
Marrë nga Kafe.al
Erion Veliaj sot është në qendër të një beteje politike dhe juridike që ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik. Kundër tij janë ngritur akuza nga më të rëndat që mund të përballojë një zyrtar i zgjedhur në Republikën e Shqipërisë. Janë akuza që, nëse vetëm një pjesë e tyre provohet në gjykatë, e çojnë drejt një dënimi që mund të kalojë 15 vjet burg. Ky është realiteti penal i Veliajt.
Por përtej këtij realiteti të ashpër, ekziston një tjetër aspekt, më pak i dukshëm, por politikisht shumë i rëndësishëm: mënyra sesi po organizohet shkarkimi i tij. Dhe pikërisht këtu qëndron paradoksi: pavarësisht se çfarë mund të ketë bërë, Veliaj ka fatkeqësisht të drejtë kur ankohet për mënyrën sesi po i merret posti.
Në çdo demokraci, funksionarët e zgjedhur kanë një mbrojtje të dyfishtë: nga ligji dhe nga vota e qytetarëve. Një kryetar bashkie nuk është thjesht një drejtor administrate, por një zyrtar që ka marrë besimin e qindra mijëra qytetarëve. Për këtë arsye, shkarkimi i tij duhet të bëhet me kritere shumë të qarta dhe me respekt të plotë për ligjin.
Në rastin e Veliajt, ky standard nuk është respektuar. Ai ka munguar në detyrë për më shumë se tre muaj, gjë që sipas ligjit përbën bazë për shkarkim. Por ky shkarkim nuk ndodhi më 10 maj , datë kur mbushej afati ligjor. Ndodhi katër muaj më vonë, në fund të shtatorit, pas një mbledhjeje të thjeshtë partie ku vendimi u mor nga autokrati Edi Rama dhe iu imponua Këshillit Bashkiak.
Kjo vonesë, kjo zgjedhje selektive për ta përdorur ligjin kur i intereson politikës, është arsyeja pse Veliaj ka të drejtë të thotë se procesi është i padrejtë. Sepse nuk është më ligji që po e shkarkon, por një vendim politik i marrë në zyrat e selisë së PS-së.
Një element tjetër që tregon se Veliaj po luan një betejë më të madhe sesa ajo brenda Shqipërisë është letra që ai i dërgoi Këshillit Bashkiak për t’u dëgjuar ditën e shkarkimit. Nuk ishte një letër për të shpëtuar postin, sepse e dinte se rezultati ishte i paracaktuar. Ishte një letër për të krijuar bazën e një ankimi të ardhshëm në Gjykatën e Strasburgut.
Kjo nuk është hera e parë që Shqipëria përballet me vendime të Strasburgut që e nxjerrin zbuluar shtetin shqiptar. Çdo vendim i marrë jashtë kritereve të ligjit, çdo vendim i imponuar politikisht dhe jo procedurialisht, shndërrohet më pas në një kosto financiare dhe morale për vendin. Dhe në këtë rast, gjasat janë që Veliaj, sado i sulmuar në planin e brendshëm, të dalë fitimtar në betejën ndërkombëtare.
Një nga elementët më të dhimbshëm të këtij procesi është sjellja e këshilltarëve socialistë në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Shumica prej tyre janë aty falë Veliajt: ai i ka zgjedhur, ai i ka futur në lista, ai u ka dhënë një karrierë politike. Sot, ata do të ulin kokën dhe do të votojnë kundër njeriut që i solli aty.
Ky është një tregues i një klase politike të djegur, pa integritet, pa ide, pa moral-fatkeqesisht ata jane shumica te rinj. Janë thjesht ushtarë që ecin sipas urdhrave të partisë, edhe kur e dinë që vendimi është i padrejtë. Ky fenomen nuk është i ri në politikën shqiptare, por rasti i Veliajt e bën më të dukshëm se kurrë më parë: Shqipëria ka prodhuar një elitë të re politike që nuk i del zot as vetes, as qytetarëve, por vetëm udhëheqësit autorkat.
Pyetja më e madhe është: çfarë duhet të bëjë opozita në Këshillin Bashkiak?
Në pamje të parë, është tundues që opozita të marrë pjesë dhe të votojë për shkarkimin e Veliajt. Kjo do të dukej si një fitore politike ndaj një kundërshtari të fortë. Por në të vërtetë, kjo është një grackë e Ramës.
Arsyet janë të qarta:
1. Shkelja e ligjit nga mazhoranca, Opozita e ka kërkuar shkarkimin prej muajsh, por ajo kërkesë u injorua. Të marrë pjesë tani në votim, do të thotë të legjitimojë shkeljen dhe selektivitetin e pushtetit.
2. Loja e Ramës , Kryeministri e ka projektuar këtë proces për të vrarë politikisht Veliajn dhe për të dalë vetë i pastër. Pjesëmarrja e opozitës do ta bënte këtë skemë më të besueshme.
3. Zgjedhjet e pjesshme, Opozita duhet të mendojë për të ardhmen. Zgjedhjet e pjesshme në Tiranë janë afër. Një përplasje e hapur mes Ramës dhe Veliajt do ta dëmtonte më shumë kryeministrin sesa ish-kryebashkiakun. Në këtë kuptim, opozita përfiton më shumë duke mos marrë pjesë, duke e lënë PS-në të fundosë vetë njeriun e saj.
Nëse opozita bojkoton, dërgon disa mesazhe të qarta tek i burgosuri qe ka ende njerëz jashtë, struktura dhe besnikë :
• Nuk bëhet pjesë e lojërave të Ramës.
• Nuk legjitimon një proces politikisht të manipuluar.
• Ruajon kapitalin e saj për zgjedhjet e ardhshme.
Veliaj është politikisht i rrenuar dhe juridikisht i fundosur. Por mënyra sesi po shkarkohet e bën barrën më të rëndë për Ramën sesa për të. Sepse në fund të ditës, historia do ta kujtojë këtë proces jo si “shkarkimi i Veliajt”, por si një akt i njëanshëm i kryeministrit që përdori pushtetin për të eliminuar një rival të brendshëm.
Veliaj mund të ketë bërë shkelje të rënda. Ai mund të jetë fajtor për shumë prej akuzave që rëndojnë mbi të. Por kjo nuk justifikon që shkarkimi i tij të bëhet jashtë ligjit, në mënyrë selektive dhe me vendim politik. Demokracia nuk funksionon kështu.
Nëse opozita është e mençur, duhet ta kuptojë këtë lojë dhe të mos bëhet pjesë e saj. Shkarkimi i Veliajt është i pashmangshëm. Por mënyra sesi ndodh ky shkarkim, do të përcaktojë jo vetëm fatin e tij, por edhe imazhin e demokracisë shqiptare qe po neperkembet nga nje autokrat.
Prandaj sot, në këtë ironi të madhe të historisë, Veliaj ka fatkeqësisht dhe dramatikisht të drejtë.