Ilir Alimehmeti arriti të shpjegojë me shumë qetësi një nga mrekullitë më të mëdha politike shqiptare: si mund të quhet “garë” një proces ku ka vetëm një kandidat dhe fituesi dihet para se të hapet kutia.
“Një garë me më shumë se një kandidat do kishte qenë interesante”, tha ai në intervistën për News24, ku shpjegoi se kjo situatë në PD është thjesht një “rikonfirmim”.
Pra në PD nuk bëhen zgjedhje, bëhen ceremoni konfirmimi. Pak a shumë si rinovimi i patentës: paraqitesh, firmos dhe del sërish kryetar.
Alimehmeti tha se gara do kishte qenë interesante po të kishte kandidatë të tjerë, por nga ana tjetër shpjegoi se Salianji nuk plotësoi kriteret. Cilat janë kriteret? Këtë nuk e kupton askush shumë qartë, por mesa duket kriteri kryesor është të mos krijosh idenë se mund të ketë realisht garë.
Ai gjithashtu sqaroi se nuk ka ambicie për të drejtuar PD-në, sepse objektivi i tij është Tirana. Dhe këtu ironia bëhet perfekte.
Sepse vetëm dy vite më parë, në primaret që supozohej të ishin modeli “amerikan” i demokracisë brenda partisë, shumë demokratë besojnë se loja u manipulua pikërisht në kurriz të tij. Në fund fitoi Belind Këlliçi, ndërsa Alimehmeti mbeti kandidati që duhej të humbiste me elegancë dhe pa zhurmë.
Por ndoshta këtë herë ka shpresë. Ndoshta Alimehmeti mendon se në 2027 mund të ketë më në fund një garë të ndershme. Ose ndoshta në PD vazhdon të ekzistojë ai optimizmi romantik që demokratët e ruajnë prej vitesh: bindja se herën tjetër arbitri nuk do jetë i njëjti.
Në fund, mesazhi ishte shumë i qartë: gara është e bukur, pluralizmi është interesant, konkurrenca është e shëndetshme… por vetëm teorikisht. Praktikisht, partia funksionon më qetë kur të gjithë bien dakord paraprakisht se kush do fitojë.






















