
Kundërshtimet ndaj hartës së re territoriale po shtohen edhe brenda radhëve të Partisë Socialiste në Maliq.
Kryetari i PS-së së Maliqit, Ornid Demollari, është pozicionuar publikisht kundër projektit që parashikon shkrirjen e Bashkisë Maliq dhe bashkimin e saj me Korçën. Sipas tij, një ndryshim i tillë do të largonte shërbimet nga qytetarët dhe do të krijonte vështirësi për komunitetin.
Qëndrimi i Demollarit u bë publik pas dëgjesave të zhvilluara në Njësinë Administrative Libonik, ku banorët shprehën kundërshtimin e tyre ndaj bashkimit të Maliqit me Korçën.
Gjatë dëgjesave, banorët akuzuan qeverinë se po merr vendime për të ardhmen e territorit pa konsultuar më parë komunitetet që preken drejtpërdrejt nga ndryshimet e propozuara.
Ndërkohë, Këshilli Bashkiak i Maliqit ka nisur konsultimet me banorët e njësive administrative, ndërsa dëgjesat pritet të vijojnë edhe gjatë ditëve në vazhdim.
Qëndrimi zyrtar i Bashkisë Maliq pritet të miratohet në një mbledhje të posaçme të Këshillit Bashkiak më 20 gusht. Dokumenti do t’i përcillet më pas Kuvendit, ndërsa diskutimet parlamentare për reformën territoriale pritet të rikthehen në muajin tetor.






















