Gjykata Kushtetuese, mesa duket, e mbylli vitin 2025 me një deklaratë publike, përmes së cilës ftonte “të gjithë aktorët dhe personat e përfshirë në këtë diskutim publik që të tregohen të matur dhe të kujdesshëm në deklaratat e tyre, duke mos përgojuar gjyqtarë individualë apo institucionin e Gjykatës Kushtetuese në tërësi.” Për këtë Gjykatë, ashtu si për të gjithë sistemin e drejtësisë, viti që po lëmë pas ka qenë një vit tensionesh, provash dhe sfidash të akumuluara. Mes këtyre sfidave të jashtme të konsolidimit institucional, disa faktor tëbrendshëm destabilizues i shtuan edhe vetë, lidhur me perceptimin publik të sjelljes së disa prej anëtarëve të saj për mandatet. Në këtë shtjellë sociale, Gjykata ka shqyrtuar çështje me ndjeshmëri të lartë kushtetuese dhe politike, ndërsa të tjera, ndoshta edhe më të rënda në pasojat e tyre, e presin përgjatë vitit 2026.
Në parim, një institucion drejtësie nuk duhet të flasë përmes deklaratave për shtyp, por përmes vendimeve të arsyetuara. Megjithatë, përballë sulmeve të vazhdueshme, shpesh të papërmbajtura dhe të papërgjegjshme, të ardhura nga aktorë politikë, reagimi publik mund të konsiderohet i justifikuar edhe në këtë formë. Por kjo zgjedhje nuk është pa rrezik. Ajo e ekspozon Gjykatën Kushtetuese ndaj përfshirjes në vorbullën e debatit politik ditor, duke cenuar jo vetëm neutralitetin real, por edhe perceptimin e saj si një institucion mbi palët, i thirrur për të zgjidhur konfliktet politike dhe shoqërore përmes vendimeve përfundimtare dhe gjerësisht të pranueshme.
Deklarata për shtyp i referohet qartazi zhvillimeve rreth çështjes Balluku. Është e vërtetë se disa figura politike, si Berisha dhe Bardhi, kanë shkuar deri aty sa të etiketojnë publikisht, me emër dhe mbiemër, anëtarë individualë të Gjykatës Kushtetuese, duke i akuzuar për shkelje të betimit kushtetues mbi paanësinë dhe pavarësinë. Këto akuza, të formuluara jashtë çdo ndjenje përgjegjësie shtetërore, do të kishin kuptim vetëm nëse do të shoqëroheshin me veprime konkrete juridike. Siç kemi theksuar edhe më herët, nëse këta aktorë do të ishin seriozë në pretendimet e tyre, kallëzimi penal në SPAK do të duhej të ishte tashmë një fakt i kryer. Heshtja e deritanishme tregon se edhe këtë herë kemi të bëjmë më shumë me retorikë politike sesa me përgjegjësi institucionale. Edhe kundërreagimi i Gazmend Bardhit ndaj deklaratës së Gjykatës Kushtetuese, ku përsëritet se “përmes pengmarrjes së disa anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Edi Rama po tenton të pengojë drejtësinë dhe të marrë në mbrojtje korrupsionin qeveritar”, mbetet në të njëjtin regjistër politik.
Në të vërtetë, nëse Gjykata Kushtetuese synon të mos bjerë në kurthin banal të politikës shqiptare dhe të mos detyrohet që pas çdo vendimi të shoqërojë arsyetimin juridik me deklarata shtypi, do të ishte e udhës që deklarata e sotme të adresonte, së paku, edhe sulmet publike të drejtpërdrejta që për ditë me radhë i janë drejtuar asaj nga vetë Kryeministri. Për shumëkënd, përkoi si paradoks fakti që edhe vendimi i ndërmjetëm për pezullimin e GJKKO-së dhe rikthimin në detyrë të Ballukut u lexua në publik si i përputhur me sugjerimet e bëra më herët nga Rama. Duhet thënë qartë: palët e interesuara, veçanërisht në çështje me peshë të lartë politike, do të përpiqen gjithnjë të polarizojnë artificialisht opinionin publik, të krijojnë pritshmëri pa bazë dhe konflikte të sajuara, pa u shqetësuar për dëmet që këto sjellin në rendin kushtetuesdhe autoritetin e institucioneve. Por nëse kishte një moment që kërkonte reagim institucional, ai ishte pikërisht sulmi verbal i ardhur jo nga një aktor periferik politik, por nga kreu i pushtetit ekzekutiv.
Sigurisht, siç thekson edhe vetë Gjykata Kushtetuese, “bëhet fjalë për një procedurë gjyqësore kushtetuese në vijim e sipër dhe se, në datën 22.01.2026, do të marrë në shqyrtim në seancë plenare publike”. Fjala e fundit, pra, ende nuk është thënë. Por po aq e qartë është se presionet politike, si nga mazhoranca ashtu edhe nga opozita, do të intensifikohen. Kjo ndodh në një kontekst ku të dyja palët janë nën ankthin e shtuar të hetimeve të SPAK-ut që iu adresohet atyre. Në këtë prizëm, sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese nuk janë të rastësishme: zgjidhje të përkohëshme të anktheve të tyre, mund t’i gjejnë vetëm prej saj duke e tërhequr në këtë konflikt institucional. E shkuara ka treguar që në ndonjë rast ia kanë arritur.
Pikërisht për këtë arsye, Gjykata Kushtetuese duhet ta shqyrtojë çështjen në një mënyrë të tillë që publiku të kuptojë qartë pozitat e palëve, standardet kushtetuese të zbatueshme, nenet e Kushtetutës që pretendohet se janë shkelur, si dhe pasojat konkrete të secilit skenar vendimmarrës. Nuk bëhet fjalë thjesht për vijimin në detyrë të ndonjë ministri a kryeministri, për bllokimin apo vijimin e ndonjë projektiqeveritar, apo për një fitore të radhës të një institucioni kundrejt një tjetri. Në lojë është stabiliteti dhe orientimiinstitucional i vendit për dekadat përpara. Rrallëherë një gjykate kushtetuese i bie barra të marrë vendime kaq të ngarkuara njëkohësisht me peshë juridike, politike dhe historike.
Në këtë kontekst, Gjykata Kushtetuese dhe anëtarët e saj duhet të jenë plotësisht të vetëdijshëm se çdo akt, çdo vendim, çdo arsyetim dhe çdo shprehje do të analizohet, filtrohet dhe shpesh do të keqinterpretohet nga një mjedis mediatik jo gjithmonë dashamirës dhe shpesh klientelist ndaj politikës. Çdo devijim nga aksi kushtetues, nga etika institucionale dhe nga interesi publik si vlerë themelore, do të demaskohet shpejt, do të bëhet publik e ndoshta edhe do të paraqitet si i ndërtuar mbi narrativa për “anëtarë të kapur”, për “lëkundje të papritura” apo për “lidhje të padukshme me pushtetin”. Nëse këto narrativa nuk do të ekzistonin, ato do të sajoheshin. Një gjë është e sigurt: Gjykata Kushtetuese është nën vëzhgim, nëplot kuptimin e fjalës.
Në rrethana të tilla ekziston vetëm një rrugëdalje: shërbimi i pakompromis ndaj Kushtetutës dhe ndaj ndjenjës së drejtësisë. Kjo ndjenjë, ndoshta e vetmja që publiku shqiptar e ka realisht të mprehur, funksionon edhe pa njohjen dhe leximin teknik të neneve të kushtetues. Pikërisht kjo është sfida reale e Gjykatës Kushtetuese, ashtu siç e pranon edhe vetë ajo kur “i bën thirrje të gjithë aktorëve për respektimin e integritetit dhe autoritetit të saj, me qëllim sigurimin e besimit të publikut dhe garantimin e pavarësisë së vendimmarrjeve gjyqësore, të cilat në asnjë rrethanë nuk duhet të ndikohen nga çdo keqinformim për publikun, nga cilido subjekt të vijë ai”.
Kështu, viti mbyllet me këtë deklaratë: një akt i domosdoshëm, por njëkohësisht i mangët dhe ndoshta i vonuar. Megjithatë, ajo mund të shërbejë si shenjë e një qasjeje të re të Gjykatës përballë sfidave që e presin. Viti 2026 do ta vërë shumë shpejt në provë. Më 22 janar. Atë ditë po presin të gjithë. Atëherë do t’i duhet t’i kundërvihet politikëssë pandershme, të përballojë presionet dhe të mbrojë autoritetin e saj. Atëherë do t’i duhet t’i flasë, jo së tashmes politike, por së ardhmes së Shqipërisë.






















