Opinion 18 September 2025, 11:09 Nga VNA

Besimi i premtuar, mashtrimi i instaluar

Ndaje në Whatsapp
Besimi i premtuar, mashtrimi i instaluar

Nga Doriana Musai 

Kleri, klerikët, besimi dhe besa përbënin themelin e vlerave të shoqërisë shqiptare para komunizmit. Ky sistem u shpartallua, u përçmua dhe më pas u godit brutalisht nga Enver Hoxha dhe banda e tij në pushtet. Viti 1967 shënoi kthesën e dhunshme: heqja e kishave dhe xhamive nga lista e monumenteve të kulturës, shkatërrimi i tyre dhe burgosja e klerikëve.

Gjashtë dekada më vonë, shoqëria shqiptare ka arritur të rikuperojë këtë plagë të hapur nga diktatura. Liria e besimit është e garantuar dhe institucionet fetare ushtrojnë funksionin e tyre lirisht.

Në vitin 2015, vetëm dy vjet pas ardhjes në pushtet, qeveria e Ramës shpalli një konkurs ndërkombëtar për “Faith Park” – Parkun e Besimit. Rama e quajti atë “Një hapësirë publike, të gjelbër, të mbjellë me të gjitha bimët, lulet dhe pemët që përmenden në Kuran, në Bibël dhe në libra të tjerë të shenjtë”. Në qendër të këtij “arkipelagu” simbolik do të vendosej Piramida e Enver Hoxhës – diktatorit që luftoi fenë dhe e shpalli Shqipërinë “shtetin e parë ateist në botë”.

Ironike! Një regjim që u ngjit mbi retorikën e shembjes së së kaluarës, përqafon simbolin e vetë diktaturës si bosht të një “parku të besimit”. Në të vërtetë, regjimet e reja në Shqipëri kurrë nuk kanë shkatërruar plotësisht simbolet e paraardhësve; i kanë përdorur, i kanë ricikluar dhe i kanë veshur me kuptime të reja për të larë krimet e shokut-shoqit. Asnjëri nga kryeminstrat dhe qeveritë përkatëse nuk hapi plagët e diktaturës për t’i shëruar. Askush nuk hapi dialogun edukativ dhe kulturor me viktimat e regjimit, shqiptarët e burgosur për dekada në Republikën e rrethuar me tela me gjemba. Nga lidhja me Moskën në vitin 1948, te tabula rasa e Rilindjes ramiste, arkitektura dhe arti janë përdorur si armë për të manipuluar kujtesën kolektive.

Postulati “Historia fillon me ne” ka qenë formula vrastare që ka shuar qelizat e vlerave shqiptare. E filloi Hoxha, e vijoi Rama. Pas tij fshihet politika që ka vaporizuar memorien e qytetit, ka fshirë gjurmë, ka deformuar narrativën e përbashkët duke manipuluar historinë. Politika e dhunës mbi historinë nuk ka pushuar: nga shembja e kishave në ’67 tek shembja e Teatrit në 2020, gjithçka ndjek të njëjtën logjikë të fshirjes dhe rishkrimit sipas interesit të pushtetit.

Në vend të besës dhe besimit, sot shqiptarëve u është instaluar si “vlerë” vjedhja, mashtrimi, manipulimi dhe kriminaliteti i strukturuar i cili ka korruptuar shpirtin dhe mendjen e njerëve duke rikthyer moton “ky vend nuk bëhet”.

Ky model qeverisës, i kodifikuar tashmë edhe përmes teknologjive të “memories artificiale”, imponon një kulturë ku vjedhja shihet si zgjuarsi, mashtrimi si aftësi dhe dhuna si pushtet.

Pesë vjet pas shkatërrimit të shtëpisë së kulturës dhe artit, Teatrin, Rama sjell në banesën e Toptanasve idenë e Muzeut të Artit Islam, edhe pse vetëm 2 vjet më parë kishte shpallur idenë e Muzeut Etnografik të Tiranës – me justifikimin e të cilit shpronësoi pronarët legjjtim, me të njëjtën dhunë ligjore me të cilën Hoxha kolektivizoi dhe sekuestroi pronat që në lindje të diktaturës.

Por ajo kohë nga kjo kohë dallojnë shumë nga njera-tjetra. Në operacionin e fshirjes së kulturës dhe memories Rama kishte krah të djathtë Veliajn. Sot bashkëpunëtorin e ka në burg dhe për tu ndarë ndoshta edhe prej tij, dhe krimeve që la pas, do të duhet instalur një ide e re, një projekt i ri. Do të duhet të rilindë sërish, tashmë i vetëm në podium, me anë të një besimi të ri.

Andaj, një dekadë pas, reflektojmë se nëse Parku i Besimit do të kishte qenë një projekt i sinqertë për pajtim dhe rikthim të vlerave shpirtërore, sot, pas një dekade, ai do të kishte lënë gjurmë reale në qytet. Por mbetet thjesht një kujtim propagandistik, një mashtrim i shitur si vizion, pa projekt, pa realizim, pa jetë. Një park që s’u bë kurrë, por që la pas një të vërtetë të hidhur që në Shqipëri, besimi është shndërruar në dekor, ndërsa mashtrimi ka marrë statusin e vlerës së vetme të përbashkët.

Në fund të ditës, pyetja nuk është pse “Parku i Besimit” nuk u bë kurrë, por pse qytetarët vazhdojnë ta pranojnë këtë lojë me vlerat dhe simbolet e historisë, me pronat e tyre dhe me kujtesën kolektive. Sepse aty ku besimi kthehet në dekor dhe mashtrimi në normë, rreziku më i madh nuk është më pushteti që manipulon, por shoqëria që mësohet të jetojë në mashtrim.

 

Video

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar sot në Kaninë , ku janë përfshirë tre automjete. Si pasojë e përplasjes, automjetet janë përfshirë nga flakët. Nga aksidenti ka humbur jetën shtetasi Flamur Kabello, i cili udhëtonte me automjetin tip BMW. Ndërkohë, në spital janë transportuar drejtuesi i mjetit tip Benz dhe katër shtetas egjiptianë që udhëtonin me të, të cilët po marrin ndihmën mjekësore. Sipas dyshimeve paraprake, aksidenti mund të jetë shkaktuar nga një manovër e gabuar dhe shpejtësia e lartë e njërit prej mjeteve të përfshira, ku dyshohet se bëhet fjalë për automjetin tip Benz. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.

Blogerja e njohur Dea Mishel, ish banore e Big Brother i përgjigjet Edi Ramës …

Protestuesit vijojnë rrugëtimin nëpër Tiranë teksa pritet të rimblidhen para Kryeministrisë

Qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme