Rajoni 1 Dhjetor 2024, 23:17 Nga VNA

Albin Kurti thirrje ndërkombëtarëve t’i bëjnë presion Serbisë: Radoiçiç, thelbi i problemit të sulmeve në Kosovë

Ndaje në Whatsapp
Albin Kurti thirrje ndërkombëtarëve t’i bëjnë

Duke folur në një konferencë për media të dielën në Prishtinë pas një sulmi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës dy ditë më parë, Kurti tha se “problemi kryesor për bindjen time është fakti që Millan Radoiçiçi nuk dorëzohet nga autoritetet serbe te ato të Kosovës”.

Autoritetet kosovare kanë leshur fletarrestim dhe kanë ngritur aktakuzë ndaj Radoiçiqit, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili e mori përgjegjësinë për një sulm vdekjeprurës ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, në shtator të vitit 2023.

Kurti tha se, sikur Radoiçiç të mos lihej i lirë në Serbi, do të “binin gjasa në mënyrë drastike që të realizoheshin të gjitha këto sulme që kanë ndodhur dhe sulme në të ardhmen që ata i planifikojnë”.

“Ne kërkojmë prej faktorëve ndërkombëtar t’i bëjnë trysni Beogradit ta dorëzojnë kryekriminelin Radoiçiq tek institucionet e Kosovës. Nëse Serbia ka dyshim se Radoiçiq nuk do të kishte gjykim të drejtë në Kosovë, ne e kemi EULEX-in, ai i vëzhgon të gjitha rastet në Kosovë. Prandaj ai duhet t’i dorëzohet Kosovës”, tha ai.

Sulmi ndaj Ibër-Lepencit ishte i treti brenda 72 orëve të fundit në veri të vendit, i banuar me shumicë serbe, pas shpërthimeve që ndodhën në një stacion policor dhe në ndërtesën e Komunës në Zveçan.

Shpërthimi ndaj kanalit në fshatin Varragë të Zubin Potokut nuk shkaktoi viktima, por e krijoi një çarje të madhe në murin anësor të tij, duke shkaktuar rrjedhe të ujit jashtë kanalit, duke bërë që disa pjesë të vendit të përballeshin me reduktime uji.

Furnizimi i rregullt me ujë u rikthye pothuajse një ditë pas shpërthimit, njoftuan autoritetet kosovare të dielën, ndërsa furnizimi i Korporatës Energjetike të Kosovës me ujë për ftohjen e termoelektranave të saj nuk u ndikua.

Autoritetet kosovare të sigurisë i arrestuan tetë të dyshuar dhe konfiskuan armatim gjatë një aksioni të gjerë në veri të Kosovës të shtunën, në lidhje me këtë sulm që thanë se ishte më i rëndi ndaj infrastrukturës kritike të vendit që nga paslufta.

Kurti tha se sulmi i së premtes ndaj kanalit të ujit në veri ndërlidhet me sulmet që Rusia është duke i kryer në muajt e fundit kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës.

“Qëllimi ka qenë që një pjesë e madhe e vendit të mbetej pa ujë, në terr, në të ftohtë dhe pa komunikim. Ky sulm duket se ka ndërlidhje me sulmet masive të Federatës Ruse ndaj Ukrainës”, tha Kurti.

Ai e shfaqi gjatë konferencës një fotografi për të cilën tha se shfaq emblema të njësive ushtarake të Ushtrisë Ruse të konfiskuara nga Policia e Kosovës gjatë aksionit të së shtunës në veri të vendit.

“U gjetën dhjetëra emblema të njësive ushtarake ruse. Këto emblema ju përkasin njësive të veçanta ruse”, shtoi ai.

Sulmi ndaj kanalit të ujit në veri u dënua nga bashkësia ndërkombëtare. Bashkimi Evropian dhe Gjermania thanë se ai ishte një akt terrorist.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mattheë Miller, tha se Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë mbështetje në gjetjen dhe ndëshkimin e kryerësve të një sulmi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit./REL/

Video

“El Clasico”-ja e parë e sezonit përfundoi me tensione të forta pas fitores 2-1 të Real Madridit ndaj Barcelonës në “Santiago Bernabeu”. Pas kartonit të kuq për Pedrin në minutën e 100’, situata në fushë doli jashtë kontrollit. Gjithçka nisi me një përplasje mes Lamine Yamal dhe Dani Carvajal në fund të duelit. Në debat u përfshi edhe portieri Courtois, duke e acaruar më tej situatën. Lojtarë nga të dyja skuadrat ndërhynë për t’i ndarë, por tensioni u rrit edhe më shumë kur Yamal u përplas verbalisht me Vinicius Junior. Pas disa sekondash përplasjeje dhe shtyrjesh, Yamal u tërhoq drejt daljes për në tunel, por Vinicius u pa duke e ndjekur me vrap, ndërsa stafet teknike ndërhynë për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Pavarësisht incidenteve, Reali i Madridit ruajti fitoren 2-1 me golat e Mbappes dhe Bellingham, ndërsa pas ndeshjes pritet që komisioni i disiplinës të analizojë ngjarjet e ndodhura në fundin e sfidës.

Një video e përleshjes midis një burri me uniformë naziste dhe një gruaje në Georgia, SHBA, po bën xhiron e rrjeteve sociale. ? Burri, i identifikuar si Kenneth Leland Morgan, shihet në video duke mbajtur një uniformë që ngjan me atë naziste, e kompletuar me një shirit të kuq në krah që mban simbolin e kryqit të thyer. Pamjet tregojnë momentin kur ai shtyhet jashtë një bari nga një grua dhe më pas përballet me disa persona të tjerë. Në video shihet momenti kur ai godet gruan pasi ajo përpiqet t’i heqë shiritin nga krahu.

Më shumë se 50,000 njerëz dolën në rrugët e qytetit lindor të Valencias të shtunën, për të shënuar përvjetorin e parë të përmbytjeve shkatërruese të vitit të kaluar dhe për të protestuar kundër mënyrës se si autoritetet menaxhuan katastrofën. Demonstruesit, shumë prej të cilëve mbanin fotografi të viktimave, i bënë thirrje udhëheqësit rajonal Carlos Mazón që të japë dorëheqjen, duke e akuzuar për reagim të ngadaltë dhe neglizhencë ndaj një prej fatkeqësive më vdekjeprurëse që ka goditur Evropën në dekadat e fundit.

Që prej mbrëmjes së kaluar, verilindja e vendit është përfshirë nga reshje të dendura dhe të pandërprera shiu, të cilat kanë shkaktuar vështirësi të shumta në qarkullimin rrugor dhe në disa raste edhe dëmtime infrastrukturore. Situata më problematike është regjistruar në qarkun e Kukësit, ku prania e ujit dhe rrëshqitjet e dherave kanë krijuar pengesa serioze në disa akse kryesore. Në rrugën hyrëse të qytetit të Kukësit, skarpata e rrugës është shembur duke rrëzuar një masiv të madh dherash dhe inertesh, me vëllim dhjetëra metërkubësh, çka solli bllokimin e përkohshëm të qarkullimit të mjeteve. Fenomeni i rrëshqitjes së dherave dhe rënies së gurëve është vërejtur edhe në disa akse të tjera rrugore të qarkut. Probleme janë raportuar në rrugët që lidhin Kukësin me Shishtavecin, Kukësin me Peshkopinë, Kukësin me Fushë-Arrëzin, si dhe në aksin që lidh Bajram Currin me Luginën e Valbonës dhe Lekbibajn. Në këto segmente, reshjet e shumta kanë bërë që uji dhe inertet të mbulonin pjesërisht rrugët, duke krijuar rrezik për drejtuesit e mjeteve dhe vonesa në qarkullim. Ndërkohë, në zonën e Shtiqenit, pranë aeroportit të Kukësit, është raportuar përmbytja e një sipërfaqeje të konsiderueshme toke bujqësore. Në disa fshatra të qarkut janë shënuar gjithashtu ndërprerje të energjisë elektrike si pasojë e motit të keq dhe e dëmtimeve të përkohshme në rrjetin e shpërndarjes. Reshjet vijojnë me intensitet të lartë edhe gjatë ditës së sotme, duke krijuar vështirësi shtesë në qarkullim, veçanërisht në “Rrugën e Kombit”, ku prania e ujit në disa segmente e bën lëvizjen më të rrezikshme.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme