Opinion 11 September 2025, 13:22 Nga VNA

Rama si përvetësues i gjithçkaje: integrimi europian si refleks i një pushteti totalizues

Ndaje në Whatsapp
Rama si përvetësues i gjithçkaje: integrimi europian si refleks

Nga Neli Demi

Kur Edi Rama flet për integrimin europian, nuk flet vetëm për një proces politik e burokratik. Ai flet si njeriu që ka marrë përsipër ta mishërojë vetë Europën por jo gjithmonë si horizont, shpesh si kundërfigurë. Në fillim të qeverisjes së tij, retorika ishte e thjeshtë: BE ishte modeli, udhërrëfyesi, dritarja e vetme e së ardhmes. Shqipëria duhej të transformohej që të përshtatej me “shtëpinë e madhe europiane”.

Sot, gjuha e tij ka ndryshuar. Rama nuk i mëshon më veçoritë kulturore të integrimit apo burokracisë europiane. Ai përdor një ton tjetër: sikur Shqipëria të ketë përqafuar tashmë thelbin e BE-së, ndërsa Bashkimi Evropian mbetet vonuesi, penguesi, “rrugëdalja” që nuk hapet. Në këtë zhvendosje, integrimi bëhet më shumë një skenë e brendshme sesa një proces ndërkombëtar.

Kjo strategji nuk është e rastësishme. Ajo lidhet me rolin që Rama i ka dhënë vetes në këto 12 vite: rolin e përvetësuesit të gjithçkaje. Ai nuk është vetëm kryeministër; është gjithashtu komentatori kryesor i futbollit kombëtar, kuratori i artit publik, arkitekti i qyteteve, kritik i medieve, interpretues i kulturës, madje edhe arbitri i së bukurës e së shëmtuarës. Rama ka ndërtuar një sistem ku ai nuk është thjesht në krye të qeverisë, por edhe në krye të narrativës që e shpjegon këtë vend.

Në këtë kuptim, edhe integrimi europian nuk është më një proces institucional me shumë aktorë si shoqëria civile, opozita, administratat e niveleve të ndryshme, media por një projekt që buron e mbaron te Rama. Ai është interpretuesi, mbrojtësi dhe, në të njëjtën kohë, kritiku i tij. Në vend që të artikulojë një vizion të hapur për shoqërinë shqiptare, ai i flet drejtpërdrejt një publiku të brendshëm që gjithnjë e më shpesh ushqen skepticizëm ndaj BE-së. Kështu, Rama pozicionohet si njeriu që “na ka futur tashmë në Europë” me reformën, me artin, me urbanizimin ndërkohë që Europa e jashtme vonon dhe zhgënjen.

Kjo përvetësim i integrimit shërben si mekanizëm i dyfishtë: së pari, i lejon Ramës të ruajë simpati te publiku euroskeptik që rritet për shkak të lodhjes nga pritja; së dyti, e bën atë të pazëvendësueshëm brenda skenës politike, sepse në një vend ku çdo gjë kanalizohet përmes tij, nuk mbetet hapësirë për një opozitë reale. Opozita e brendshme, shoqëria civile, intelektualët kritikë nuk kanë më një fjalë autonome: Rama i ka përthithur si “temë” për të demonstruar aftësinë e tij për t’i interpretuar dhe shpesh ridrejtuar.

Në këtë mënyrë, Rama nuk është më thjesht kryeministri që udhëheq Shqipërinë drejt BE-së. Ai është vetë përfaqësuesi i Shqipërisë si subjekt politik, kulturor dhe estetik. Dhe në këtë logjikë, çdo deklaratë e tij për Europën nuk është vetëm diplomaci por është në thelb një akt pushteti brenda, një mënyrë për të rikonfirmuar se Shqipëria flet vetëm me një zë: të tijin.

 

Video

Dokumentari “NAZA”, i cili trajton përdorimin e inteligjencës artificiale nga ushtria izraelite gjatë sulmeve në Gaza, u prit me 25 minuta duartrokitje në këmbë në Festivalin e Filmit në Venecia, më 10 shtator. Publiku brohoriti dhe valëviti flamuj palestinezë gjatë shfaqjes së filmit. I realizuar nga gazetarët izraelitë Yuval Abraham dhe Rachel Szor, dokumentari e merr titullin nga një term ushtarak izraelit që, sipas autorëve, lidhet me numrin e viktimave civile të parashikuara dhe të konsideruara të pranueshme përpara një sulmi. I xhiruar gjatë natës në tarracat e ndërtesave të Tel Avivit, filmi pretendon se zbulon sistemet teknologjike që qëndrojnë pas përzgjedhjes së objektivave palestineze në Gaza. Në të përfshihen intervista me oficerë të inteligjencës izraelite, të cilët tregojnë se si sistemet e asistuara nga inteligjenca artificiale përpunonin të dhëna të siguruara nga mijëra telefona celularë të hakuar për të identifikuar objektivat. “NAZA” është në garë për çmimin “Luani i Artë”, fituesi i të cilit pritet të shpallet më 12 shtator.

Vila e fshehur e Belinda Ballukut në Palasë/ SPAK: Arbër Abazi financoi punimet, bashkëjetuesja e tij i mbikëqyrte.

SPAK zbardh emailet për vilën e fshehur të Ballukut/ Punonjësit e Samir Manes ngritën alarmin: Pse prona e Igli Tares po i dorëzohej Lorela Reçit?

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme