Politika 4 December 2025, 16:53 Nga VNA

PD si trofe i familjes Berisha: Rebelë të rinj dhe armiq të vjetër

Ndaje në Whatsapp

PD si trofe i familjes Berisha: Rebelë të rinj dhe armiq të

Skermitjet Sali Berishës ditët e fundit më shumë se frikën e tij tregojnë telendisjen e PD që, për ironi të fatit, po kap 34-vjetorin e krijimit me shfaqjen e një grupi të ri armiqësor. Me komoditetin që të jep shpallja armike rreth dy dekada më parë, mund ta them me bindje të plotë se kur sheh doktorin të telendisur nga Salianji i Lulit, nuk mund të mos ndjesh pak kënaqësi djallëzore që PD ka mbërritur në pikën ku Sali Berishën e sfidojnë talentet e Lul Bashës. Dhe kjo nuk është më e keqja para makthit real që ai vuan dhe nuk e kontrollon dot: hallin se, përpara kuotave më të ulëta të PD dhe moshës që e ka dhuratë nga Zoti, mos i marrin partinë. I zhgënjyer thellë nga i përzgjedhuri “bir për shpirt”, Lulzim Basha, tek i cili kishte besim se ky i fundit nuk do të bënte atëvrasje, ky makth tashmë i ngjallet përsëri përpara syve.

Salianji, Alimehmeti dhe një dyzinë njerëzish të nëpërkëmbur — edhe pse kanë kontribuar për ringritjen e tij gjatë dy viteve të fundit — nuk kanë më ç’të humbasin, përveç fytyrës. Në fakt, as nuk kanë bërë ndonjë akt të madh politik, përveç ngritjes së shqetësimit se partia e tyre e rrudhosur mbahet me thonj nga Sali Berisha, si një trofé çudibërës për hallet e mëdha të vetë Berishës. Mesa duket ky shqetësim bashkëndahet tashmë nga një shumicë dërrmuese e militantëve që ende besojnë tek PD.

Sali Berisha sot është i dobët, i pafuqishëm të motivojë njerëz me logjikë normale edhe përballë skandaleve të njëpasnjëshme të qeverisë. Ai ka përfunduar duke u endur rrugëve të Tiranës me një dyzinë njerëzish dhe me një foltore që, më shumë se për ta, duket se flet me vete. Ata që e ndjekin pas janë punonjës partisë, rrogëtarë të Shkëlzen Berishës, deputetë oturakmbajtës ose nga ata që presin që Zoti ta marrë pranë vetes liderin suprem.

Por Sali Berisha nuk mund t’i kënaqë këta të fundit edhe pse ua lexon mendjen më mirë se ata njohin veten. Madje ky është meraku i tij i vetëm. Kujt t’ia lërë PD-në? Asnjë nga ata që ka afër nuk është i zoti të drejtojë asnjë grupseksion. Sali Berisha më mirë se kushdo e di që kryesia e tij është një stan me lepuj që do shndërrohen në çakej për të shqyer çdo llokëm të mbetur nga ajo parti ditën që ai nuk do shkelë më në PD. E njëjta vlen edhe për grupin parlamentar. Ndaj instinkti i tij tribal e kthen si gjithmonë tek familja biologjike. Atje ku ai ka gjetur zgjidhjen në momentet më të vështira politike dhe jo vetëm. Që prej qershorit 2021, kur ai u shpall non grata, beteja e vetme e Sali Berishës ka qenë shpëtimi për familjen e tij biologjike. 4 vjet më pas, të vetmit që nuk kanë pësuar asnjë dëm nga “narkoregjimi” janë Argita dhe Shkëlzen Berisha. Edhe përpjekjet gjysmake të SPAK nuk e prekën familjen biologjike të ish-kryeministrit, që sot mbretëron e lumtur në milionat e pasurisë. Për shtimin e të cilave u kujdes pa dyshim dhe Edi Rama. Me këtë proces pasurimi financiar familjar dhe rrënimi politik të PD, Sali Berisha ja doli ta tkurre PD, të shpallë armiq të rinj, disa prej të cilëve duhet të bëhen gati të mbajnë mbi shpinë llumin e trushkulurve të armates berishiste. Por për këtë le të shqetësohen ata vetë. Tashmë PD është një germadhë me uturakmbajtës dhe skutha me taka e kostume që nuk dinë nga t’ja mbajnë. Jo se janë të dyzuar mes grupimit të ri që po rebelohet dhe Sali Berishës. Nuk duhet shumë për të kuptuar se ajo është partia e Sali Berishës. Askush në të gjallë të tij nuk mund ta marrë dot. Madje as me forcë. Edi Rama nuk do ta lejonte kurrë as këtë për sa kohë në të gjallë i duhet Sali Berisha më shumë edhe se Belinda Balluku.

PD është e Sali Berishës dhe si e tillë i takon atij t’ja lërë trashëgimni familjes së tij. Me gjasë trashëgimia lihet brenda shtëpisë. Por edhe këtu ai ka një paranojë dhe bashkë me të, një dilemë: djalit apo vajzës? Zgjidhja e parë, natyrale, do të ishte djali, qoftë edhe për logjikën e salloneve imperiale që Shkëlzeni e ka adoptuar si zengjinet e rinj. E megjithatë Sali Berisha është më i mençur se kaq dhe e di se instinktet tregtare mund ta shndërrojnë PD në një mall që shitet në real estate nga i biri. Gjë që për të do të ishte e papranueshme sepse PD është kulla që do trashëgohet në breza. Ndaj për Sali Berishën Argita është varianti më besnik për të lënë PD me duar të sigurta. Edhe për Edi Ramën do të ishte më e thjeshtë të negocionte me një grua se me një pazarxhi. Në këto kushte të gjitha grupet e reja (apo të vjetra) armiqësore që duan të reformojnë PD-në brenda godinës me liderin historik bëjnë mirë të ndryshojnë kurs e të nisin të shohin nga familja. Jo e tyrja, por e Berishajve.

Video

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

Një vizitor i pazakontë shkaktoi panik dhe habi në një aeroport të Nju Jorkut, pasi një rakun ra papritur nga tavani i terminalit mbi udhëtarët. Ende mbetet mister se si kafsha përfundoi mbi tavan dhe çfarë po bënte aty. Pas “uljes së detyruar”, rakuni u largua me shpejtësi, duke lënë pas pasagjerë të trembur dhe një episod sa të pazakontë, aq edhe komik. Pamjet janë regjistruar në nëntor 2024, por së fundmi janë bërë virale në rrjetet sociale.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme