Ka nisur pasditen e kësaj të diele protesta e 15-të radhazi e qytetarëve në Tiranë, e cila është zhvilluar me pjesëmarrje të qytetarëve që janë mbledhur fillimisht në Sheshin “Skënderbej”.
Më pas, protestuesit kanë marshuar drejt godinës së Kryeministrisë, duke ndjekur itinerarin e zakonshëm të protestave të mëparshme.
Protesta zhvillohet në vijim të mobilizimeve të ditëve të fundit kundër projektit të investimit në zonën e Zvërnecit, si dhe ndaj politikave të qeverisë.
Kërkesat kryesore mbeten dorëheqja e qeverisë, rishikimi i statusit të investitorëve strategjikë, si dhe anulimi i ndryshimeve ligjore që ata i konsiderojnë si cenim të zonave të mbrojtura.
Ashtu si në protestat e mëparshme, pritet që pjesëmarrësit të ndalen para Kryeministrisë, ku do të mbahen fjalime, ndërsa më pas marshimi të vijojë në disa prej rrugëve kryesore të kryeqytetit.






















