Rajoni 3 Dhjetor 2024, 13:03 Nga VNA

"Politika ndez fitilin", analiza e REL: Plane apo përralla për destabilizim në Maqedoninë e Veriut!

Ndaje në Whatsapp
"Politika ndez fitilin", analiza e REL: Plane apo përralla

Përpjekjet që të destabilizohen marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoninë e Veriut ndodhin gjithmonë kur kjo i nevojitet një partie, thonë analistët politikë për Radion Evropa e Lirë, pas një serie incidentesh që ndodhën ditëve të fundit. Më 28 nëntor, në festimin e Ditës së Flamurit Shqiptar, në vende të ndryshme në Maqedoninë e Veriut u përdhos flamuri shqiptar dhe ai maqedonas. Lidhur me këtë policia arrestoi 17 persona.

“Jemi një shoqëri ku qartë luhet me ndjenjat e përkatësisë etnike. Edhe pse duket se beteja është se kush është shqiptari më i madh mes shqiptarëve, ashiqare, ngjarjet kanë pasoja në shoqërinë më të gjerë. Kur kryhen akte të dhunshme, është thelbësore që institucionet të bëjnë punën e tyre, pra të veprojnë shpejt, paanshëm dhe në mënyrë jo selektive”, thotë për Radio Evropa e Lirë analisti politik Aleksandar Krzhalovski.

Rasti i djegies së veturave dhe një objekti biznesi në Kumanovë mëngjesin e 2 dhjetorit, nga të cilat njëra është e prokurorit publik Xhelal Bajrami, ish-ministër i Punës dhe Politikës Sociale nga BDI-ja, tani në opozitë, dhe tjetra është e një këshilltari në Komunën e Kumanovës nga kjo parti, ndërlidhet me incidentet e përdhosjes së flamujve në Ditën e Flamurit.

Partia opozitare nga blloku politik shqiptar, BDI, nuk mund të përjashtohet nga ngjarjet që mund t`i nxisin tensione ndëretnike, komentojnë analistët me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë.

Për disa, fajin për këtë e ka pushteti, pasi bëri koalicion me grupimin VLEN nga blloku politik shqiptar. Por, analistë të tjerë fajin e hedhin mbi BDI-në sepse nuk mund të pajtohet me humbjen pas 20 vjetësh në pushtet.

Pas zgjedhjeve, VMRO-DPMNE si partner në pushtet ftoi koalicionin VLEN, ndërsa BDI-ja konsideronte se ajo ishte përfaqësuese legjitime e shqiptarëve. Kryeministri Mickoski tha se koalicioni VLEN me rezultatin prej 107.000 votash në zgjedhjet parlamentare, është partner i besueshëm në qeverinë e ardhshme dhe e dërgoi BDI-në në opozitë.

Marrëdhëniet ndëretnike përdoren kur autoritetet nuk mund t’i realizojnë politikat dhe rezultatet që kanë premtuar, thotë për Radion Evropa e Lirë Sefer Selimi, drejtor ekzekutiv i Democracy Lab.

“Qeveria aktuale po humb perspektivat për integrimin evropian dhe nuk arrin të realizojë ndryshimet kushtetuese. Prandaj është e interesuar ta mashtrojë publikun edhe me rrezikun e përkeqësimit të marrëdhënieve ndëretnike, si tema më e ndjeshme politike. Është përkeqësuar klima e përgjithshme dhe kjo, jo në relacionin maqedonas-shqiptarë, por në marrëdhëniet shteti-shqiptarët, sepse shqiptarët në institucione përballen me përjashtime nga puna”,deklaroi Selimi.

Ndërkohë, analisti politik dhe ish-ministri i Financave, aktualisht anëtar i Këshillit të Sigurisë i Presidencës maqedonase, Xhevdet Hajredini, përmes rrjetit social Facebook, dënoi përdhosjen e flamujve shtetëror gjatë festimit me rastin e 112- vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

“Nuk është shenjë trimërie të shkelësh me veturë flamurin e shtetit në të cilin jeton”, shkroi Hajredini.

Stefan Buçakovski, profesor në fushën e shkencave të sigurisë, vlerëson se ngjarjet në tërësi nuk kanë një komponent të organizuar klasik, por ai konsideron se këto ngjarje i përgjigjen një strukture të caktuar politike, në këtë rast BDI-së, që t`i shfrytëzojë për qëllime të veta. Sipas tij, edhe pse në publik ndihet tension, ai nuk mund të shndërrohet në konflikt, sepse "konfliktet janë kohë e kaluar".

"Një parti e caktuar politike, për të qëndruar në pushtet, përkatësisht për të fshehur aktivitete kriminale të lidhura me veprimtarinë shumëvjeçare, përpiqet ta bëjë këtë në çdo mënyrë. Ne në kriminalistikë vendosim versione. Njëri version është se edhe vetë mund të shkaktojë gjendje negative që do të ndikojnë në opinionin publik. Mendoj se ajo parti ka një sistem të mirë të përpunuar të ndikimit negativ politik mbi gjendjet për të ardhur përsëri në pushtet, dhe ky skenar i përshtatet", thotë Buçakovski.

Kryeministri Hristijan Mickoski dërgoi një mesazh për qytetarët për unitet dhe qetësi duke i porositur të mos bien pre e provokimeve. Sipas Mickoskit, gjëra të tilla do të ndodhin edhe në të ardhmen, sepse, siç tha ai, "këta njerëz janë të frikësuar për milionat që kanë fituar në kurriz të popullit të thjeshtë dhe tani e dinë se po vjen koha për drejtësi".

"E di se ekziston një grup i izoluar politik, i cili këta pesë - gjashtë muaj e ka vështirë të mësohet të jetw në opozitë pas më se dy dekadash në pushtet. Por, ajo që i shqetëson ata është fakti që ndoshta drejtësia është e ngadaltë, por ngadalë po u afrohet. Do të ketë edhe përpjekje të tjera për përshkallëzim, për tensione ndëretnike, madje edhe kjo që ndodhi disa ditë më parë nga ana jonë u parandalua dhe u paralajmëruan të gjithë faktorët përkatës dhe partnerët tanë strategjikë", tha Mickoski pas incidenteve me flamujt më 28 nëntor.

Koalicioni i partive shqiptare VLEN, e dënoi përdhosjen e flamurit shtetëror maqedonas dhe e quajti aktin "të turpshëm dhe të papranueshëm".

"Pas festimit deri tani të paparë të 28 Nëntorit, ndërsa kënga dhe vallja shqiptare jehonin në të gjithë vendin, është e qartë se kjo atmosferë festive nuk u përgjigjej atyre, të cilëve iu prish komoditeti nëpër kolltukët e pushtetit. Në fund të ditës, u paraqitën këto qarqe, që dëshirojnë ta destabilizojnë shtetin. Jo pse e duan shtetin, por sepse u mungon pushteti", thanë nga koalicioni VLEN.

Ky koalicion gjithashtu njoftoi se janë siguruar fotografi që dëshmojnë se të rinjtë që dogjën flamurin shtetëror janë bashkëpunëtorë të afërt të ish-zëvendëskryeministrit nga BDI-ja, Artan Grubi. Grubi përgënjeshtroi lidhjen dhe paralajmëroi padi.

BDI-ja kërkoi dorëheqjen e menjëhershme dhe të parevokueshme të ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, dhe zëvendësit të tij, Astrit Iseni, për incidentet në Ditën e Flamurit. Nëse nuk ndodhin dorëheqjet, partia paralajmëroi interpelancë në Kuvend kundër tyre.

Pas incidentit në Kumanovë me djegien e makinave të ish-zyrtarëve të BDI-së, partia bëri thirrje për ndërhyrje të menjëhershme nga komuniteti ndërkombëtar për të ndaluar, sikurse kumtuan spiralen e rrezikshme të dhunës dhe urrejtjes që kërcënon paqen dhe stabilitetin në vend.

LSDM-ja, nga ana tjetër, bëri thirrje për një takim liderësh.

"Qytetarët duan t`i shohin politikanët së bashku në tryezë, të gjithë liderët e partive parlamentare, të gjithë së bashku të dërgojmë një mesazh ku do të themi se mbetemi një shtet i qëndrueshëm dhe se jemi të përkushtuar për paqen dhe bashkëjetesën", tha Sekretari i Përgjithshëm i LSDM-së, Aleksandar Dimitrijeviq, në një paraqitje televizive.

Sa u përket qëndrimeve të kryeministrit Mickoski, për destabilizimin e shtetit, Dimitrieviq tha se nuk duhet të hyhet në përallën e destabilizimit. Pas zgjedhjeve parlamentare të majit të këtij viti, kur BDI-ja shprehu pakënaqësi me mospërfshirjen në qeverinë e udhëhequr nga VMRO DPMNE-ja, ajo paralajmëroi protesta në shtator, por deri më tani nuk i ka mbajtur.

Kryeministri Mickoski këtë verë njoftoi se ka informacione të marra nga disa kanale, se udhëheqësia e BDI-së do të ndërmarrë hapa drejt destabilizimit të shtetit për të mbrojtur kapitalin e krijuar në 20-22 vjetët e fundit.

Pas incidenteve të 28 nëntorit dhe atyre të së hënës në Kumanovë, të shoqëruara me retorikë të ashpër mes partive politike, krerët e bashkësive fetare në Maqedoninë e Veriut bënë thirrje për bashkëjetesë.

“Zoti ka dashur që ne të jetojmë në një shtet të përbashkët. Prandaj, ne, krerët e Kishës Ortodokse Maqedonase - Arqipeshkëvia e Ohrit, Bashkësisë Fetare Islame, Kishës Katolike, Kishës Evangjeliste Metodike dhe Bashkësisë Hebraike, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve maqedonas që të mos bien pre e përpjekjeve të caktuara për të prishur bashkëjetesën, por të gjithë së bashku të vazhdojmë të ruajmë respektin për njëri-tjetrin për simbolet shtetërore të atdheut tonë dhe për simbolet e të gjitha bashkësive etnike në të”, thanë bashkësitë fetare./ REL

Video

“El Clasico”-ja e parë e sezonit përfundoi me tensione të forta pas fitores 2-1 të Real Madridit ndaj Barcelonës në “Santiago Bernabeu”. Pas kartonit të kuq për Pedrin në minutën e 100’, situata në fushë doli jashtë kontrollit. Gjithçka nisi me një përplasje mes Lamine Yamal dhe Dani Carvajal në fund të duelit. Në debat u përfshi edhe portieri Courtois, duke e acaruar më tej situatën. Lojtarë nga të dyja skuadrat ndërhynë për t’i ndarë, por tensioni u rrit edhe më shumë kur Yamal u përplas verbalisht me Vinicius Junior. Pas disa sekondash përplasjeje dhe shtyrjesh, Yamal u tërhoq drejt daljes për në tunel, por Vinicius u pa duke e ndjekur me vrap, ndërsa stafet teknike ndërhynë për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Pavarësisht incidenteve, Reali i Madridit ruajti fitoren 2-1 me golat e Mbappes dhe Bellingham, ndërsa pas ndeshjes pritet që komisioni i disiplinës të analizojë ngjarjet e ndodhura në fundin e sfidës.

Një video e përleshjes midis një burri me uniformë naziste dhe një gruaje në Georgia, SHBA, po bën xhiron e rrjeteve sociale. ? Burri, i identifikuar si Kenneth Leland Morgan, shihet në video duke mbajtur një uniformë që ngjan me atë naziste, e kompletuar me një shirit të kuq në krah që mban simbolin e kryqit të thyer. Pamjet tregojnë momentin kur ai shtyhet jashtë një bari nga një grua dhe më pas përballet me disa persona të tjerë. Në video shihet momenti kur ai godet gruan pasi ajo përpiqet t’i heqë shiritin nga krahu.

Më shumë se 50,000 njerëz dolën në rrugët e qytetit lindor të Valencias të shtunën, për të shënuar përvjetorin e parë të përmbytjeve shkatërruese të vitit të kaluar dhe për të protestuar kundër mënyrës se si autoritetet menaxhuan katastrofën. Demonstruesit, shumë prej të cilëve mbanin fotografi të viktimave, i bënë thirrje udhëheqësit rajonal Carlos Mazón që të japë dorëheqjen, duke e akuzuar për reagim të ngadaltë dhe neglizhencë ndaj një prej fatkeqësive më vdekjeprurëse që ka goditur Evropën në dekadat e fundit.

Që prej mbrëmjes së kaluar, verilindja e vendit është përfshirë nga reshje të dendura dhe të pandërprera shiu, të cilat kanë shkaktuar vështirësi të shumta në qarkullimin rrugor dhe në disa raste edhe dëmtime infrastrukturore. Situata më problematike është regjistruar në qarkun e Kukësit, ku prania e ujit dhe rrëshqitjet e dherave kanë krijuar pengesa serioze në disa akse kryesore. Në rrugën hyrëse të qytetit të Kukësit, skarpata e rrugës është shembur duke rrëzuar një masiv të madh dherash dhe inertesh, me vëllim dhjetëra metërkubësh, çka solli bllokimin e përkohshëm të qarkullimit të mjeteve. Fenomeni i rrëshqitjes së dherave dhe rënies së gurëve është vërejtur edhe në disa akse të tjera rrugore të qarkut. Probleme janë raportuar në rrugët që lidhin Kukësin me Shishtavecin, Kukësin me Peshkopinë, Kukësin me Fushë-Arrëzin, si dhe në aksin që lidh Bajram Currin me Luginën e Valbonës dhe Lekbibajn. Në këto segmente, reshjet e shumta kanë bërë që uji dhe inertet të mbulonin pjesërisht rrugët, duke krijuar rrezik për drejtuesit e mjeteve dhe vonesa në qarkullim. Ndërkohë, në zonën e Shtiqenit, pranë aeroportit të Kukësit, është raportuar përmbytja e një sipërfaqeje të konsiderueshme toke bujqësore. Në disa fshatra të qarkut janë shënuar gjithashtu ndërprerje të energjisë elektrike si pasojë e motit të keq dhe e dëmtimeve të përkohshme në rrjetin e shpërndarjes. Reshjet vijojnë me intensitet të lartë edhe gjatë ditës së sotme, duke krijuar vështirësi shtesë në qarkullim, veçanërisht në “Rrugën e Kombit”, ku prania e ujit në disa segmente e bën lëvizjen më të rrezikshme.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme