Opinion 20 February 2026, 13:11 Nga VNA

20 shkurti është në ligj, por jo në kujtesë: përse Shqipëria sillet sikur nuk ka një ditë zyrtare për viktimat e komunizmit?

Ndaje në Whatsapp
20 shkurti është në ligj, por jo në kujtesë: përse

Nga Enriketa Papa

Ende vijojmë të vërtitemi në vorbullën e nostalgjisë, duke relativizuar të keqen dhe duke u sjellë sikur nuk kemi një datë zyrtare për të përkujtuar viktimat e komunizmit. Çdo vit dëgjojmë të njëjtën ankesë: “Shqipëria nuk ka një ditë përkujtimi për gjëmën e regjimit komunist”. Por e vërteta është ndryshe – data ekziston. Ajo është 20 shkurti.

Që prej vitit 2010, me Ligjin nr. 10241, “Për simbolet e përkujtimit të viktimave dhe të krimeve të komunizmit në Shqipëri”, 20 shkurti është sanksionuar si “Dita e përkujtimit të viktimave dhe të krimeve të komunizmit në Shqipëri”. Është dita e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës në Tiranë – një moment simbolik i ndarjes me diktaturën.

Ligji është i qartë.

Në nenin 1 përcaktohet qëllimi: përcaktimi i simboleve në përkujtim të viktimave dhe krimeve të shkaktuara nga regjimi komunist.

Në nenin 2 saktësohet se këto simbole përfshijnë muze, obelisk, monumente dhe një datë të përkujtimit publik.

Neni 3 shpall 20 shkurtin si ditë përkujtimore zyrtare.

Neni 4 ngarkon Këshillin e Ministrave të krijojë Muzeun Kombëtar të Viktimave dhe të Krimeve të Komunizmit.

Neni 5 kërkon nxjerrjen e akteve nënligjore për ngritjen e Obeliskut të Viktimave dhe të Krimeve të Komunizmit në Tiranë, si dhe monumenteve përkujtimore në qytete të tjera.

Pra, jo vetëm që data ekziston, por ekziston edhe detyrimi për muze, obelisk dhe monumente.

Megjithatë, për më shumë se 16 vjet, asnjë qeveri nuk ka nxjerrë aktet nënligjore të nevojshme për zbatimin e plotë të këtij ligji. Nuk ka obelisk kombëtar në Tiranë. Nuk ka muze të dedikuar sipas parashikimit të ligjit. Nuk ka monumente përkujtimore të ngritura në bazë të këtij detyrimi.

Kemi një ligj, por jo zbatim. Kemi një datë, por jo ritual shtetëror të qëndrueshëm. Kemi një kujtesë të shkruar në Fletoren Zyrtare, por jo të gdhendur në hapësirën publike.

Për sa kohë do të vazhdojmë të harrojmë atë që kemi vendosur vetë në ligj? Apo problemi nuk është mungesa e datës, por mungesa e vullnetit për ta përballur të shkuarën pa nostalgji dhe pa relativizim?

20 shkurti nuk është thjesht një simbol i rrëzimit të një busti. Është një provë nëse shteti shqiptar e ka seriozisht kujtesën historike – apo nëse ajo mbetet vetëm një nen i paplotësuar në një ligj të harruar.

Video

Vila e fshehur e Belinda Ballukut në Palasë/ SPAK: Arbër Abazi financoi punimet, bashkëjetuesja e tij i mbikëqyrte.

SPAK zbardh emailet për vilën e fshehur të Ballukut/ Punonjësit e Samir Manes ngritën alarmin: Pse prona e Igli Tares po i dorëzohej Lorela Reçit?

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

Deputeti i PD-së, Luan Baçi, paraqitet në SPAK, i shoqëruar nga avokati i tij.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme