Kronika 9 Korrik 2025, 17:30 Nga VNA

Polici fajdexhi/ Kosovari: Edison Pemës ja dorëzoja lekët në drejtorinë e policisë, kishin dijeni dhe zyrtarët. Zbardhen përgjimet e plota

Ndaje në Whatsapp
Polici fajdexhi/ Kosovari: Edison Pemës ja dorëzoja lekët në

Detaje të reja dalin në dritë nga dosja hetimore e punonjësit të policisë Edison Pema, i cili u arrestua nga AMP dhe Prokuroria e Elbasanit për akuzën e gjobëvënies. Ai ka detyruar përmes kërcënimit të paguheshin 70 mijë euro në formën e interesave për një borxh prej 7 mijë eurosh që ia kishte dhënë në maj të vitit 2024. Për t’u siguruar që paratë do t’i paguheshin, Edison Pema mbante si garanci makina të ndryshme që ia linte peng kosovari. Kallëzuesi ndër të tjera ka pretenduar se në disa raste paratë ia ka paguar Pemës edhe në zyrën e tij në Policinë e Elbasanit dhe në dijeni, pretendon ai, ka qenë një nga drejtuesit kryesorë të institucionit.

Kallëzimi i kosovarit

Më 25 qershor 2025 pranë AMP Elbasan-Korçë, është paraqitur shtetasi B.S., i cili ka bërë kallëzim penal ku ka ngritur pretendime se punonjësi i policisë Edison Pema, në periudha të ndryshme kohore, e ka kërcënuar duke i marrë shuma të ndryshme parash për shkak të një borxhi fillestar prej 7000 eurosh.

Shtetasi kosovar B.S. ka shpjeguar se në maj të vitit 2024 i ka marrë hua, në afërsi të Portit të Durrësit, punonjësit Edison Pema shumën prej 7000 eurosh për një afat kohor prej një jave. Kallëzuesi thotë se në përfundim të afatit është takuar me punonjësin e policisë për t’i kthyer huanë, por ai i ka thënë se i detyrohej 10 mijë euro, pra 3000 euro më shumë, pasi huaja parashikonte kamatë.

Sipas tij, Edison Pema i ka marrë vetëm 3000 euro me qëllim që të paguante kamatën te persona të tretë, të cilëve iu kishte marrë me fajde shumën fillestare prej 7000 eurosh. Pema, sipas kallëzuesit, i ka lënë një javë kohë për t’i kthyer shumën prej 10 mijë euro.

B.S. ka shpjeguar se në shtator të vitit 2024 ka komunikuar sërish me punonjësin e policisë dhe ai e kishte informuar se borxhi ishte rritur në 48 mijë euro për shkak se i kishte marrë hua paratë te persona të tjerë. Shtetasi kosovar pretendon se i kërkoi Edison Pemës që ta prezantonte me këta persona dhe ai e njohu me shtetasin F.Q., duke i thënë se ai ishte personi të cilit i kishte marrë hua dhe duhej t’i paguante kamatën. Me qëllim sigurimin e huasë prej 48 mijë eurosh, shtetasi nga Kosova ka shpjeguar se punonjësi i policisë i ka kërkuar që të linte peng një automjet. Kështu, në tetor të vitit 2024, në Portin e Durrësit i ka dorëzuar një automjet të markës Volksëagen, tip Golf 8.

Pas dorëzimit të automjetit, kallëzuesi ka shpjeguar se E. i ka kërkuar shumën prej 15 mijë eurosh, pasi automjetin do ta linte peng te një person për vlerën e 12 mijë eurosh. Shumën prej 15 mijë eurosh, kallëzuesi B.S. thotë se ia ka paguar oficerit të policisë dy javë pasi i dorëzoi makinën, të cilën e ka marrë sërish për t’u kthyer në shtetin e Kosovës.

Ditën kur ka kryer pagesën e mësipërme dhe ka marrë automjetin, kallëzuesi ka shpjeguar se punonjësi i policisë i ka kërkuar që t’i linte peng një makinë tjetër për shkak të interesave të borxhit fillestar prej 7000 eurosh.

Pasi refuzoi kërkesën, kallëzuesi pretendon se është kërcënuar nga punonjësi Edison Pema. Ai i ka thënë: “Mos e merr veten në qafë duke shkuar në varr, sepse ha plumbin në kokë”; dhe “…e di kush jam unë, kam paguar lekët për ty, kam shkuar tek njerëz të ndryshëm për të marrë paratë, të cilët janë me rrezikshmëri të lartë, dhe po nuk solle lekët, unë të vras, të fus plumbin”.

Në dhjetor, kallëzuesi nga Kosova pretendon se, pasi ka kaluar një gjendje të rëndë psikologjike, është kontaktuar në aplikacionin “Ëhatsapp” nga punonjësi Edison Pema, i cili i ka thënë se interesat e huasë fillestare kanë shkuar në vlerën e 70 mijë eurove dhe nuk ndalen deri në momentin e pagesës totale të shumës.

Kallëzuesi rrëfen se rreth datës 4 apo 5 shkurt 2025, ndërsa ka qenë duke udhëtuar nga Kosova, është ndaluar nga punonjësi i policisë Edison Pema, i cili udhëtonte me një automjet Hyundai të kuqe me targa të huaja. Ky i fundit ka tentuar ta nxjerrë nga automjeti i tij duke iu drejtuar me fjalët: “Unë të prek me plumb”, dhe i ka kërkuar që të linte peng automjetin pasi duhej të shlyente shumën prej 25 mijë eurosh.

Këto para, kallëzuesi ka shpjeguar se ia ka paguar Edison Pemës pas rreth gjashtë ditësh në ambientet e një lokali në qendrën tregtare TEG në Tiranë. Ai thotë se pasi ka marrë automjetin Mercedes-Benz me targa 06-831-XX, i ka lënë peng automjetin Golf 8, ngjyrë gri, me targë 06-590-XX. Pas këtij momenti, punonjësi i policisë i ka kërkuar që t’i paguante pas disa ditësh shumën prej 6000 eurosh.

Paratë, ai thotë se ia ka paguar policit pas disa ditësh në ambientet e Drejtorisë së Policisë në Elbasan. Ai shprehet se në zyrën e policit kanë qenë prezentë edhe dy kolegë të tij.

Pasi i ka paguar paratë, polici nuk është ndalur dhe i ka kërkuar që të linte peng automjetin e tij dhe një tjetër automjet Volksëagen Golf 8, ngjyrë blu, me targë 06-406-XX. Këto, së bashku me automjetin tjetër Golf 8 ngjyrë gri, do të mundësonin shmangien e pagimit të interesave. Pas këtij momenti, kallëzuesi ka shpjeguar se automjetin Golf 8 ngjyrë blu ia ka dorëzuar punonjësit E.P. në afërsi të televizionit “Klan” në Tiranë, në një bodrum ku qëndron edhe sot.

Kallëzuesi ka shpjeguar se oficeri e ka telefonuar me një numër që përfundonte me 878 dhe i ka shpjeguar se interesat nuk ndaleshin dhe duhej të paguante të gjithë shumën prej rreth 72–73 mijë eurosh njëherazi. I ndodhur në pamundësi, kallëzuesi ka shpjeguar se i ka lënë peng punonjësit të policisë edhe dy automjete të tjera: një Volksëagen Touareg me targë AA505XX dhe një Volksëagen Passat me targë ABXXXX, të cilin e ka marrë një punonjës policie i identifikuar me emrin Mondi.

Ndër të tjera, kallëzuesi ka shpjeguar se oficeri i ka kërkuar që pas çdo 10 ditësh të kryente pagesën e interesit prej 2000 eurosh. Lidhur me këtë fakt, kallëzuesi ka shpjeguar se ka komunikuar më 25.06.2025 me punonjësin e policisë Edison Pema dhe ka rënë dakord me të që pagesën ta kryente më 26.06.2025.

Pas marrjes së kallëzimit, policia ka bërë këqyrje të telefonit të shtetasit nga Kosova. Ky i fundit ka dorëzuar edhe një CD brenda së cilës kishte një bisedë të regjistruar që pretendonte se është zhvilluar mes tij dhe punonjësit të policisë.

Ku dorëzoheshin paratë

Në dëshminë dhënë para oficerëve të AMP-së, kallëzuesi ka deklaruar se paratë në disa raste ia ka paguar punonjësit të policisë Edison Pema në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë në Elbasan. Ai ka përshkruar me detaje këto momente dhe në një rast i është bërë një fotografi ku mbante të veshur një jelek me mbishkrimin “Policia”.

Policia ka bërë këqyrjen e dokumenteve dhe ka rezultuar se fotografia e shtetasit B.S. e tregon të veshur me një jelek me mbishkrim dhe logon “Policia”, me stemë dhe emblemë të Policisë së Shtetit, ku në sfond dallohet një send i ngjashëm me peshore elektronike, një karrige dhe një varëse rrobash.

Ai pretendon se në dijeni të ngjarjes ka qenë një nga drejtuesit kryesorë të policisë Elbasan, i cili i ka thënë se derisa të paguante paratë Edison Pemës, makina nuk do t’i kthehej.

Aktmarrëveshja me Prokurorinë

Pas marrjes së kallëzimit, prokuroria ka lidhur marrëveshje me shtetasin kosovar B.S., i cili është paralajmëruar se nuk duhet të provokojë një akt kriminal duke shtyrë një person të kryejë një krim që nuk do ta kishte kryer po të mos ishte ndërhyrja e policisë.

Prokuroria ka firmosur autorizimin, duke lejuar përgjimin në vende publike dhe kryerjen e veprimeve simuluese.

Prokuroria thote se ka dyshime të arsyeshme se shtetasi Edison Pema ka konsumuar veprën penale të “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënie pasurie” dhe ka bërë arrestimin e tij.

Kështu, rezultoi nga përgjimi se oficeri Edison Pema është takuar me shtetasin B.S. në brendësi të automjetit të markës “Volksëagen” me targë “AB621OB”, dhe komunikimi mes tyre është regjistruar dhe është si më poshtë:

B.S. me simbolin “B”

Edison Pema me simbolin “E”

B: Ma bë dhe mu një nder o vlla, pak ja lehtëson vetes edhe ti, se e kam një punë shumë të mirë në dorë.

E: Hë.

B: E kam për shtatëmbëdhjetë copa që më the ti për… (nuk kuptohet qartë) për barin.

E: Po.

B: Unë e kam t’shitëm tre mijë euro me ja pru një kosovari deri në Kukës.

E: Po.

B: Kilen.

E: Po.

B: Me ma dhanë një mostër se unë do t’ik në Kosovë.

E: Ku ta jap monstrën unë tash?

B: Po merre vlla ti sonte, sot ose nesër.

E: O futja kot, nuk bëhet po ashtu të them. Kam me taku atë djalin, se unë do t’ik sonte, do t’ik për Himarë. Kështu që mos më trejt kot tash, buro, më mirë të them: s’kam mundësi.

B: Po, këtë duhet me e bë Edi, se është një fitim i mirë o burrë.

E: Po të them: shko takoje atë djalin edhe folni vetë, sepse ja kam marrë monstrën dy-tre herë.

B: Po, okej.

E: Po tani nuk kam pse… si me thënë… më jep monstër… edhe…

B: Po ja pagujmë bre vlla.

E: Po nuk është problemi te pagesa mo burrë, unë më mirë i them: “o vlla, më jep pesë gram edhe një qese, ça është ajo, se don me e pi njëri a pjesë tjetër ajo…”

B: Po, po.

E: Po pra, po ky s’merret me këtë pjesë. Ky m’ka thënë: e kam në Shkodër me kaq… Tani ja kemi…

B: Njëmijë e tetëqind m’ke dhanë.

E: Po pra ja kemi çu monstrën, edhe të thashë: o vlla, si t’shkosh unë me i marrë prapë monstrën. Ai t’tha: e ka në Shkodër filani, është e njëjta, tha, me monstrën që ta kam dhanë, që e ke çu në Zvicër. Okej. Edhe t’thashë ty: a është e njëjta?

B: Po, ma the. Bile mund të jetë më e mirë.

E: Po. Po që është më e mirë, ti o vlla duhet me i pru mu, se unë atij zotnisë i kam thënë: i kam shtatëmbëdhjetë kile. Tash…

E: I ban ai.

B: Unë, unë tha: i çoj për jashtë. Domethënë, as për sen… Unë tha: mu vet deri në Kukës m’i bjen gjanat në Kukës. Unë fitojmë lekë. Tha: komplet 3000 euro i kemi t’shitna.

E: Po, okej.

B: Këtë muhabet duhet me e kry. Merr vesh?

E: E ke t’kryme mo vlla.

B: U kry. Kur t’them unë, as nuk dua me ba… (fillon të numërojë shumën prej 2000 eurosh)

Një mijë e njëqind… kqyrëm… një mijë e dyqind… një mijë e treqind… një mijë e katërqind… një mijë e pesëqind… një mijë e gjashtëqind… një mijë e shtatëqind… një mijë e tetëqind… një mijë e nëntëqind… dy mijë. Pa asnjë cent jam ngel. Ngom.

E: Hë.

B: Unë jam tu ik për Kosovë. Unë atij zotnisë po i them, se ai e ka pa një monstër atje. Ta bi unë, i them prapë një monstër. Edi, kjo punë duhet me u kry mrena pesë-gjashtë ditësh, se e kemi ujdhin në dorë me lek, me krejt.

E: Po monstrën, unë nuk muj me i marrë prapë monstrën. Unë shqip po flas.

B: Po me atë që m’ke thënë njëherë o vlla… bjerma, the, deri në Kukës… ti duhet me shku me fol. Unë i çoj gjërat në Kukës, i bjen ti. Unë s’dua me ditë kush është ai, te kush është, unë dua me pas punë veç me ty. I kapëm lekët. Është vlerë e madhe dhe mu ma lehtëson anën time o burrë.

E: Okej.

B: Se m’ke thënë: me një mijë e tetëqind i marr. A m’ke thënë me atë shumë?

E: Po, me aq burrash, nuk t’dal llafit unë. Ç’e aq, ç’a t’kam thënë… aq. Aq m’ka thonë… aq shkoj e marr.

Nga analizimi i përmbajtjes së bisedës, krahas dhënies së shumës prej 2 mijë eurosh eurosh nga shtetasi B.S. shtetasit Edison Pema krijohen dyshime se ky i fundit mund të sigurojë një sasi prej 17 (shtatëmbëdhjetë) kilogramësh lëndë narkotike cannabis-sativa me qëllim tregtimin e saj në vlerën 3000 (tremijë) euro kilogrami. Ky veprim nuk është kryer pasi në datë 04.07.2025 Edison Pema ka komunikuar me shtetasin B.S. dhe i ka thënë se i ka ardhur një sms në telefon dhe i thote te mos merret me kosovarin.

 

Video

Avokati i Tik Tok-ut kundër Gjykatës Kushtetuese

Motoristët që punojnë për platformën e shpërndarjes Wolt në Shqipëri kanë nisur protesta ditët e fundit, duke ngritur shqetësime për kushtet e punës dhe pagesat. Ata pretendojnë se kushtet e punës janë të vështira dhe pagat të ulëta, duke shprehur shqetësimin se kompanitë po punësojnë gjithnjë e më shumë punëtorë të huaj me paga minimale.

Këto janë pamjet nga vendngjarja në Lezhë, pas shpërthimit me lëndë plasëse në automjetin e një efektivi policie. Sipas informacionit paraprak, rreth orës 05:55 dyshohet se një sasi lënde plasëse është vendosur në një automjet të parkuar tip “Volkswagen Golf”, në pronësi të shtetasit me inicialet G. Gj., 41 vjeç, punonjës policie në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë. Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar vetëm dëme materiale, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar.

Ndeshja mes Flamurtari FC dhe KF Elbasani është mbyllur mes tensioneve dhe incidenteve në stadium. Gjatë takimit nuk munguan përplasjet në distancë mes tifozerive, ndërsa në përfundim të ndeshjes pati edhe konfrontime në hollin e stadiumit, fillimisht mes lojtarëve dhe më pas edhe mes një pjese të tifozëve të të dy skuadrave. Në këtë ndeshje ishin të angazhuara forca të shumta policie për të garantuar rendin dhe sigurinë. Policia ndërhyri për të qetësuar situatën brenda stadiumit dhe më pas largoi tifozët edhe në zonën jashtë tij. Sa i përket rezultatit sportiv, ndeshja përfundoi me fitoren 2–1 të KF Elbasani

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme