
Partia Socialiste nuk ka reflektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese në propozimet e saj për ndryshimin e Rrgullores së Kuvendit. Në draftin e bërë publik, PS konfirmon se 11 komisionet e përhershme parlamentare mbeten në fuqi, por me riorganizim të fushave të përgjegjësisë.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese në 23 Shkurt shfuqizoi ndryshimet e njënashme të mazhorancës në Rregulloren e Kuvendit, mes të cilave ishte edhe mbajtja në fuqi e strukturës së mëparshme të komisioneve që në total ishin 8.
Megjithatë duket se socialistët nuk do ta zbatojnë këtë vendim.
Madje në propozimet e PS është edhe forcimi i rolit të Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, i cili do të merret me peticionet, kontrollin post-legjislativ dhe monitorimin e zbatimit të vendimeve të Kuvendit.
“4. Komisioni përgjegjës për Nismat qytetare, bashkëpunimin dhe mbikëqyrjen institucionale koordinon dhe mbikëqyr zbatimin e Strategjive dhe Planeve të Veprimit të miratuara nga Kuvendi. Në mbyllje të çdo sesioni ai i paraqet Konferencës së Kryetarëve një raport informues mbi këtë proces. Kryetari i Kuvendit nëse e çmon të arsyeshme vendos paraqitjen e tij në seancë plenare.”
Pra pavarësisht kritikave për mënyrën se si po zhvillon kontrollin punëtor-fshatar në gjykatat dhe prokuroritë e vendit dhe refuzimit të SPAK, socialistët kanë menduar që të fuqizojnë akoma komisionin e Fatmir Xhafajt duke ia ngarkuar tashmë me ligj monitorimin për zbatimin e vendimeve të Kuvendit.
Pikë tjetër e draftit është edhe reduktimi i kohës së fjalës së deputetëve nga 10 në 5 minuta gjatë diskutimeve në seancë plenare. Ndryshimi prek disa nene të rregullores dhe synon, sipas propozuesve, rritjen e efikasitetit të debatit parlamentar.
Projektvendimi:
Në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004, “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat si më poshtë vijon:
Neni 1
Pas nenit a/7, shtohet neni a/8 me përmbajtje si më poshtë:
“Neni a/8
Procedura e përshpejtuar e shqyrtimit të projektligjeve që synojnë përafrimin Kuvendi i Republikës së Shqipërisë përfshin menjëherë në programin dhe kalendarin e tij punimeve dhe shqyrton me procedurë të përshpejtuar, projektligjet që synojnë përafrimin e të legjislacionit, marrëveshjet që lidhen me zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe/ose detyrimeve që dalin nga procesi i negociatave të anëtarësimit, me përjashtim të ligjeve të parashikuara në nenin 81, pika 2, të Kushtetutës”.
Në nenin 19 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 1 ndryshon si më poshtë:
Neni 2
“1. Kuvendi miraton në seancë plenare ngritjen e 11 komisioneve të përhershme me emërtesat dhe fushat e përgjegjësisë si më poshtë:
– Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat.
(Çështjet e politikave ekonomike me përqasjen ndaj tregut të përbashkët evropian, Buxhetin e Shtetit dhe mbikëqyrjen e zbatimit të tij, marrëdhëniet e punësimit, lirisë së lëvizjes së punëtorëve, financat publike, privatizimet dhe sistemin bankar.)
– Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike.
(Kodet dhe ligjet duke garantuar përputhshmërinë dhe zbatueshmërinë e tyre me standardin Europian; organizimin e pushtetit gjyqësor dhe raportimin e tij, administratën e pushtetit gjyqësor; administratën publike, institucionet e pavarura në sistemin e drejtësisë.)
– Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes.
(Çështjet e brendshme, të rendit, organizimin e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare e publike, organizimin e Forcave të Armatosura dhe bashkëpunimin ushtarak; çështjet e organizimit dhe funksionimit të pushtetit vendor, emergjencat civile dhe mbrojtja nga fatkeqësitë, shërbimet
sekrete.)
– Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet.
(Çështjet në fushën e arsimit, kërkimit shkencor, inovacionit dhe politikat e zhvillimit të sportit.)
– Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale.
(Çështjet lidhur me politikat shëndetësore, sigurimet shoqërore, familjen, gruan dhe çështjet për mirëqenien sociale.)
-Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm.
(Çështjet në fushën e energjisë, burimeve natyrore dhe biodiversitetit, infrastrukturën, industrinë dhe telekomunikacionin, rregullimin e territorit, tregtinë dhe mbrojtjen e mjedisit dhe
çështjet për zhvillimin e qëndrueshëm.)
– Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik.
(Çështjet në fushën e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, çështjet lidhur me veprimtarinë e mediave audiovizive dhe informimit dhe çështjet për garantimin e lirisë së shprehjes.)
– Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural.
(Çështjet e bujqësisë, blegtorisë dhe peshkimit, çështjet e zhvillimit rural, çështjet e kontrollit dhe garantimit të sigurisë ushqimore, monitorimin e zbatimit të politikave në fushën e bujqësisë
dhe të sigurisë ushqimore.)
– Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën.
(Çështjet e kulturës kombëtare dhe trashëgimisë kulturore; zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm; politikat për ruajtjen e identitetit kulturor e gjuhësor të diasporës dhe të
pjesëmarrjes së saj në proceset politike dhe sociale në vend.)
– Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme.
(Çështjet e integrimit evropian, përafrimi i legjislacionit me legjislacionin e Bashkimit Evropian; mbikëqyrja e zbatimit të angazhimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e StabilizimAsociimit, mbikëqyrja e asistencës financiare të Bashkimit Evropian për Shqipërinë; monitorimi inegociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, politikat e jashtme, marrëdhëniet dhe bashkëpunimi ndërkombëtar, si dhe zbatimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.)
– Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.
(Monitorimi dhe mbikëqyrja e zbatimit të strategjive, rezolutave, vendimeve dhe planeve të veprimit të Kuvendit; shqyrtimi dhe ndjekja e nismave të qytetarëve dhe peticioneve; realizimi dhe koordinimi, mbikëqyrja dhe kontrolli i zbatimit të ligjeve nga ekzekutivi, institucionet dhe agjencitë e pavarura prej tij, përmes koordinimit të procesit parlamentar për kontrollin postlegjislativ (PLS); koordinimi i dialogut dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.)
2. Pas pikës 3 shtohet pika 4 përmbajtje si më poshtë:
“4. Kudo në Rregulloren e Kuvendit emërtesat e komisioneve të përhershme zëvendësohen sipas emërtesës së komisioneve të përhershme në nenin 19, pika 1, të këtij vendimi.”.
Neni 3
Në nenin 20 pika 3 shfuqizohet.
Neni 4
Në nenin 28 pika 2, fjalia e fundit “Projektligji që synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me legjislacionin e Bashkimit Evropian nuk shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar” shfuqizohet.
Neni 5
Në nenin 47 pika 1/1, togfjalëshi “jo më shumë se 10 minuta”, zëvendësohet me togfjalëshin “jo më shumë se 5 minuta”.
Neni 6
Në nenin 48, pika 1, fjalët “jo më shumë se 10 minuta” zëvendësohen me fjalët “jo më shumë se 5 minuta”.
Neni 7
Në nenin 102, bëhet ndryshimi dhe shtesa si më poshtë:
1. Pika 4, ndryshon si më poshtë:
“4. Komisioni përgjegjës për mbikëqyrjen institucionale, në kuadër të funksionit të kontrollit parlamentar ndaj ministrive dhe institucioneve të tjera publike, koordinon dhe ndjek realizimin e procesit të Kontrollit Post- egjislativ të ligjeve të miratuara nga Kuvendi për sa i takon zbatimit dhe efektivitetit të tyre duke bashkëpunuar edhe me komisionet e tjera të përhershme parlamentare brenda fushave përkatëse të tyre të përgjegjësisë.”
2. Pas pikës 4, shtohet pika 5, me përmbajtje si më poshtë:
“5. Në kuadër të këtij procesi komisionet organizojnë seanca dëgjimore publike me anëtarë të Këshillit të Ministrave, përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore ose publike, ekspertë, përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të grupeve të interesit, si dhe grupime të tjera të interesuara.”
Neni 8
Neni 103 ndryshohet si më poshtë:
“Neni 103
Raportimi në Kuvend
1. Konferenca e Kryetarëve, me propozimin e Kryetarit të Kuvendit, vendos në fillim të çdo viti për kalendarin e paraqitjes në Kuvend të raportevé të organeve kushtetuese dhe atyre të krijuara me ligj.
2. Kalendari përmban organin kushtetues dhe atë të krijuar me ligj që do të raportojë, komisionet përgjegjëse për shqyrtim dhe afatin ligjor për depozitimin e raportit në Kuvend. Kuvendi u kërkon zyrtarisht institucioneve të mësipërme dorëzimin e raportit në Kuvend brenda afatit ligjor. Në rastet kur afati ligjor për depozitimin e raportit nuk është i përcaktuar në ligjin organik të institucionit, Konferenca vendos afatin e depozitimit të tij.
Kalendari i paraqitjes së raporteve njoftohet në seancën plenare më të parë, publikohet dhe iu shpërndahet institucioneve.
Në rast se nuk arrihet mirëkuptimi për kalendarin në konferencën e kryetarëve zbatohen përcaktimet e pikës 4, të nenit 27 të rregullores.
3. Raporti i institucioneve, pas paraqitjes, futet menjëherë në programin e punës së Kuvendit dhe shqyrtohet nga komisioni përgjegjës i fushës.
4. Komisioni përgjegjës i fushës organizon seancë dëgjimore për shqyrtimin e raportit dhe në përfundim të diskutimeve harton një projektrezolutë të vlerësimit të punës së institucionit, ose përfshin rekomandime specifike në raportin e komisionit të cilat ja përcjell komisionit përgjegjës
për mbikëqyrjen institucionale.
5. Komisioni për mbikëqyrjen institucionale organizon seancën dëgjimore në të cilën drejtuesi i institucionit raporton për zbatimin e rezolutës së Kuvendit për vitin paraardhës dhe vlerësimin rreth projektrezolutës/rekomandimeve të paraqitura nga komisioni përgjegjës i fushës për vitin në vazhdim.
6. Projektrezoluta e miratuar në mbledhjen e komisionit përgjegjës për mbikëqyrjen institucionale i paraqitet seancës plenare, ndërsa raporti me rekomandime specifike, i përcillet me shkresë institucionit të pavarur përkatës.
7. Komisionet, kur e çmojnë të nevojshme, në varësi të çështjeve të trajtuara në raportin vjetor ose
që dalin gjatë shqyrtimit të tij, mund t’u kërkojnë informacione me shkrim institucioneve të tjera
shtetërore ose institucioneve të pavarura, si dhe/ose t’i ftojnë në seancë dëgjimore organizatat e
shoqërisë civile, që bashkëveprojnë dhe kontribuojnë në fushat që mbulon institucioni i pavarur.
8. Në projektrezolutë komisionet mund të reflektojnë rekomandime bazuar edhe në faktet e mbledhura nga organet e përmendura në pikën 7 të këtij neni.
9. Në seancë plenare lexohet projektrezoluta për vlerësimin e punës së institucionit dhe më pas vijohet me diskutimet në lidhje me të.
10. Një komision i përhershëm, një kryetar grupi parlamentar ose të paktën 10 deputetë kanë të drejtë të kërkojnë me shkrim zhvillimin e debatit. Koha e debatit përcaktohet nga Konferenca е Kryetarëve dhe çdo deputet ka të drejtë të flasë jo më shumë se 5 minuta.
11. Mekanizmi i Monitorimit Periodik dhe Vjetor të Institucioneve, miratohet në seancë plenare. Komisioni përgjegjës për mbikëqyrjen institucionale ndjek në vijimësi zbatimin e tij dhe kur çmohet e nevojshme informon Kuvendin për problematikat e dala.”
Neni 9
Në nenin 103/1 bëhet ndryshimi dhe shtesa si më poshtë:
1. Pika 6, ndryshohet si më poshtë:
“6. Komisionet e përhershme parlamentare sipas fushave përkatëse të përgjegjësisë, mund të thërrasin institucionet kushtetuese të pavarura dhe institucionet e krijuara me ligj, që raportojnë dhe informojnë Kuvendin, për të raportuar dhe për të dhënë informacione për çështje të integrimit evropian, duke u koordinuar paraprakisht me Komisionin për Çështjet Evropianë.”
2. Në fund të pikës 7, shtohet fjalia me këtë përmbajtje:
“Para miratimit kalendari koordinohet me Komisionin përgjegjës për Çështjet Evropianë.”
Neni 10
Në nenin 103/3 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Pika 3, ndryshohet si më poshtë:
“3. Pas miratimit të planit nga Konferenca e Kryetarëve, Kryetari i Kuvendit ia përcjell planin vjetor me afatet kohore të përcaktuara ministrit përgjegjës për Marrëdhëniet me Kuvendin dhe ministrive përgjegjëse.”
2. Në fjalinë e parë të pikës 4, togfjalëshi ” Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme”
ndryshohet me fjalën ” Komisioneve”.
Neni 11
Në nenin 103/4 shtohet pika 4 me përmbajtje si më poshtë:
“4. Komisioni përgjegjës për Nismat qytetare, bashkëpunimin dhe mbikëqyrjen institucionale koordinon dhe mbikëqyr zbatimin e Strategjive dhe Planeve të Veprimit të miratuara nga Kuvendi. Në mbyllje të çdo sesioni ai i paraqet Konferencës së Kryetarëve një raport informues mbi këtë proces. Kryetari i Kuvendit nëse e çmon të arsyeshme vendos paraqitjen e tij në seancë plenare.”
Neni 104 ndryshohet si më poshtë:
Neni 12
“Neni 104
Nismat qytetare dhe peticionet
1. Nismat qytetare dhe peticionet, të cilat i drejtohen Kuvendit, shqyrtohen nga Komisioni përgjegjës për Nismat Qytetare, bashkëpunimin dhe mbikëqyrjen institucionale.
2. Pranohen për shqyrtim nismat dhe peticionet, të cilat janë bërë me shkrim, kanë emrin e dërguesit dhe nënshkrimet përkatëse, janë të kuptueshme dhe tregojnë qartë objektin e tyre.
3. Kërkesat me nisma qytetare dhe peticionet dërgohen nga Kryetari i Kuvendit në Komisionin përgjegjës për Nismat qytetare dhe peticionet. Kryetari i komisionit mund t’ia kthejë nismën ose peticionin dërguesve për rihartim ose t’u kërkojë atyre sqarime shtesë.
4. Jo më vonë se 45 ditë nga data e marrjes së peticionit, Kryetari i komisionit e paraqet kërkesën me nismën ose peticionin në komision, duke propozuar njëkohësisht edhe mënyrën e trajtimit dhe
zgjidhjes ligjore ose mospranimin e tyre. Në rast se komisioni e gjykon të arsyeshme për zgjidhjen
e çështjes, mund të autorizojë kryetarin e komisionit, për të paraqitur një deklaratë në seancën
plenare të Kuvendit. Hapat e ndërmarrë dhe zgjidhja e çështjes së ngritur i njoftohen dërguesve të
nismës ose peticionit.
5. Komisioni përgjegjës mund të vendosë dërgimin e nismës ose peticionit një komisioni tjetër
parlamentar që ka lidhje me objektin e paraqitur në peticion, Këshillit të Ministrave, institucioneve
publike dhe Institucioneve të pavarura përgjegjëse për fushën për veprime të mëtejshme, me qëllim
marrjen e informacioneve. Në përfundim, komisioni jep shpjegime me shkrim, propozon nismë
legjislative ose merr vendim.
6. Kuvendi miraton Mekanizmin e trajtimit dhe shqyrtimit të nismave qytetare dhe peticioneve”.
Neni 13
Në nenin 110, pika 4, fjalia e dytë, fjalët “në përputhje me nenin 48 të kësaj Rregulloreje”,
zëvendësohen me fjalët “në mënyrë përpjesëtimore ndërmjet grupeve, sipas përfaqësimit të tyre
në Kuvend, por në çdo rast jo më shumë se 10 minuta për çdo deputet.”
Neni 111ndryshohet si më poshtë:
Neni 14
“Neni 111
Zgjedhja në organet kushtetuese ose të krijuara me ligj me propozim të institucioneve të
tjera.
1. Për kandidaturat në organet kushtetuese ose të krijuara me ligj, të cilat zgjidhen nga Kuvendi,
me propozim të institucioneve të tjera, me përjashtim të rasteve kur nuk është parashikuar ndryshe
në Kushtetutë ose në ligj, zhvillohet procedura e përzgjedhjes si më poshtë:
a) Sekretari i Përgjithshëm tre muaj përpara përfundimit të mandatit ose menjëherë në rastet e
shkarkimit të anëtarit të organit kushtetues ose të krijuar me ligj njofton me shkrim institucionin
propozues, i cili fillon praktikat për zgjedhjen e anëtarit të ri.
b) Kandidaturat duhet të paraqiten në Kuvend 45 ditë përpara mbarimit të mandatit të anëtarit të
organit dhe jo më vonë se 10 ditë pas shkarkimit të tij.
c) Me paraqitjen e kandidaturave, Kryetari i Kuvendit ia kalon ato menjëherë komisionit
përgjegjës, i cili brenda tre javëve nga marrja e kërkesës organizon seanca dëgjimore publike me
secilin kandidat dhe vendos nëse kandidaturat i plotësojnë kriteret kushtetuese, ligjore dhe meritën.
ç) Në rastin kur ka mangësi në dokumentacion për kandidaturën, komisioni i kërkon zyrtarisht
institucionit propozues për plotësimin e tij. Në rastin kur kandidatura nuk plotëson kriteret ligjore
të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj, komisioni i kërkon Kryetarit të Kuvendit të njoftojë
institucionin propozues. Procedura e shqyrtimit në Kuvend vazhdon me paraqitjen e kandidaturës
së re nga institucioni propozues.
2. Kuvendi shqyrton propozimin dhe kryen votimin për kandidatët në seancë plenare brenda një
jave nga paraqitja e raportit të komisionit përkatës.
3. Kur asnjë nga kandidatët nuk merr shumicën e kërkuar të votave, Kuvendi njofton institucionin
propozues. Procedura fillon me kandidatura të tjera nga e para, sipas përcaktimeve të bëra në këtë
nen, me përjashtim të rasteve kur është parashikuar ndryshe.
Neni 15
Pas nenit 111, shtohet neni 111/1 me përmbajtje si më poshtë:
“Neni 111/1
Zgjedhja në organet kushtetuese ose të krijuara me ligj me propozim të një grupi
deputetësh.
1. Për kandidaturat në organet kushtetuese ose të krijuara me ligj, të cilat zgjidhen nga Kuvendi,
me propozim të një grupi deputetësh, me përjashtim të rasteve kur nuk është parashikuar ndryshe
në Kushtetutë ose në ligj, zhvillohet procedura e përzgjedhjes si më poshtë:
a) Komisioni përgjegjës, tre muaj përpara mbarimit të mandatit të anëtarit të organit kushtetues ose të krijuar me ligj vendos shpalljen dhe publikimin e vakancës në faqen zyrtare të Kuvendit. Afati për paraqitjen e kandidaturave është 20 ditë nga publikimi i vendimit.
b) Në përfundim të afatit të përcaktuar në shpallje, komisioni përgjegjës u bën të njohur anëtarëve të Kuvendit listën me kandidaturat e vetëofruara si dhe brenda 5 ditëve nga dërgimi i listës, organizon dëgjesën e hapur publike në mjediset e Kuvendit, ku njoftohen të marrin pjesë të gjithë anëtarët e tij.
Lista me kandidatët e vetëofruar bëhet publike në faqen zyrtare të Kuvendit.
c) Brenda tre javëve nga dëgjesa publike, të paktën 28 deputetë përzgjedhin kandidatin, që do të mbështesin për t’ia propozuar Kuvendit, sipas cilësive profesionale dhe performancës gjatë
prezantimit.
ç) Mbështetja me nënshkrimet e të paktën 28 deputetëve depozitohet zyrtarisht në protokollin e Kuvendit. Kryetari i Kuvendit ia kalon ato menjëherë komisionit përgjegjës, i cili brenda tre javëve nga marrja e kërkesës vendos nëse kandidaturat i plotësojnë kriteret kushtetuese, ligjore dhe
meritën.
2. Kuvendi shqyrton propozimin dhe kryen votimin për kandidatët në seancë plenare brenda një jave nga paraqitja e raportit të komisionit përkatës.
3. Kur asnjë nga kandidatët nuk merr shumicën e kërkuar të votave, Kuvendi rishpall vakancën, sipas përcaktimeve të bëra në këtë nen, me përjashtim të rasteve kur është parashikuar ndryshe.
Neni 16
Në nenin 115 pika 1, ndryshohet si më poshtë:
“1. Kërkesa për shkarkimin e anëtarëve i paraqitet Kryetarit të Kuvendit me shkrim dhe në mënyrë të motivuar e konkrete për shkaqet e parashikuara në ligj, nga jo më pak se 28 deputetë, me përjashtim të rasteve kur është parashikuar ndryshe.”






















