Rajoni 1 December 2024, 10:35 Nga VNA

BE kërkon hetime pas sulmit në veriun e Kosovës/ Borrell: Është një akt i neveritshëm sabotimi

Ndaje në Whatsapp
BE kërkon hetime pas sulmit në veriun e Kosovës/ Borrell:

BE po ndjek nga afër zhvillimet e fundit në Kosovë. Shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit nga i cili rrezikohet furnizimi me ujë dhe energji elektrike për qindra mijëra qytetarë të Kosovës, Bashkimi Evropian e ka cilësuar si sulm “terrorist” si dhe akt “sabotues” dhe kërkon hetimin e ngjarjes dhe vënien e autorëve të sulmit para drejtësisë.

Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell në një njoftim për shtyp, tha se “BE-ja e dënon ashpër sulmin terrorist të kryer të premten në kanalin ujor në Ibër-Lepenc në Zubin Potok në veri të Kosovës. Është një akt i neveritshëm sabotimi në infrastrukturën kritike civile të Kosovës, e cila siguron ujë të pijshëm për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së Kosovës dhe është një komponent jetik i sistemit energjetik të Kosovës”.

Borrell tha, se mesazhet e solidaritetit dhe mbështetjes ia ka përcjellë drejtpërdrejt kryeministrit Albin Kurti pasditen e së shtunës. Nga Borrell, po ashtu ka ardhur thirrja drejtuar të gjitha palëve që të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet e Kosovës.

Arrestime në lidhje me shpërthimet veri të Kosovës

Në një operacion që u zhvillua në shkallë të gjerë në veri të Kosovës gjatë gjithë ditës së shtunë, policia arrestoi tetë persona të dyshuar në lidhje me shpërthimin në kanalin e ujit në Ibër Lepenc, duke konfiskuar edhe sasi të mëdha armatimi, dhe pajisje tjera ushtarake.

Autoritetet bënë të ditur, se policia dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI) ka zhvilluar operacione në dhjetë lokacione në veri të vendit. Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha, se tashmë janë identifikuar disa persona si të dyshuar të mundshëm për nxitjen e akteve të dhunës, organizimit apo ekzekutimit të sulmit të fundit dhe të tjerave në veri të vendit.

Dyshohet se janë përdorur 15 deri në 20 kg lëndë shpërthyese

“Për realizimin e këtij sulmi terrorist në bazë të hetimit në vendin e ngjarjes dyshohet që është përdorur një sasi e konsiderueshme e eksplozivit nga 15 deri 20 kilogramë, e cila ka qenë e vendosur në një çantë të zezë dhe është aktivizuar me detonator mekanik përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme”, tha Hoxha. Sipas tij, operacioni dhe kontrolli rezultuan me konfiskimin e një arsenali armesh dhe municioni, eksplozivit, pajisjeje të ndryshme, përfshirë emblema e qindra uniforma e pajisje ushtarak”.

Ai tha se policia “ka arsye të besojë se në një formë apo tjetër, personat e arrestuar kanë qenë të lidhur me rastin e sulmit terrorist të mbrëmshëm dhe me aktivitete ilegale dhe shume të tjera të mëhershëm dhe shumica nga ta janë pjesë të Mbrojtjes Civile”. Këtë organizatë që operon në veri të Kosovës qeveria në Prishtinë vitin e shkuar e ka shpallur organizatë terroriste.

“Gjatë aksionit policor janë sekuestruar mbi 200 uniforma ushtarake, gjashtë raketahedhës dore, tri granata dore, dy pushkë të llojit AK47, një revole, municion të kalibrave të ndryshme, pjesë të armeve, fitila ndezës për inicim të lëndëve plasëse, helmeta ushtarake, maska, thika, të holla në valuta si euro dhe dinar dhe pajisje të tjera”, tha drejtori i policisë Gazmend Hoxha.

Sulmi më i rëndë ndaj infrastrukturës së Kosovës nga koha e luftës

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Svecla, tha në një konferencë të jashtëzakonshme për medie se shpërthimi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, aset ky që cilësohet i një rëndësie të veҫantë për termoelektranat e Kosovës, ujin e pijshëm dhe ngrohjen e kryeqytetit, ishte sulmi më i rëndë ndaj infrastrukturës kritike të vendit që pas luftës në Kosovës të vitit 1998-1999.

“Ky është sulm i organizuar dhe planifikuar mirë nga grupe apo organizata që janë profesioniste në kryerjen e sulmeve të tilla terroriste e të cilat shkaktojnë dëme të mëdha ndaj infrastrukturës kritike. Pra synimi i tyre ka qenë të maksimalizohet dëmtimi në dëm të shtetit të Kosovës”, tha ministri Sveçla.

Në lidhje me armatimet e zbuluara, Sveçla tha, se “shumica dërrmuese e armatimit dhe pajisjeve të tjera të konfiskuara janë prodhim serb dhe se një pjesë e madhe e tyre janë pajisje ekskluzivisht ushtarake që nuk mund të gjenden lehtë në tregun e zi”.

Kosova akuzon Serbinë, Serbia mohon përfshirjen

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tështunën bëri përgjegjëse Serbinë për sulmin, që ai e cilësoi “kriminal dhe terrorist” e që ka pasr si qëllim “të dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme dhe vitale të vendit të Kosovës”.

Por presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e mohoi në mënyrë kategorike përfshirjen e Serbisë në sulmin në veri duke thënë se “Beogradi nuk ka asnjë lidhje me atë çfarë ndodhi në veri të Kosovës, ku u dëmtua një kanal i ujit i Ibër-Lepencit. Këtë e di edhe Prishtina”, tha Vuҫiç transmeton RTS.

“Përse të justifikohem, të vrapoj nëpër mediat botërore, të kërkoj falje për diçka që nuk e kam bërë kur ata gjithsesi do ta interpretojnë si të duan”, tha Vuҫiç.

Edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, duke hedhur poshtë pretendimet e kryeministrit Kurti, tha se derisa “regjimi etnonacionalist i Kurtit është nxituar ta drejtojë gishtin drejt Beogradit pa prova, ne besojmë se akuza të tilla të parakohshme janë një devijim i qëllimshëm, që potencialisht mund të tregojë përfshirjen e regjimit të Albin Kurtit” në këtë sulm. Gjuriç tha se “Serbia e dënon me termat më të ashpra sulmin e fundit ndaj kanalit të Ibër-Lepencit. Ky akt sabotimi është thellësisht shqetësues që rrezikon jetët dhe mirëqenien e shumë njerëzve në rajon”.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës tashmë ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj. Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të aktivizohen në terren për këtë qëllim./DW

 

Video

Momente paniku janë regjistruar gjatë një fluturimi të Turkish Airlines, pasi avioni është përballur me turbulenca të forta. Lëkundjet e njëpasnjëshme dhe të dhunshme kanë shkaktuar frikë mes pasagjerëve, ndërsa disa prej tyre nuk kanë mundur ta fshehin panikun gjatë momenteve të tensionit. Pamjet nga brenda kabinës tregojnë situatën e krijuar teksa avioni kalonte në zonën e turbulencave. Turbulencat janë një fenomen i zakonshëm gjatë fluturimeve, por kur janë të forta mund të shkaktojnë lëkundje të menjëhershme dhe situata frike mes udhëtarëve.

PS dhe PD përplasen në politikë, por te investimet strategjike interesat duket se bashkohen. Qeveria i jep për 1 euro “Omnix Albania” rreth 9 hektarë tokë shtetërore në Gjirin e Lalëzit. Pas kompanisë dalin emra të lidhur me ish-deputeten socialiste Valentina Leskaj, ish-deputetin demokrat Fation Veizaj dhe Shkëlqim Beshirin. Dhe ky nuk është përfitimi i parë i grupimit në zonë. Kush përfiton dhe çfarë fshihet pas investimit?

Check-up nën presion, ndërsa Operatori i Sterilizimit nxiton me tenderin 17,7 milionë euro për kitet dhe reagentët. Për katër nga pesë lotet janë shkurtuar afatet e ofertimit, duke ngritur pikëpyetje për konkurrencën dhe kohën që u lihet kompanive për t’u përgatitur. A do të garantojë nxitimi një garë reale dhe të barabartë?

PS dhe PD përplasen në politikë, por te investimet strategjike interesat duket se bashkohen. Qeveria i jep për 1 euro “Omnix Albania” rreth 9 hektarë tokë shtetërore në Gjirin e Lalëzit. Pas kompanisë dalin emra të lidhur me ish-deputeten socialiste Valentina Leskaj, ish-deputetin demokrat Fation Veizaj dhe Shkëlqim Beshirin. Dhe ky nuk është përfitimi i parë i grupimit në zonë. Kush përfiton dhe çfarë fshihet pas investimit?

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme