
Ka kaluar një javë nga momenti kur drejtori i Startup Albania, Arjan Ymeri, kundërshtoi të dhënat e publikuara nga VNA për përfituesit e granteve të vitit 2026, por lista zyrtare e fituesve vijon të mos jetë publike.
Më 7 gusht, pas publikimit të investigimit të VNA mbi mënyrën e shpërndarjes së fondeve për start-up-et, Ymeri kontaktoi privatisht redaksinë, duke deklaruar se lista mbi të cilën ishte bazuar shkrimi nuk ishte lista zyrtare e përfituesve.
Sipas sqarimit të tij, procesi për përcaktimin e listës përfundimtare kishte përfunduar më 6 gusht dhe publikimi i saj pritej të bëhej brenda javës.
Por sot është 14 gusht dhe, një javë pas këtij komunikimi, lista zyrtare e përfituesve ende nuk është bërë publike as nga Startup Albania dhe as nga Ministria e Ekonomisë.
Pikërisht publikimi i kësaj liste do të ishte mënyra më e drejtpërdrejtë për të sqaruar pretendimet e ngritura pas investigimit të VNA.
Në shkrimin e publikuar më 7 gusht, VNA raportoi mbi një listë e cila mbante fituesit e startupeve për vitin 2026, dhe e krahasoi me përfituesit e thirrjeve të mëparshme. Nga ky krahasim rezultonte se disa start-up-e dhe projekte shfaqeshin në mënyrë të përsëritur mes përfituesve të fondeve publike, ndërsa disa emra rezultonin fitues në të tre thirrjet e zhvilluara deri më tani 2024-2025-2026.
Pas publikimit, drejtori i Startup Albania e përgënjeshtroi listën e përdorur nga VNA, duke thënë se ishte e sajuar nga një person. Megjithatë, institucioni nuk publikoi një listë alternative zyrtare për të treguar se cilët janë përfituesit realë dhe cilat prej të dhënave të publikuara nuk qëndrojnë.
Situata bëhet edhe më e paqartë për shkak të aktivitetit të zhvilluar më 2 korrik, ku publikisht u prezantuan fitues të thirrjes për start-up-et. Kjo ngre pyetjen se përse, më shumë se një muaj pas këtij aktiviteti dhe një javë pasi drejtuesi i Startup Albania deklaroi se procesi kishte përfunduar, lista përfundimtare vijon të mos jetë e aksesueshme publikisht.
VNA e trajtoi këtë kontradiktë edhe në shkrimin e publikuar më 8 gusht, duke kërkuar transparencë mbi përfituesit dhe procedurën e ndjekur.
Nëse lista e siguruar dhe analizuar nga VNA nuk përmban përfituesit realë, publikimi i listës zyrtare do ta sqaronte menjëherë këtë çështje. Në të kundërt, mungesa e saj e bën të pamundur verifikimin publik të emrave që kanë përfituar nga fondi dhe ngre dyshime për abuzime me to.
Çështja merr rëndësi të veçantë pasi bëhet fjalë për para publike. Fondi i prezantuar për vitin 2026 arrin në 535 milionë lekë dhe, për këtë arsye, transparenca mbi subjektet përfituese, projektet, vlerësimin dhe shumat e financuara është një element thelbësor i llogaridhënies.
Një javë pas përgënjeshtrimit të investigimit të VNA, pikëpyetja mbetet ende pa përgjigje për Arjan Ymerin dhe Delina Ibrahimajn: cilët janë përfituesit zyrtarë të fondeve të Startup Albania për vitin 2026?
Përgjigjja nuk kërkon deklarata të tjera. Kërkon publikimin e listës zyrtare.
























