Opinion 15 Shkurt 2026, 16:04 Nga VNA

Kush e bleu kokën e Ali Pashë Tepelenës: Fundi i luanit të Janinës

Ndaje në Whatsapp
Kush e bleu kokën e Ali Pashë Tepelenës: Fundi i luanit të

Nga Hasan Bello

Në historinë dhe literaturën botërore Ali Pashë Tepelena vjen i dyti pas Skënderbeu për numrin e madh të librave që janë shkruar për këtë figurë.

Ai është modeli sesi një individ i thjeshtë nëpërmjet metodave makiaveliste ngjitet në nivelet më të larta shtetërore.

Sipas të dhënave, ai la pas një thesar për të cilin edhe sot vijojnë kërkimet nga eksploatorë të ndryshëm në shpellat e Greqia dhe Shqipëria; një sasi prej 900 çifligjesh dhe 15 anije të madhësive të ndryshme.

Me ardhjen në pushtet të Sulltan Mahmuti II në Perandoria Osmane filloi politika e centralizimit dhe eleminimi i feudalëve lokalë, të cilët ishin kthyer në pengesë për qeverinë osmane, duke flirtuar me Francën, Anglinë dhe Rusinë.

Kundër Ali Pashës u dërgua Ismail Pasha me një ushtri prej 20 mijë vetash. Njerëzve që ndodheshin pranë tij iu bë e ditur se, nëse kalonin në anën e shtetit, nuk do t’u ndodhte asgjë; madje do të shpërbleheshin me para dhe poste, përndryshe pasuritë e tyre do të konfiskoheshin. Si pasojë, shumë besnikë u larguan prej tij. Nga veprimet ushtarake, territoret nën sundimin e Ali Pashës ranë shpejt në duart e ushtrisë osmane.

Kur e pa se po humbiste dhe se njerëzit po e braktisnin, Ali Pasha u tërhoq në kalanë e Janinë me një numër të madh ushtarësh, municionesh, ushqimesh dhe topash. Ismail Pasha rrethoi kalanë, por nuk arriti ta pushtojë për një kohë të gjatë. Më pas i njoftoi djemtë e Ali Pashës se fermani nuk i përfshte ata dhe, nëse dorëzoheshin, duke hequr dorë nga mbështetja për të atin, nuk do të kishin pasoja.

Djemtë e Ali Pashës, Veli, Ahmet Muhtar dhe Salih Pasha, u dorëzuan.

Veli Pasha u dërgua në Kytahja, ndërsa Muhtar dhe Salih Pasha në Ankara me fëmijët e tyre.

Meqë Ismail Pasha nuk arriti sukses në rrethimin që iu bë kalasë, për këtë u ngarkua Hurshid Pasha. Ai u ofroi para bejlerëve pranë Ali Pashës dhe i tërhoqi në anën e vet. I dobësuar ndjeshëm, Ali Pashës i mbeti vetëm kalaja pranë liqenit. Atij iu kërkua të dorëzohet. Por, ai u përgjigj se do ta bënte këtë vetëm nëse i vinte një ferman që dekretonte faljen e tij. Hurshid Pasha i dha garanci duke premtuar se fermani po përgatitej. Kjo e shtyu Ali Pashën të tërhiqej në manastirin pranë liqenit për të pritur vendimin.

Meqë nuk pranoi ofertën, fshehurazi u përgatit një ferman për ekzekutimin e tij. Fermani i dërgohet Ali Pashës nga Mehmet Pasha me rreth tridhjetë ushtarë. Më 14 shkurt 1822 ata tentuan që të hynin në dhomën e tij për të zbatuar vendimin. Ali Pasha kundërshtoi me armë dhe u vra në përleshje e sipër. Koka e tij u dërgua në Stamboll më 24 shkurt.

Pas një jave ekspozimi publik, koka e Ali Pashës u ble nga miku i tij i fëmijërisë, Dervish Pasha. Ajo u varros pranë kokave të prera të djemve të tij Veli, Muhtar, Salih dhe nipit Mehmet Pasha, në varrezën jashtë Silivrikapë-së.

Ekzekutimi i Ali Pashës u prit me gëzim të madh. Fakti që rrethimi i Janinës zgjati një vit e gjysmë tregon sa i përgatitur dhe i fuqishëm ishte ai. Ushtarëve që morën pjesë në rrethim iu shpërndanë para nga pasuritë e Ali Pashës për të mbuluar shpenzimet. Pas kryengritjes, pasuritë e familjes së tij dhe të mbështetësve u konfiskuan; nga Stambolli u dërguan nëpunës për regjistrimin e tyre të menjëhershëm dhe u përgatitën defterë ku shënohen qindra çifligje dhe mijëra prona të paluajtshme.

Zhdukja e fuqisë dhe autoritetit të Ali Pashës hapi rrugën për kryengritjen e grekëve në More, për krijimin e shtetit grek dhe për ndryshime në zotërimet e Perandorisë Osmane.

Në epitafin e Ali Pashës, i cili ndodhet në lagjen Silivrikapë të Stambollit, shkruhet:

“Ai është Krijuesi i përjetshëm (Zoti i amshuar).
Prej më shumë se tridhjetë vjetësh u dallua në Arnavudllëk (Shqipëri).
Mytasarrifi i Sanxhakut të Janinës,
i njohuri Ali Pashë Tepelena. Këtu prehet koka e tij e prerë”.

Ndërsa trupi i Ali Pashës sot gjendet në kalanë e Janinës.

Video

Një ortek i fuqishëm goditi zonën malore të Val Veny, në Alpet italiane pranë kufirit me Francën, duke shkaktuar vdekjen e tre shtetasve francezë. Sipas autoriteteve lokale, orteku ndodhi në një zonë alpine të frekuentuar nga alpinistë dhe turistë.

Të paktën 11 persona u vranë gjatë tre sulmeve të forcave ushtarake amerikane ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge, dy në Oqeanin Paqësor dhe një në Karaibe. Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi në rrjetin X nga Komanda Jugore e Shteteve të Bashkuara. Sipas ushtrisë amerikane, operacionet janë pjesë e një fushate që ka nisur prej më shumë se gjashtë muajsh kundër karteleve të drogës që synojnë tregun amerikan. Që nga shtatori, raportohen të paktën 140 viktima. Megjithatë, ligjshmëria e këtyre sulmeve është vënë në pikëpyetje nga ekspertë dhe organizata ndërkombëtare. Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut i ka cilësuar bombardimet si “vrasje jashtëgjyqësore”, ndërsa kritika janë shprehur edhe në Uashington për mungesë provash konkrete mbi përfshirjen e anijeve të goditura në trafik të paligjshëm.

Të ikë Rama. Të ikë edhe Fevziu.

Kur nisesh nga Londra për t’i dhënë një nga gjymtyrët Sali Berishës

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme