
Cenimi i të drejtës për proces gjyqësor të rregullt dhe pronën, janë shkaqet kryesore që penalizojnë shtetin shqiptar nga Gjykata e Strasburgut (2015-2024). Sipas të dhënave të Open Data Albania, për periudhën 2015 – 2024, shteti shqiptar ka njohur detyrime financiare rreth 39.3 milionë euro, ose rreth 3.8 miliardë lekë, në formë dëmshpërblimesh të urdhëruara nga Gjykata e Strasburgut.
Këto detyrime rrjedhin nga 103 vendime ku është konstatuar përgjegjësi shtetërore dhe nevoja për kompensim financiar.
Shkeljet më të shpeshta lidhen me cenimin e të drejtës për një proces të rregullt gjyqësor dhe të drejtës për pronën.
Në total, nga 102 vendime me detyrim financiar, në 62 raste Gjykata ka konstatuar shkelje të një ose më shumë të drejtave të garantuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ndërkohë, 25 çështje janë mbyllur me marrëveshje miqësore midis palëve ose me deklaratë të njëanshme nga Qeveria Shqiptare. Këto vendime konsiderohen nga Gjykata si forma alternative për të adresuar shkeljet pa vazhduar procesin gjyqësor.
Analiza e vendimeve me konstatim shkelje për periudhën 2015 – 2024 tregon se 43.8% e tyre përfshijnë shkelje të nenit 6 §1, i cili garanton të drejtën për një proces të rregullt gjyqësor. Këto raste lidhen kryesisht me zvarritje të proceseve, mungesë aksesi në gjykatë, si dhe moszbatim të vendimeve të formës së prerë.
Analiza
Open Data Albania po analizon detyrimet financiare të shtetit shqiptar që rrjedhin nga vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) në Strasburg, për periudhën 2015 – 2024. Të dhënat mbi këto vendime janë marrë nga Qendra e Botimeve Zyrtare (QBZ), ku vendimet e GJEDNJ-së publikohen në bazë të nenit 19, pika 2, të Ligjit nr. 10 018/2008; faqja zyrtare e Avokaturës së Shtetit, e cila ndjek dhe raporton rastet ndaj Shqipërisë; si dhe portali i Gjykatës së Strasburgut, ku janë të aksesueshme vendimet e plota për çdo çështje të trajtuar.
Për periudhën 2015 – 2024, shteti shqiptar ka njohur detyrime financiare rreth 39.3 milionë euro, ose rreth 3.8 miliardë lekë, në formë dëmshpërblimesh të urdhëruara nga Gjykata e Strasburgut. Këto detyrime rrjedhin nga 103 vendime ku është konstatuar përgjegjësi shtetërore dhe nevoja për kompensim financiar. Shkeljet më të shpeshta lidhen me cenimin e të drejtës për një proces të rregullt gjyqësor dhe të drejtës për pronën.
Viti me barrën më të lartë financiare është ai 2016, me 12 vendime që përfshijnë pagesa kompensimi në një shumë totale prej 18.2 milionë euro (2.3 miliardë lekë). Më tej viti 2018 renditet i dyti me një vlerë detyrimi prej 13.5 milionë euro.
Ndërkohë, viti 2024 rezulton me numrin më të madh të vendimeve që rezultojnë me detyrim kompensim financiar, konkretisht 26 vendime.
Pavarësisht vlerave të njohura, një pjesë e konsiderueshme e këtyre detyrimeve vijon të mbetet e palikuiduar. Sipas raportit të buxhetit faktit 2024, vlera e faturës së detyrimeve të pa paguara nga vendimet e Gjykatës së Strasburgut arrin në rreth 18 milionë euro, çka përbën një rrezik të vazhdueshëm për stabilitetin fiskal dhe një tregues i ngadalësisë së zbatimit të vendimeve nga autoritetet shqiptare.
Çështja me detyrimin më të lartë financiar për shtetin shqiptar rezulton rasti “Sharxhi dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, me vendim të dhënë më 28 maj 2018. Çështja lidhet me prishjen e kompleksit rezidencial “Rezidenca Jon” në Vlorë, ku Gjykata konstatoi se autoritetet shqiptare kishin vepruar në mungesë të një vendimi formal dhe në kundërshtim me vendimet gjyqësore të formës së prerë, duke cenuar të drejtën për pronë (neni 1 i Protokollit nr. 1), jetën private (neni 8) dhe duke mos ofruar mjete juridike efektive (neni 13). Vendimi ngarkon shtetin shqiptar me një detyrim prej 13.4 milionë euro, i cili sipas të dhënave të raportit të mesvitit 2025 vijon të mbetet i papaguar.
Një tjetër çështje me barrë të konsiderueshme financiare është ajo “Rista dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, me vendim të dhënë më 17 mars 2016. Çështja përfshin shtatë ankesa të paraqitura nga 57 shtetas për moszbatimin e vendimeve vendase që urdhëronin kompensim për prona të konfiskuara gjatë periudhës komuniste. Gjykata konstatoi shkelje të nenit 6 §1 për moszbatim të vendimeve gjyqësore, të nenit 13 për mungesë mjetesh efektive dhe të nenit 1 të Protokollit nr. 1 për cenim të së drejtës për pronë. Shteti shqiptar u urdhërua të paguajë një shumë totale prej mbi 10.7 milionë euro. Nga kjo shumë, 6.3 milionë euro janë paguar në dhjetor 2016, ndërsa rreth 4.4 milionë euro mbeten detyrim i njohur, ende i pa ekzekutuar.
Në vend të tretë për vlerën e dëmshpërblimit renditet çështja “Karagjozi dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, me vendim të dhënë më 7 prill 2016. Rasti lidhet me moszbatimin për shumë vite të vendimit të formës së prerë të Komisionit për Kompensimin e Pronave, që i njihte ankuesve të drejta mbi një sipërfaqe prej 640,000 m². Gjykata konfirmoi se autoritetet shqiptare nuk kishin ofruar një mekanizëm funksional për kompensim dhe kishin shkelur të drejtën për një proces të rregullt (neni 6 §1), të drejtën për pronën (neni 1 i Protokollit nr. 1) dhe të drejtën për mjete efektive (neni 13). Detyrimi i përcaktuar nga GJEDNJ për këtë çështje është 5.9 milionë euro.
Këto tre çështje përbëjnë së bashku rreth 76.4% të totalit të detyrimeve financiare të njohura për periudhën e analizuar.
Renditjen e çështjeve me barrë më të lartë financiare e vijon “Sharra dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, me një detyrim në shumën 3.88 milionë euro, i lidhur me moszbatimin e vendimeve vendase për kompensim të pronave dhe shkelje të të drejtës për pronë, proces të rregullt dhe mjete juridike efektive. Pas saj vjen çështja “Siliqi dhe të tjerë”, ku shteti është urdhëruar të paguajë 1.5 milionë euro si dëmshpërblim për mosrespektim të vendimeve të formës së prerë për kompensim pronësor. Çështja “Valio Shipping Company”, me një detyrim prej rreth 1.2 milionë euro, lidhet me shkeljen e të drejtës për pronën dhe trajtimin diskriminues të ankuesit në një proces gjyqësor për kthimin e pasurisë. Kjo e fundit mbyll listën e çështjeve ku Gjykata ka urdhëruar kompensim financiar mbi 1 milion euro, për periudhën 2015 – 2024.
Në total, nga 102 vendime me detyrim financiar, në 62 raste Gjykata ka konstatuar shkelje të një ose më shumë të drejtave të garantuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ndërkohë, 25 çështje janë mbyllur me marrëveshje miqësore midis palëve ose me deklaratë të njëanshme nga Qeveria Shqiptare. Këto vendime konsiderohen nga Gjykata si forma alternative për të adresuar shkeljet pa vazhduar procesin gjyqësor.
Analiza e vendimeve me konstatim shkelje për periudhën 2015 – 2024 tregon se 43.8% e tyre përfshijnë shkelje të nenit 6 §1, i cili garanton të drejtën për një proces të rregullt gjyqësor. Këto raste lidhen kryesisht me zvarritje të proceseve, mungesë aksesi në gjykatë, si dhe moszbatim të vendimeve të formës së prerë.
Në vend të dytë për nga frekuenca qëndrojnë shkeljet e nenit 13, që lidhen me mungesën e mjeteve juridike efektive, të konstatuara në 17.5% të rasteve. Pas tyre vijnë shkeljet e nenit 1 të Protokollit nr.1, që garantojnë të drejtën për pronën, të cilat përbëjnë 16.3% të totalit.