
Kundërshtimet ndaj variantit të shumicës socialiste për reformën e re territoriale po zgjerohen edhe brenda pushtetit vendor. Pas Libohovës, Këlcyrës dhe Klosit, edhe këshillat bashkiakë të Selenicës dhe Divjakës janë pozicionuar kundër propozimit për shkrirjen e bashkive të tyre.
Selenica dhe Divjaka janë mes 15 bashkive që, sipas variantit të propozuar, do të pushojnë së ekzistuari si njësi vendore më vete dhe do t’u bashkohen bashkive më të mëdha fqinje.
Në Selenicë, gjatë një mbledhjeje të jashtëzakonshme, 19 këshilltarë të majtë dhe të djathtë votuan në parim kundër propozimit që parashikon bashkimin e bashkisë me Vlorën.
Të njëjtin qëndrim mban edhe kryebashkiaku socialist Nertil Bellaj. Sipas tij, Selenica duhet të vazhdojë të funksionojë si njësi vendore më vete, pasi bashkimi me Vlorën do të dëmtonte përfaqësimin dhe zhvillimin e zonës.
“Borxhi publik i Bashkisë Selenicë sot është 3.6%, renditemi ndër të parat për diversitetin ekonomik. Nuk kemi varësi nga një sektor, por nga të gjithë sektorët. Ky është qëndrimi im me fakte, nuk është qëndrim politik, nuk është për karrigen time, jam apo nuk jam”, deklaroi Bellaj.
Kundërshtime ka edhe në Divjakë, ku prej 14 ditësh qytetarët protestojnë kundër shkrirjes së bashkisë. Këshilli Bashkiak zhvilloi një mbledhje të posaçme për të diskutuar projektin, ndërsa këshilltarë të majtë dhe të djathtë dolën kundër bashkimit me Lushnjen.
Edhe kryebashkiaku Josif Gorrea konfirmoi se është kundër këtij skenari. Ai foli edhe për takimin e zhvilluar dy ditë më parë në Kuç me kryeministrin Edi Rama, duke thënë se e kishte mbrojtur qëndrimin e tij për ruajtjen e Divjakës si bashki më vete.
“Qëndrimi im ka qenë që ditën e parë i pastër, nuk kam ndryshuar asnjë element nga ajo që kam deklaruar. Edhe në këtë takim e mbrojta fort idenë që duhet të qëndrojë, me argumente të shumta. Pyeta çfarë do të përfitojë fshatari i bashkisë sime nga kjo bashki dhe nuk mora përgjigje”, tha Gorrea.
Këshilli Bashkiak i Divjakës miratoi gjithashtu ngritjen e një komisioni për zhvillimin e dëgjesave me banorët në të gjitha njësitë administrative. Komisioni do të përbëhet nga katër përfaqësues të bashkisë dhe tre të Këshillit Bashkiak.
Edhe në Selenicë pritet të nisë së shpejti procesi i dëgjesave me qytetarët. Në përfundim të tyre, bashkitë pritet të hartojnë dhe miratojnë relacionet me qëndrimet zyrtare për hartën e re territoriale, të cilat do t’i përcillen Kuvendit dhe qeverisë.
Ndërkohë, kundërshtimet janë shtrirë edhe në Rrogozhinë. Mbrëmjen e sotme, banorë të zonës dolën në protestë për të kundërshtuar propozimin për shkrirjen e bashkisë së tyre me Kavajën.






















