkon në vendet baltike si Letonia, Estonia dhe Lituania, teksa sasi të konsiderueshme po shkojnë edhe në Moldavi, Ukrainë, Poloni, Bullgari.
Shqipëria është eksportues i madh i perimeve dhe zarzavateve në rajon, ku dominojnë domatet dhe kastravecët e serrave. Sasia më e madhe zarzavateve në shkurt u eksportua në Serbi, me rritje vjetore me 86%; e dyta është Bosnja me 1600 tonë eksporte, me rritje vjetore 23%, e treta Kosova, me 1500 tonë eksporte, me rritje 35%.
Rritja e sasive të eksportit në shkurt ishte veçanërisht e fortë për Bullgarinë dhe Poloninë me 95 dhe 144% secila.
Lushnja, Divjaka, Fieri, Vlora dhe Shkodra ishin prodhuesit më të mëdhenj të lakrës këtë sezon, ndërkohë që më shumë fermerë po zgjerojnë sipërfaqet e mbjella.
Burimet nga tregu pohojnë se ka rritje të prodhimeve organike, pasi kërkesa dhe çmimi për këto produkte është në rritje.
Materialet e ndërtimit në vështirësi, nuk ka sinjale për rikuperim
Materialet e ndërtimit, grupi i tretë më i madh i eksportit në vitin 2024, pas fasonit dhe lëndëve djegëse, po përballet me vështirësi pa shpresë rikuperimi. Vitin e kaluar, eksportet e këtij grupi ranë me 21.7%, ndërsa në dymujorin e parë 2025, rënia u thellua më shumë me 32.4%.
Ilda Bare, e cila drejton fabrikën e prodhimit të tullave në vend, “Kid-Alb”, tha se nënçmimi i Euros i ka shtrenjtuar prodhimet shqiptare duke bërë që të humbasë tregu i rajonit.
Gjithashtu, mbyllja e aktivitetit të Kurum e ka thelluar rënien.
Zonja Bare tha se edhe tregu vendas po konkurrohet nga mallrat e importit, të cilat po vijnë më lirë. Shqipëria ishte furnizues i madh i tregut të Kosovës me çimento, hekur dhe tulla.
Nënçmimi i Euros me gati 20% ndërmjet 2022 dhe 2024 është reflektuar në rritjen e çmimeve të prodhimeve dhe duke u bërë shkak në këtë mënyrë për humbjen e tregjeve.
Alban Zusi tha se kriza e eksporteve prej rënies së Euros i ka detyruar kompanitë të ndryshojnë strategji dhe të përshtaten.
“Një pjesë të tregut të jashtëm e kam zëvendësuar me tregun vendas. Kam prodhuar një fertilizues për bujqësinë që po ecën mirë”, – tha ai. Z. Zusi operon në sektorin e agroindustrisë dhe kur nisi rënia e Euros eksportet në kompanitë e tij kanë pësuar rënie me mbi 40%, ndërsa ka shkurtuar 25% të punonjësve.
Për të mbajtur në këmbë aktivitetin, ai ka investuar në procese teknologjike të reja dhe ka ndërtuar strategji të reja shitjeje.
Ai ka tentuar gjithashtu të gjejë tregje të reja, përfshirë edhe tregun vendas. Z. Zusi pohon se ka nisur një pikë kthese që mund të rezultojë pozitive për prodhimin nëse euro nuk zhvlerësohet më tej.
Lënda e parë autentike, profilizimi i lartë i burimeve njerëzore në disa sektorë nxiti mbylljen e ciklit në disa industri, që nga fasoni, bimët mjekësore dhe blegtoria, si një mënyrë për të përballuar krizën në sektorin e prodhimit.
AM GRUP, një kompani e prodhimit të veshjeve të punës, këtë vit ka mbyllur ciklin e prodhimit, si një përgjigje ndaj ndryshimeve që kanë sjellë rënia e Euros dhe rritja e kostove të brendshme. Kompania i kryen të gjitha proceset e punës vetë, që nga prodhimi i copës, ngjyrosja, qepja dhe gjetja e tregut.
Prodhimi për zinxhirët më të lartë të vlerës po aplikohet nga shumë njësi prodhimi, për të mbajtur të ardhurat nën kontroll.
Disa prodhues po diversifikohen në sektorë të tjerë, sidomos në turizëm dhe disa po investojnë në teknologji për të ulur varësinë nga fuqia punëtore që prej vitesh është problemi më shqetësues i industrisë.
Për të ulur humbjet nga kursi i këmbimit, një pjesë të eksportit po shitet në tregun vendas dhe disa po mbyllin ciklin e prodhimit.
Në dy vitet e fundit, prodhuesit shqiptarë po kalojnë periudhën më të vështirë të dekadës së fundit, ku ndërthurja e shumë faktorëve me ndikim negativ e ka bërë të paqartë perspektivën. Nënçmimi i Euros ka pasur ndikimin më të lartë në përkeqësimin e prodhimit vendas.
Prodhuesit transferohen në shërbime
Të dhënat e fundit mbi ndërmarrjet që i takojnë vitit 2023 tregojnë se 25 biznese me mbi 50 të punësuar e mbyllën aktivitetin.
Në prodhuesit e të mirave më 2023 ishin 725 ndërmarrje, nga 750 që ishin në 2022. Më 2024 pritet tkurrje më tej, pasi një pjesë e eksportuesve nuk mundën të përballonin humbjet që erdhën nga rënia e Euros poshtë nivelit 100 lekë.
Shumë kompani e kanë transferuar aktivitetin në sektorë të tjerë që kanë ecuri më të mirë, si pasuritë të paluajtshme, hoteleri dhe turizëm, shkëmbim valutor etj.
Fabrika e prodhimit të këpucës “Nito” në zonën e Mamurrasit u mbyll vitin e kaluar duke çuar në shtëpi më shumë se 100 punonjës, teksa administratori i saj zoti L. Turku po mendon të nisë gjithçka nga e para në një sektor tjetër.
Ka hapur një aktivitet në sektorin e pasurive të paluajtshme në shitblerje dhe qiradhënie në zonat e turistike. Si ai, me qindra njësi të prodhimit të këpucës u përballën me falimentin, teksa njësitë më të mëdha u përshtatën duke kaluar në segmente me të lartë të prodhimit dhe duke shkurtuar kostot e brendshme nëpërmjet rritjes së produktivitetit.
Më të cenuarit duket se janë punonjësit, të cilët kanë kaluar në mbi 20 vite duke qepur këpucë dhe e kanë të vështirë të përshtaten në sektorë të tjerë. Ekonomia e tregut e gjen rrugën si rrjedha e lumit, pasi bizneset kanë nisur të diversifikohen në sektorë të tjerë.
Pothuajse i gjithë sektori i prodhimit bazuar në eksport është në vështirësi nga zhvillimet në kursin e këmbimit dhe tani bizneset janë duke kanë gjetur zgjidhje në diversifikim brenda sektorit apo edhe duke kaluar në sektorë të tjerë, kryesisht në shërbime.
Prodhimi, themeli i ekonomisë
Prodhimi dhe eksporti janë baza më e qëndrueshme për zhvillimin e një vendi, sado i vogël të jetë në sipërfaqe dhe popullsi. Përvojat kanë treguar se të gjitha vendet me mirëqenie të lartë kanë pasur në themel të zhvillimit të tyre prodhimin dhe eksportet.
P.sh. Gjermania e krijoi pasurinë e saj në bazë të një modeli që nxiti prodhimin në shërbime për industritë zhvilluara në prodhimin e teknologjisë së lartë, makinave, pajisjeve mjekësore, produkteve kimike, energjisë alternative dhe produkteve të tjera të avancuara.
Vende të tjera shfrytëzojnë burimet natyrore, si klimën dhe kapitalin njerëzor për të prodhuar dhe për të shitur jashtë vendit mallra dhe shërbime dhe për t’u pasuruar nëpërmjet tyre.
Estonia një vend ku gjysma e vitit është natë, me popullsi vetëm 1.3 milionë banorë, kishte 16 miliardë euro eksporte në vitin 2021, gati katër herë më shumë se Shqipëria, pasi po zbaton një model të bazuar në zhvillimin e eksportit të produkteve teknologjike që lidhen me shërbimet dixhitale që kanë vlerë të lartë.
Ndërsa ekspertët vendas e konsiderojnë të rrezikshme zhvendosjen e ekonomisë nga prodhimi te shërbimet. Gjatë vitit 2023 dhe 2024 u vu re një prirje e fortë e tkurrjes së sektorit të industrisë dhe prodhimit për shkak të forcimit të monedhës vendase dhe rritjes së kostove të brendshme.
Në anën tjetër, turizmi nxiti më tej industrinë e shërbimeve. Ekonosmitët dhe prodhuesit mendojnë se ekonomia duhet të bazohet te prodhimi vendas.
Tregu i prodhimeve është i qëndrueshëm, me normë shumë të lartë vlerësimi, ndërsa tregu i shërbimeve, edhe për shkak të avancimit teknologjik e shoqëror është i paqëndrueshëm, me norma shumë të larta zhvlerësimi.
Kufizimet gjatë pandemisë në vitin 2020 treguan se vendet e varura nga turizmi pësuan rënie të fortë ekonomike në krahasim me vendet që kishin prodhimin degë kryesore.
Por zhvillimi i turizmit në kurriz të industrisë ka pasoja afatgjata. Ekspertët dhe bizneset e sektorit lajmërojnë se falimenti i njësive të prodhimit jep pasoja zinxhir që nga arsimi, taksat, punësimi, shkatërron industritë mbështetëse dhe rrënon punën 20-vjeçare që ka bërë vendi në krijimin e “Made in Albania”.
Zhvendosja e ekonomisë nga prodhimi tek importi do t’i sjellë vendit pasoja negative afatgjata, thotë z. Zusi, i cili gjithashtu operon në sektorin e agropërpunimit. Ai thotë se falimenti i njësive të prodhimit jep pasoja zinxhir që nga arsimi, taksat, punësimi, shkatërron industritë mbështetëse dhe rrënon punën 20-vjeçare që ka bërë vendi në krijimin
Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, është shprehur se bujqësia shqiptare, edhe pse është sektori më i madh i ekonomisë, është zhvilluar nën potencial.
Kërkesa në rritje për produkte bujqësore dhe blegtorale, aq më tepër që kemi rritje të gjeografisë dhe zgjatje të sezoneve turistike, orienton dobishmërinë e rritjes së mbështetjes së bujqësisë.
Nëse në vitin 2023 erdhën rreth 10 milionë turistë, rritet kërkesa për produktet ushqimore dhe për shërbimet plotësuese./MONITOR