Opinion 2 October 2025, 16:49 Nga VNA

Problemi me "what-about-ism"-in shqiptar rreth Gazas

Ndaje në Whatsapp
Problemi me "what-about-ism"-in shqiptar rreth Gazas

Nga Bjorn Runa

Në debatin publik ekziston një dredhi e retorikës, e njohur në anglisht si “what-about-ism,” e cila funksionon përmes largimit të vëmendjes nga një akuzë aktuale drejt një problemi tjetër: kur dikush bën një kritikë, reagimi pasues nuk është sqarim, por pyetja e menjëhershme “po për këtë padrejtësinë tjetër përse nuk flet?” apo “përse nuk proteston edhe për këtë?” Thelbi i një truku të tillë nuk është përfshirja në debat, por relativizimi i shqetësimit fillestar, në një përpjekje për ta bërë atë të tingëllojë i pakuptimtë, thjesht sepse nuk pasohet nga një listë e pafundme kritikash e protestash ndaj çdo të keqeje që ndodh rreth nesh.

Ky është një mekanizëm, i cili shfaqet prej disa kohësh, tashmë me një cinizëm shqetësues, nga figura publike, gazetarë dhe në thelb opinionbërës në hapësirën publike shqiptare, sa herë që komentohet genocidi në Gaza. Dredhi të tilla retorike thirren përgjithësisht në ndihmë kur gjendesh përballë një presioni të madh për të justifikuar të pajustifikueshmen, por ajo që të bën përshtypje tek ne është fakti se në shumicën e rasteve, askush prej tyre nuk është vendosur në ndonjë trysni aq të madhe për të komentuar atë që ndodh në Gaza.

Madje, është një temë që, edhe pse zë vëmendjen më të madhe të medias ndërkomëbtare – siç do të duhej të ndodhte natyrisht me një genocid që transmetohet direkt 24/7 dhe prapë bota hesht – në shumicën e mediave shqiptare fatkeqësisht zë vendin më pak të rëndësishëm. Megjithatë, mes një numri të konsiderueshëm figurash publike duket se ekziston etja për të ndëryhrë vullnetarisht në diskutim, duke i parë gjërat thuajse gjithmonë brenda së njëjtës kornizë. Kështu, protestat e solidaritetit etiketohen si hipokrizi, sa kohë nuk ndodh një protestë identike në lidhje me një kauzë tjetër; ndalimi disa herë i përpjekjeve të aktivistëve vullnetarë për të dërguar ndihma në Gaza përmes rrugëve detare, shpërfillet sa kohë nuk bëhen përpjekje të tilla për të dërguar ndihma edhe në shtete të tjera që përballen me bllokada apo sanksione të rënda nga Perëndimi (ironikisht, askush nuk pyet se përse vendosen bllokada që pengojnë furnizimin me ushqim apo medikamente në këto vende, kur dihet që sanksione të tilla prekin shtresat më të varfëra të popullsisë dhe jo udhëheqësit politikë që sanksionet synojnë të dëmtojnë). Ndërkaq, aktivistët e flotës “Global Sumud” përshkruhen rëndom si ekstremistë të majtë, apo turistë që lundrojnë nëpër Mesdhe duke pirë birra apo tymosur bar, sikur kjo t’i bënte të pavlefshme përpjekjet e tyre për të çarë një bllokadë çnjerëzore. Të gjitha këto na paraqiten në ekrane dhe artikuj gazetash si “vështrime kritike,” ndonëse në të vërtetë s’janë tjetër veçse strategji shpërqëndrimi, të dizenjuara për të mos lejuar që zemërimi ndaj një çështjeje të caktuar të mos zgjasë kurrë aq sa të bëhet i rëndësishëm.

“What-about-ism”-i shkon përtej përthyerjes së një argumenti. Ai krijon kushtet e duhura për të larguar vëmendjen nga problemi, duke e shndërruar çdo protestë në çështje ekuilibri (po nuk pate protestuar njësoj për diçka tjetër, atëherë protesta aktuale nuk ka pikë rëndësie). Njëkohësisht, e ngërthen publikun në një cikël të pafundmë zemërimesh, duke mos i lënë kurrë mjaftueshëm kohë të kërkojë llogari për të keqen që po ndodh para syve të tyre. Pastaj, kur sheh se e njëjta klimë shpërqëndrimesh përforcohet nga sponsorizime aktivitetesh kulturore dhe spektaklesh turistike që pastrojnë imazhin e vendit, duke mbartur vetë gjurmët e një sërë institucionesh zioniste, atëherë nis e bëhet më e qartë se nuk kemi të bëjmë vetëm me një përpjekje për të ndryshuar rrjedhën e debatit, por me një përpjekje për të formësuar vetë terrenin ku ky debat është i mundur.

Lexo gjithashtu

Video

Punojmë 8 orë në shtet…pastaj të gjithë te Spitali Amerikan

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme