
Zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 shënuan një pikë kthese strukturore në peizazhin politik të Shqipërisë. Partia Demokratike (PD), pas krizës së gjatë të lidershipit, përplasjeve të brendshme për kontrollin e vulës dhe një fushate të mbështetur më shumë mbi retorikën sesa mbi ofertën politike, përjetoi humbjen më të thellë në tri dekada. Në të njëjtën kohë, u shfaqën disa formacione të reja politike, “Mundësia”, “Nisma Shqipëria Bëhet”, dhe lëvizje të tjera qendër-djathtas, të cilat tërhoqën një pjesë të elektoratit të zhgënjyer opozitar dhe arritën përfaqësim në Kuvend. Dy të parat arritën edhe të marrin mandat deputeti.
Ai rezultat, prodhoi levizje të forta tektonike. Së pari një mbështetje të pamerituar për PS me 83 mandate. Mbipushteti i pamerituar i Edi Ramës (dhe i pa kontrolluar) do përshpejtojë domosdoshmërisht procese reaguese, sic edhe po shihen qartë shenjat që tani. Së dyti solli një humbje traumatike, jo thjesht numerike, për Sali Berishën. Ky rezultat ishte mesa duket kapitullimi final i tij, si mbajtes i ekskluzivitetit të opozitës. Në atë kohë, nuk shquhej fort kjo lëvizje, porse me kalimin e ditëve, lartësohet kryeneçe kjo e vertetë e hidhur për të.
Nuk vonoi shumë dhe tashmë në pragzgjedhjet e pjeshmë në 6 bashki, përfshirë Tiranën, u ngrit flamuri i bardhë i dorëzimit. Pas 34 vjetë ekzistencë, partia e parë opozitare e postdiktaturës, PD nuk ka kandidatë realë për bashkinë Tiranë (tek të tjerat situata është më e zezë), dhe është afër një pafuqie reale për të garuar as denjësisht. Vendimi i PD-së për të mos marrë pjesë me kandidatë të saj në zgjedhjet e pjesshme vendore të 9 nëntorit, përfshirë në Tiranë, përbën më shumë se një lëvizje taktike: ai sinjalizon krizë legjitimiteti politik, paralizë organizative dhe humbje besimi elektoral.
Kriza e brendshme e Partisë Demokratike kulmoi pas rikthimit të Sali Berishës në krye të saj, në kundërshtim me sanksionet ndërkombëtare dhe me institucionet vendase. Përplasja për kontrollin e parties, juridikisht për vulën, politikisht për drejtimin, shkatërroi bashkëjetesën e brendshme, duke zhveshur PD-në nga karakteri institucional dhe duke e kthyer në një formacion personalist.
Në zgjedhjet e 11 majit, PD nuk funksiononte më si parti politike, por si strukturë e një lidershipi individual, e varur nga retorika e kundërshtisë dhe jo nga ndonjë alternativë politike. Për rrjedhojë, humbja e saj ishte më shumë një kolaps sistemik sesa dështim elektoral. Ndërkohë, partitë e reja që u krijuan në vitet e fundit përfituan nga kriza e besueshmërisë së PD-së, duke u paraqitur si alternativë etike dhe gjenerative.
Qëndrimi më i fundit i PD-së, për të mos nxjerrë kandidatë në zgjedhjet e 9 nëntorit dhe për të mbështetur çdo “kandidat të pavarur”, duhet interpretuar përtej justifikimit publik.
Tre konkluzione analitike të qarta dalin në pah: 1- shmangia (frika) nga matja reale e peshës elektorale; 2- ruajtja e narrativës së viktimizimit politik; dhe 3- kriza e lidershipit që reflekton mungesë kandidatësh dhe kapaciteti drejtues. Praktikisht një formacion politik në vdekje klinike!
Ndërkohë në hapësirën opozitare po ngjizet një brez i ri partish e lëvizjesh që synojnë të riformatojnë opozitën jashtë skemës PS–PD. Sfida e tyre është ruajtja e autonomisë strategjike përballë iluzionit të bashkimit dhe rrezikut të kooptimit përmes ofertave simbolike nga PD.
Midis gjashtë bashkive ku zhvillohen zgjedhje të pjesshme, Tirana mbetet qendra politike e betejës. Një kandidat qytetar, i pavarur dhe i mbështetur nga partitë e reja, (VETËM NGA PARTITË E REJA) mund ta shndërrojë këtë garë në një përballje simbolike mes brezave politikë. Edhe pa fitore numerike, gara do të ketë vlerë strategjike për rikthimin e besimit publik dhe rikonfigurimin e opozitës.
Sistemi politik shqiptar ka funksionuar mbi një duopol PS–PD, ku alternimi në pushtet nuk ka prodhuar ndryshim të kulturës politike. Dobësimi i PD-së mund të sjellë fundin e modelit të “opozitës së kontrolluar” dhe lindjen e një “opozite të vetëdijshme” që vendos në qendër integritetin institucional dhe meritokracinë.
Kështu pra, PD ndodhet në fazën përfundimtare të delegjitimimit politik. Mosgarimi praktikisht, në zgjedhjet e nëntorit nuk është protestë, por shenjë dorëzimi. Partitë e reja duhet të ruajnë pavarësinë strategjike dhe të shmangin kooptimin përmes retorikës së bashkimit.
Kjo sepse opozita në Shqipëri ndodhet në pikën më të thellë të tranzicionit të saj: midis një partie që e ka humbur funksionin historik dhe një brezi të ri që kërkon të ndërtojë një kulturë të re politike. Zgjedhjet e 9 nëntorit nuk do të përcaktojnë vetëm se kush fiton disa bashki, por se kush fiton të drejtën për t’u konsideruar opozitë reale — ajo që konkuron për pushtet, jo ajo që mbijeton me nostalgji.