Opinion 23 Shkurt 2026, 13:32 Nga VNA

Mbi islamofobinë si sëmundje, sidomos në Kosovë

Ndaje në Whatsapp

Mbi islamofobinë si sëmundje, sidomos në Kosovë

Nga Fitim Zekthi

Islamofobia është një sëmundje e keqe, e poshtër, e shemtuar. Ajo është një formë racizmi. Si çdo racizëm, ajo ka për burim frikën nga humbja e statusit, frikën për humbjen e rolit zakonisht dominues në shoqëri dhe komunitet etj. Racizmi bën një kategorizim të menjëhershëm jo logjik të njerëzve. Truri përdor stereotipe për të mos harxhuar shumë energji gjatë procesit të njohjes. Pra, në një farë mënyre ai bën një lidhje të shkurtër (e cila, siç ndodh në fizikën e elektricitetit, bën masë dhe djeg qarkun) për shkak të pafuqisë dhe dembelizmit.

Theodor Adorno thoshte se individët që kanë ankth të lartë, duan dominim, duan rend që i bën ata të sundojnë dhe janë shumë të prirur ndaj paragjykimeve. Kur këta “ndihen” të kërcënuar, këta kërkojnë gjithnjë fajtorë jashtë tyre. Kaq ishte e gjitha.

Shqipëria dhe Kosova (nuk po hyjmë në analizë për botën, se ajo nuk do të mbaronte kurrë) kanë një shkallë të lartë dhe shumë të shfrenuar racizmi në çdo drejtim.

Në Kosovë (në Shqipëri kjo shfaqet më e zbehtë në hapësirat publike padyshim, por ekziston), islamofobia ka kohë që është shtrirë gjerësisht dhe ka zënë vend në hapësirat publike. Gazetarë, profesorë, akademikë etj. dalin herë pas here dhe flasin për Kosovën si një shtet laik i cili nuk duhet të merret me fenë, flasin për fenë si diçka që duhet të jetë çështje private, flasin për islamin si një fe që ka ardhur nga pushtuesit, flasin për krishterimin si një fe më të lartë dhe më perëndimore, flasin kundër thirrjes së ezanit apo kundër mbajtjes së shamisë nga vajzat në shkolla, flasin për islamin si një fe nga e cila mund të lindë, sipas tyre, terrorizmi etj.

Është pak a shumë një sjellje pavloviane që shfaqet shpesh sapo del diçka që ka të bëjë me islamin. Në një rast disa vite më parë, kur po përcillej për në botën tjetër babai i futbollistit të kombëtares, Mërgim Mavraj, apo panë arkivolin e mbuluar me sexhden me të cilën ai falet në të gjallë, vrapuan të thonë se po varroset me flamurin e ISIS-it. E njëjta gjë ndodh çdo vit kur është muaji i Ramazanit. Flasin të shqetësuar se njerëzit masivisht agjërojnë dhe mbyllin dyqanet gjatë ditës, apo se krijohet një atmosferë në një farë mase fetare. Ky vit nisi për arsye të orarit të shkollave, i cili u ndryshua në mënyrë që njerëzit në orën e iftarit të jenë në shtëpi. Një pjesë njerëzish të medias, të jetës publike apo edhe profesorë flasin për çështimin e laicizmit, flasin për Kosovën si vend perëndimor në të cilin feja është dhe duhet të jetë çështje private.

Është e habitshme se si nuk arritën të kuptojnë dot se çfarë do të thotë një shoqëri e lirë, një shoqëri plurale dhe demokratike. Është e habitshme se si edhe kaq vite pas çlirimit nga Serbia, ku vendi është bërë një shtet i lirë dhe demokratik, ekzistojnë këto mendësi të shemtuara totalitare, përjashtuese, raciste.

Është e habitshme se si ka gazetarë dhe profesorë universiteti që nuk arrijnë të kuptojnë, që janë kaq mediokër, që në shumë raste janë edhe kaq injorantë sa nuk e kuptojnë se fetë nuk ndahen dhe nuk duhet të ndahen nga shoqëria dhe shteti në të mira dhe të këqija, në perëndimore dhe lindore, në paqësore dhe terroriste. Fetë janë fe, janë pjesë e thellë dhe e pandashme e mënyrës se si ndërtohet identiteti i shumë njerëzve dhe i shoqërisë. Duke qenë kështu, shoqëritë zgjedhin të mos shajnë asnjë fe si e keqe në vetvete (kur individë të një besimi bëjnë budallallëqe është çështje tjetër. Ata duhen përbuzur, por jo feja).

 

Si nuk kuptuan dot asnjëherë se nuk ka kultura inferiore dhe kultura superiore. Çfarë gazetaresh apo çfarë profesorësh (ka patur me titullin akademik që kanë thënë marrëzira të tilla) janë këta që nuk kanë lexuar, më sa duket, asgjë nga Edward Tylor Burnet apo Frantz Boas, Lewis Henry Morgan, James Frazer etj. Kjo është bërë e qartë me kohë dhe bota e qytetëruar, profesorët dhe gazetarët apo universitetet e kësaj bote i kanë zhdukur me kohë tezat mbi kultura inferiore dhe kultura superiore, mbi fe të mira dhe fe të këqija, mbi fe perëndimore apo fe lindore, mbi fe “autoktone” apo fe të pushtuesit, mbi fe të kulturuar dhe fe të antikulturës. Këto janë anakronizma, këto janë qesharake. Këto i trumbetojnë sot vetëm ekstremistët dhe injorantët në botë. Këto i trumbetojnë fashistët dhe racistët që nuk kanë asnjë lidhje me seriozitetin dhe akademinë, si Magdi Alam apo si Pamela Geller, si Robert Spencer apo Laura Loomer etj.

Si nuk e kuptojnë këta gazetarë dhe profesorë që laiciteti ka kuptim në një vend ku lejohen fetë. Si nuk e kuptojnë këta që laiciteti është gjenet në një interval që nuk ka kufij ekzaktë. Nëse synon të ndryshosh një shoqëri dhe ta bësh pa fe, nëse do të shtysh drejt një shoqërie që e sulmon dhe e lufton fenë, atëherë do të ndjekësh modelin jakobin, i cili i mbylli kishat dhe vrau mijëra priftërinj, atëherë zgjidh laicitetin sipas revolucionit jakobin. Nuk duket se këta duan këtë variant se do ishte çmenduri. Ky është varianti ekstrem. Vetë Franca me ligjin për laicitetin të vitit 1905 e rrëzoi këtë qasje dhe e zbuti shumë qëndrimin, por mbetet vendi me laicitetin më strikt në botë. Italia, Gjermania, Anglia, Greqia, Spanja dhe dhjetëra vende të tjera kanë variante të tjera të laicitetit, kanë një variant ku kisha, xhamia apo besimi nuk janë çështje private, por janë të pranishme në shoqëri dhe shteti kujdeset që liritë fetare të njerëzve të mos preken, madje kujdeset që t’i mbrojë dhe garantojë ato. SHBA ka një model edhe më të gjerë. Në SHBA, ku fjala “laicitet” nuk ekziston fare (e cila në fakt nuk gjendet askund në botën anglosaksone), përdoret togfjalëshi “mur ndarës” i Thomas Jefferson-it. Ai në një letër që i dërgoi banorëve në Connecticut (Kontese Dunbury) në zgjedhjet e vitit 1800 u tha se do të ngrinte një mur ndarës mes shtetit dhe kishës në mënyrë që shteti të mos e kalojë kurrë, por kisha të flasë dhe t’i kërkojë shtetit shumëçka kur sheh që ai nuk është aty ku duhet. Pra kisha, tha ai, do të hipë mbi këtë mur dhe do t’i flasë madje t’i bërtasë shtetit. Kjo traditë është e fortë edhe sot, aq e fortë sa feja, besimi fetar, gjendet kudo.

Po përmendim vetëm një rast për ilustrim. Në çështjen Sherbert v. Verner (1963), ku një grua u refuzua për përfitimet e papunësisë sepse refuzoi të punonte të shtunën për shkak të besimit të saj fetar, Gjykata Supreme vendosi se liria fetare mbrohet kundër ligjeve që pengojnë praktikën fetare. Pra liria fetare prevalon. Si ky vendim janë edhe shumë e shumë të tjerë si p.sh. Burwell v. Hobby Lobby Stores, Inc. (2014), Church of the Lukumi Babalu Aye v. City of Hialeah (1993), Employment Division v. Smith (1990). Kaq sa i takon laicitetit.

Më anë tjetër, s’mund të jesh gazetar, profesor apo çfarëdo që mendon se Kosova apo Shqipëria, atdheu yt i shtrenjtë, e cilëson besimin e shumicës së popullit tënd besim pa kulturë, jo perëndimor, më të ulët se një besim tjetër apo besim që vjen prej pushtuesit. Nuk po përmendim ata që thonë se po nuk je i krishterë nuk je fare shqiptar, ata pak syresh të mbytur në racizëm se kjo është lemeri fare. Një patriot, një atdhetar nuk do të vepronte kështu. Një patriot nuk do, nuk ka dashuri për malet dhe tokën, për shiun apo retë, për përrenjtë dhe pyjet, për shkurret apo për arat. Një patriot është ai që do njerëzit, popullin e tij, varret dhe kujtimet, sakrificat, shpirtin e njerëzve të vendit të tij. Si mund të flitet kështu me ton dhe gjuhë islamofobe kur je patriot? Nuk ka patriotë të udhëhequr nga racizmi. Racizmi është kundër gjithkujt, edhe kundër vetë atyre që janë racistë. Edhe ata vetë përvëlohen, pëlcasin në ethet e racizmit, vuajnë dhe tëhuajësohen prej tij.

Këto janë gjëra elementare të zgjidhura me kohë nga bota. Është faqja e zezë që ne kemi një kategori kaq mediokre, kaq banale që ka zënë në një farë mënyre hapësirat publike. Hoxhallarët dhe priftërinjtë tanë më të mirë në histori kanë folur me një gjuhë kur vjen puna tek respekti për fenë dhe liritë e fesë. Ata janë vrarë në krah të njëri-tjetrit, kanë sakrifikuar në krah të njëri-tjetrit. Islami dhe krishterimi janë dy fe të shqiptarëve dhe po i shave ato, po kufizove liritë e jetuarit sipas besimit je thjesht injorant ose antishqiptar ose të dyja bashkë.

 

Video

Një bar në zonën e fundit të Lungomares në Vlorë u përfshi nga flakët mbrëmjen e sotme. Zjarri u përhap shpejt për shkak të materialit drusor, duke rrezikuar edhe ambientet përreth, por u izolua nga zjarrfikësit. Nuk raportohet për të lënduar, ndërsa dëmet materiale janë të mëdha. Shkaqet e zjarrit po hetohen.

Numri i viktimave ka shkuar në 74 persona pas operacionit të autoriteteve meksikane që përfundoi me vrasjen e bos-it të kartelit të njohur si “El Mencho”, duke shkaktuar një valë të re dhune në vend. Mes të vdekurve janë 25 oficerë të Gardës Kombëtare, 17 oficerë të zbatimit të ligjit, si edhe një agjent i zyrës së prokurorit dhe një roje burgu. Viktimat civile përfshijnë edhe një grua në muajin e tretë të shtatzënisë. Pas përplasjeve, autoritetet kanë ndërmarrë një valë arrestimesh, duke ndaluar mbi 30 persona. Sipas të dhënave zyrtare, 12 prej tyre akuzohen për incidente dhune, ndërsa mbi 20 të tjerë për plaçkitje të bizneseve dhe institucioneve të kreditit.

Ambasadori i BE në Kuvend teksa zhvillohet mbledhja për Ballukun.

Ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi është vetë-dorëzuar pranë pikës kufitare Bllacë me Kosovën, pasi ishte shpallur në kërkim pas masës së arrestit me burg. Në video momenti i shoqërimit

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme