Opinion 22 Shtator 2025, 17:56 Nga VNA

Paqartësia e Shqipërisë me Palestinën

Ndaje në Whatsapp
Paqartësia e Shqipërisë me Palestinën

Nga Ditmir Bushati

Palestina do të jetë “elefanti në dhomë”, gjatë takimit vjetor të Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që nis këtë javë. Disa shtete të mëdha perëndimore si Mbretëria e Bashkuar, Franca, Kanadaja, Australia, Zelanda e Re lajmëruan njohjen e saj. Të njëjtën gjë po bëjnë edhe Portugalia, Belgjika, Luksemburgu, Malta, San Marino dhe Andorra.

Deri më tani shtetësia palestineze është një prej çështjeve më të debatuara në OKB. Palestina gëzon njohje ndërkombëtare prej më shumë se gjysmës së vendeve anëtare të OKB-së, gjë që i lejon asaj të mbajë misione diplomatike jashtë vendit dhe të marrë pjesë pjesërisht, si shtet vëzhgues, në OKB. Megjithatë, asaj i mungojnë kufijtë e sanksionuar nga rezoluta e OKB-së e vitit 1948, një ushtri, një kryeqytet dhe sovranitet i plotë për shkak të konfliktit të vazhdueshëm me Izraelin.

Pse këto njohje tani?

Të gjitha këto vende historikisht kanë treguar mbështetje të fortë për Izraelin. Madje, një dekadë më parë, asnjë prej këtyre shteteve nuk votoi në mbështetje të statusit të vëzhguesit të Palestinës në OKB. Por skenat e urisë në Gaza dhe zemërimi në rritje për egërsinë e fushatës joproporcionale ushtarake të Izraelit në përgjigje të sulmeve terroriste të 7 tetorit të Hamasit, kanë ndryshuar opinionin publik në shumë prej këtyre vendeve.

A do ta ndryshojnë këto njohje situatën në tërren?

E vështirë. Gjithsesi, fakti që vendet e fuqishme të G7-ës e ndërmarrin këtë hap për herë të parë sinjalizon një ndryshim të valës në Perëndim, veçanërisht midis disa prej mbështetësve më të vendosur të Izraelit. Kjo gjithashtu i jep Palestinës mbështetjen e katër prej pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Njohja e Palestinës nga këto shtete argumentohet me "riafirmimin e të drejtës së popullit palestinez për vetëvendosje" dhe si kontribut për një zgjidhje me dy shtete. Ndërkohë që mbështetësit e Izraelit argumentojnë se zgjidhja me dy shtete nuk mund të vijë si shpërblim ndaj Hamasit, dhe pa zhdukjen e plotë të tij nuk mund të ketë as armëpushim e as dialog që i prin një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe përfundimtare.

Po ne?

Megjithëse e ka njohur shtetin e Palestinës në vitin 1988, kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 2012 votoi për t’i dhënë Palestinës statusin e shtetit vëzhgues jo-anëtar, Shqipëria abstenoi. Në vitin 2018, Shqipëria votoi në mbështetje të rezolutës që hidhte poshtë vendimin për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. Gjatë përshkallëzimit të luftës në Gaza, qëndrimi i Shqipërisë u bë edhe më i paqartë duke reflektuar mungesë koherence në votimet në OKB, dhe ç’është më e keqja, mungesë ndjeshmërie ndaj disa parimeve të cilat Shqipëria i ka promovuar për shkak të historisë së popullit shqiptar.

Në maj dhe shtator të vitit 2024, kur Asambleja e Përgjithshme miratoi rezoluta për pranimin e Palestinës si anëtare me të drejta të plota, Shqipëria sërish abstenoi. Shqipëria nuk mbështeti deklaratën e New York që doli nga punimet e Konferencës së Nivelit të Lartë dhe abstenoi për rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të 12 shtatorit 2025 që mbështet zgjidhjen me dy shtete (Izrael/Palesintë). Madje, Shqipëria abstenoi edhe në votimin e rezolutës të 19 shtatorit 2025, për pjesëmarrjen e Palestinës në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të këtij viti.

Vota abstenuese në kushtet kur Shqipëria e njeh Palestinën, dhe është shprehur vijimësisht se mbështet një zgjidhje me dy shtete, përforcon perceptimin e një politike të jashtme kameleonike, nën diktatin e bursës së politikës së brendshme.

Një nga sfidat e politikës së jashtme është koherenca dhe qëndrueshmëria në raport me parimet që mbrojmë dhe interesat që kemi, duke ruajtur njëkohësisht aleancat me partnerët strategjikë. Kjo kthehet në domosdoshmëri, sidomos në një kohë të pasigurtë kur referencat ndryshojnë vazhdimisht. Ndërsa objektivat dhe aspiratat tona përbëjnë horizontin e politikës së jashtme, parimet dhe qëndrueshmëria e orientimeve tona duhet të jenë vija kufizuese e përcaktuese të horizontit.

Të kuptohemi, Shqipëria është një vend i vogël që nuk ka në dorë zgjidhjen e konflikteve të ndërlikuara. Por që të veprojmë me seriozitet dhe të demonstroimë qartësi strategjike është detyrimi ynë. Të tilla çështje kërkojnë drejtpeshimin e interesave dhe parimeve që kemi promovuar ndër vite, pasi në lojë është pjekuria dhe vazhdimësia e shtetit, aftësia për t’u orientuar siç duhet në një botë që ndryshon vazhdimisht.

Dënimi pa asnjë mëdyshje i veprimeve terroriste të Hamasit, respekti për civilët e pafajshëm, parimet dhe rregullat e të drejtës ndërkombëtare të shpërfillura në katastrofën humanitare në Gaza, dhe një riafirmim i një zgjidhjeje me dy shtete Izrael/Palestinë, do të ishte një qëndrim i drejtë, i moralshëm, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. E në të njëjtën kohë, në respekt të historisë sonë me hebrenjtë e strehuar në Shqipëri gjatë nazizmit dhe partneritetit të farkëtuar ndër vite me shtetin e Izraelit.

 

Video

Donald Trump u përplas me ambasadorin e Australisë në Shtetet e Bashkuara, Kevin Rudd, gjatë një deklarate me gazetarët që mbulonin vizitën e kryeministrit australian Tony Albanese në Uashington. Gjatë konferencës, një gazetar australian e pyeti presidentin amerikan nëse kishte ndonjë shqetësim në lidhje me qeverinë australiane — veçanërisht për shkak të komenteve kritike që Rudd kishte bërë në të kaluarën për të, kohë kur ai shërbente si kryeministër. Trump reagoi menjëherë duke thënë: “As mua nuk më pëlqen, dhe ndoshta nuk do të më pëlqesh kurrë.” Komentet kritike të Rudd ndaj Trump datojnë në vitin 2020, kur ai e kishte cilësuar atë në rrjetet sociale si “presidentin më shkatërrues në histori”. Postimi u fshi më vonë, por duket se nuk është harruar nga presidenti amerikan.

Një tornado e fuqishme ka goditur rajonin Val d’Oise, në veri të Parisit, ku një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur. Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur dy vinça gjigantë rrëzohen nga forca e erës, ndërsa dëmet materiale në zonat e prekura janë të konsiderueshme. Tornado e rrallë për këtë rajon ka shkaktuar panik në disa zona të periferisë së Parisit, ndërsa ekipet e emergjencës janë në terren për të ndihmuar të prekurit dhe për të vlerësuar shkallën e dëmeve. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë të sigurt dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme derisa situata të stabilizohet.

Një granatë dore e periudhë së Luftës ka shpërthyer sot në fshatin Gështenjas të Pogradecit, duke plagosur një 49-vjeçar. Gentian Yzellari po punonte në oborrin e banesës së tij kur gjatë punës me një mjet bujqësor ka aktivizuar aksidentalisht një granatë dore që ndodhej nën tokë. Si pasojë e shpërthimit, ai ka pësuar dëmtime në trup dhe në fytyrë. Yzellari po merr trajtim mjekësor në Spitalin e Pogradecit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që po shqyrtohet mundësia e transportimit të tij drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.

Një avion i kompanisë Air China u detyrua të bënte një ulje emergjente pasi një bateri brenda në një çantë dore shpërtheu në flakë gjatë fluturimit. Incidenti ndodhi në një linjë ajrore që udhëtonte nga aeroporti i Hangzhou drejt Koresë së Jugut, duke shkaktuar panik mes pasagjerëve. Një pasagjer tha se dëgjoi një shpërthim të fortë disa sekonda para se të shpërthente zjarri në ndarjen e sipërme të bagazheve. Pavarësisht situatës së rrezikshme dhe tymit që mbushi kabinën, asnjë pasagjer nuk u lëndua, ndërsa piloti realizoi një ulje të sigurt emergjente. Kompania tha se po heton shkakun e incidentit dhe do të forcojë kontrollet për pajisjet elektronike në bord.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme