Avokates së Popullit, Erinda Ballanca, i ka mbaruar mandati në mesin e vitit 2022. Ndërkohë shpalljet e Kuvendit për vakancën deri tani janë përsëritur 3 herë, por në 2 raundet e para Kuvendi ka dështuar të zgjedhë Avokatin e Popullit.
Zgjedhja e Avokatit të Popullit, në gjithë historinë e zbatimit të dispozitave të ligjit përkatës, shpesh ka kaluar nga konsensusi politik, brenda të cilit opozita prezanton emra që për mazhorancën janë të pranueshëm. Kësaj natyre negociate i përket edhe avokatja aktuale. Për t’u rikthyer paksa historisë së zgjedhjes së Erinda Ballancës, emri i saj erdhi si propozim i Sali Berishës me gojën e Lulzim Bashës dhe u pranua nga Edi Rama si kandidaturë.
Por çfarë po ndodh prej 3 vjetësh?
Në 2 raundet e para Kuvendi i ri nuk arriti të zgjedhë Avokatin e Popullit.
Taktika e ndjekur nga PS në raundin e parë, në mesin e vitit 2022, e ndryshoi pa kuptim procesin, i cili nga një proces negociues me PD u shndërrua në një proces ku PS u vetëpërjashtua. Kjo taktikë, e cila niste me deklaratën “avokati i takon opozitës”, mund të ushqehej nga bindja jorealiste e eksponentëve të PS, që besojnë se mund të negociojmë si të barabartë me Sali Berishën.
Për më tepër, kjo bindje e tyre rritej edhe më shumë kur në raundin e parë këtë duhet ta bënin nëpërmjet Lulzim Bashës! Raundi i parë i vitit 2022 dështoi sepse opozita keqpërdori një traditë e cila nuk mbështetet në procedurat që ligji parashikon.
Por më shumë dështoi nga vetëbesimi i PS se mund të menaxhojë një proces negocimi me Berishën, duke anashkaluar procedurat ligjore.
Në një proces që nuk kalon në hullinë e ligjit, vështirë se mund të arrish të vësh në lojë, të përdorësh e akoma më pak të keqpërdorësh Berishën.
Jashtë ligjit Berisha është mbret!
Raundi i parë dështoi sepse asnjë dispozitë e ligjit nuk u aplikua.
Kandidaturat u miratuan në bllok, pa u seleksionuar fare sipas kritereve të ligjit, me batutën “le t’i miratojmë të gjithë se ne do zgjedhim vetë atë që duam”. Por dispozita ligjore ra dhe pasoja desh shumë pak kohë të vinte. PS u dha urdhër të vetëve të mos nënshkruanin për asnjë kandidat. Urdhëri ishte përtej dispozitës së ligjit, që përfshin në nënshkrime mbështetje të gjithë deputetët e Kuvendit. PS, me deklaratat e tipit “ja kemi lënë në dorë PD”, po asgjësonte procesin ligjor. Dispozita ligjore ra, pasoja nuk vonoi!
Opozita gjatë gjithë verës nënshkroi e mbushi plot një listë me 12 kandidatë dhe listat u depozituan në Kuvend.
Me atë rast ra edhe dispozita e nenit 9 të ligjit.
E njëjta që sot e tund Gazmend Bardhi, pasi e tundi Komisioni i Ligjeve, por askush as sot nuk e paska dëgjuar. As vetë Gazi!
Ndërkohë PS edhe në raundin e parë (si sot) bënte sikur nuk interesohej për procesin, ndërsa eksponentë të saj citonin dendur në takime informale emrin e kandidatit të preferuar. Ndërsa PD luante lojën e vet, PS asgjësonte një nga një dispozitat ligjore, që ishin të vetmet që mund të siguronin suksesin e procesit. Në një lojë ku secili djeg ç’të mundë, opozita tërhoqi firmat mbështetëse dhe PS-ja pranoi tërheqjen. Dispozita e radhës ra, ndërsa pasojat do të vazhdojnë gjatë.
Në votimin e raundit të parë, PS rrëzoi kandidatin e vetëm të opozitës me arsyetimin se e drejta e opozitës për të propozuar nuk mund t’i mbivendosej të drejtës së maxhorancës për të pranuar. Pranim qorrazi nuk mund të kishte! Kjo logjikë risillte në aksion të gjitha dispozitat që kishin rënë, por tingulli tashmë i ngjante konfliktit, jo rindërtimit të procesit.
Raundi i dytë nisi në gusht 2023. Ai ishte thuajse identik me të parin, me ndryshimin e vetëm që maxhoranca u ndihmua nga përfundimi i legjislaturës. Berisha u fsheh pas Ndregjonit, kurse dhe iu fsheh votimit të kandidaturave në seancë.
Sot jemi në raundin e tretë!
Asgjë nuk ka ndryshuar!
PS po zbaton të njëjtën skemë të rrëzimit të dispozitave të ligjit. Kurse Berisha, që tani nuk ka më nevojë të fshihet pas Lulzim Bashës, po zbaton të njëjtën skemë të asgjësimit të kandidatëve. Nga ana e saj, PS vazhdon të përsërisë gjithë bujari se avokati i popullit i takon opozitës ta propozojë dhe harron se përgjegjësia për dështimin e zgjedhjes së tij është e maxhorancës.
Ndërsa dështimi i leverdis dyfish Berishës.
E para, diskrediton mazhorancën si të paaftë të mbajë në këmbë institucionet e pavarura dhe të rinovojë mandatet e drejtuesve.
E dyta, mban në zyrën e Avokatit të Popullit zëdhënësen e vet që, në pritje “të zëvendësimit”, po plotëson mandatin e dytë në detyrë.
Avokati i Popullit mund të mos jetë institucion kaq i vlefshëm për maxhorancën. Fundja buxhetet e institucioneve të pavarura kanë buxhete rrogash. Nuk del gjë aty!
Por vendi i duhet Avokati i Popullit. Dhe jo vetëm kaq!
I duhet i pavarur!
I duhet profesional!
I duhet për arsye njerëzore!
I duhet i paanshëm, i drejtë dhe korrekt.
Mbi të gjitha i duhet shtetar.
Të gjitha këto janë kritere që ligji i kërkon dhe që procesi PS–PD i ka asgjësuar plot 3 herë.
Ligji kërkon 84 vota, që Kuvendi të dëshmojë funksionalitetin në rastin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit.
Maxhoranca ka 83 vota, por mbase as ajo e vetme nuk e ka zbuluar kandidatin që duhet. Ose mbase thjeshtë është lodhur nga "të bërit shtet".
PS dhe PD ndoshta nuk janë të interesuara fare të gjejnë marrëveshje për Avokatin e Popullit. Fundja çfarë është një institucion buxhetor para kullave shumëkatëshe. Populli pret, bizneset jo. Ndaj mos u habisni nëse dhe këtë herë procesi dështon. Të jeni të sigurt që pazaret do të vazhdojnë me ose pa votën e parlamentit për Avokatin e Popullit.






















