Politika 2 October 2024, 20:06 Nga VNA

Partitë e reja në Shqipëri, shpresë për ndryshim apo strategji elektorale?

Ndaje në Whatsapp
Partitë e reja në Shqipëri, shpresë për ndryshim apo

Në Shqipëri, para çdo fushate elektorale, “mbijnë” parti të reja politike. Shumica e tyre formohen nga të pakënaqurit e partive tradicionale, të cilët i shohin zgjedhjet si një mundësi që, edhe nëse nuk fitojnë, të prishin punë partive mëmë. Ka nga ata që besojnë se mund të fitojnë, disa e shohin si aventurë, dhe të tjerë e trajtojnë thjesht si një pazar.

Këtë herë, partia më e re që ka hyrë në arenën politike quhet “Aleanca Kombëtare Shqiptare,” themeluar nga Inida Gjata, e njohur me emrin e artit “Zhaku,” dhe historiania Elena Kocaqi. Në një intervistë për mediat, Zhaku, e cila jeton prej vitesh në Gjermani, ka shprehur besimin në një fitore të sigurt, duke premtuar se do të rikthehet me kohë të plotë për të drejtuar në politikë. Po aq entuziaste duket të jetë edhe bashkëudhëtarja e saj në politikë, Elena Kocaqi, e njohur për deklaratat e saj ekzotiko-historike.

Por kjo parti nuk është e vetmja që po shfaqet para zgjedhjeve të 2025-ës. E para që u transformua nga lëvizje në parti politike ishte “Lëvizja Bashkë,” e drejtuar nga Arlind Qori, që mori pjesë në zgjedhjet e kaluara lokale. I njohur për qëndrimet kundër partive të vjetra politike dhe oligarkëve, Qori dhe partia e tij arritën të grumbullonin 13,851 vota, një rezultat i konsideruar i kënaqshëm për një lëvizje të re. Në zgjedhjet e ardhshme, “Lëvizja Bashkë” do të jetë një alternativë e vetme dhe pa aleatë. Kryetari Arlind Qori ka përjashtuar çdo mundësi bashkëpunimi, edhe me dy subjekte të tjera të reja që mund të jenë të pranishme. Njëra prej tyre është “Shqipëria Bëhet,” e drejtuar nga avokati Adriatik Lapaj, i cili në daljet publike fokusohet te korrupsioni dhe kundërshtimi i partive tradicionale. Si alternativë, Lapaj prezanton një model të pakorruptuar, por ende të paprovuar.

Një tjetër parti e re që pritet të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme është “Nisma Thurrje,” e drejtuar nga Endri Shabani. Ai dhe Adriatik Lapaj nuk kanë fshehur simpati për njëri-tjetrin dhe kanë diskutuar për mundësinë e bashkëpunimit.

Një tjetër formacion politik i ri është partia “Mundësia,” e krijuar nga Agron Shehaj, një deputet i zgjedhur nga listat e PD-së. Shehaj, pas humbjes në garën për kryetar partie ndaj Lulzim Bashës, u bashkua me Foltoren e Berishës, por pa u zgjedhur në asnjë forum drejtues. Pas kësaj, ai formoi partinë e tij, e cila ende nuk ka prezantuar një program të plotë.

Këto “kërpudha” politike që mbijnë para “shiut” elektoral duket se po shihen me kuriozitet nga publiku, i cili është i lodhur dhe indiferent ndaj politikës së ditës dhe retorikës së njëjtë të partive, qoftë të reja apo të vjetra. Në rastin më të mirë, këto parti të reja mund të grumbullojnë votat e të zhgënjyerve nga politika tradicionale dhe optimistëve që mbështesin emrat e rinj. Por kodi i ri elektoral, i miratuar me konsensus nga PD dhe PS, i ndëshkon partitë e vogla. Në skenarin më të mirë, vetëm duke u bashkuar dhe mbledhur votat e tyre, ato mund të sigurojnë një vend në parlament. Në skenarin më të keq, ato mund të kenë fatin e partive si ato që krijuan Gjergj Bojaxhiu dhe Jozefina Topalli para zgjedhjeve, që nuk arritën të fitojnë ndonjë deputet, por gjithsesi llogaritë nuk dolën aq keq dhe në fund partitë u zhdukën. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë këtë herë me premtimet, qëndrimet dhe votimet për partitë e reja dhe drejtuesit e tyre.

 

 

 

Video

Mijëra qytetarë në “Marshin për Liri” në Prishtinë, mbështetje për ish-krerët e UÇK-së Ka nisur në Prishtinë tubimi në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në prag të shpalljes së aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Tubimi zhvillohet në shenjë solidariteti me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Momente tensioni janë regjistruar sot në Vlorë, gjatë protestës kundër ndërtimit të Muzeut Hebraik Shqiptar. Protestuesit kanë tentuar të hyjnë në kantierin ku po zhvillohen punimet, por janë ndaluar nga forcat e policisë. Situata ka sjellë përplasje dhe tension mes efektivëve dhe qytetarëve të mbledhur në protestë.

Vila e Ballukut në Palasë “përtej lejes së ndërtimit”, emaili që zbulon ndryshimet në projektin luksoz të sekuestruar nga SPAK.

Momente paniku janë regjistruar gjatë një fluturimi të Turkish Airlines, pasi avioni është përballur me turbulenca të forta. Lëkundjet e njëpasnjëshme dhe të dhunshme kanë shkaktuar frikë mes pasagjerëve, ndërsa disa prej tyre nuk kanë mundur ta fshehin panikun gjatë momenteve të tensionit. Pamjet nga brenda kabinës tregojnë situatën e krijuar teksa avioni kalonte në zonën e turbulencave. Turbulencat janë një fenomen i zakonshëm gjatë fluturimeve, por kur janë të forta mund të shkaktojnë lëkundje të menjëhershme dhe situata frike mes udhëtarëve.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme