Ekskluzive 18 Qershor 2024, 19:43 Nga VNA

Foto/ Takimet e Niko Peleshit me biznesmenët e inceneratorëve, VNA siguron dëshminë në SPAK të ministrit të Mbrojtjes

Ndaje në Whatsapp

Dy biznesmenët e inceneratorëve, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, mesa duket paskan qenë miq të njohur edhe të ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi. Në hetimet që po kryen SPAK në lidhje me aferën e inceneratorëve, ka mundur të sigurojë dhe dy foto të realizuara në vitin 2013 ku shfaqet Niko Peleshi në Itali me Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoto, Arben Ahmetajn dhe ish drejtorin e Ujësjellësit të Korçës, Petrit Tare.

VNA.al ka siguruar dëshminë e Peleshit dhënë në SPAK në datën 5 mars të këtij viti, i cili është pyetur për njohjen me këta dy persona, arsyen e takimit në Itali me dy biznesmenët tashmë në arrati për korrupsion dhe pastrim parash.

Peleshi është shprehur se në Itali kishte shkuar me ish drejtorin e Ujësjellësit të Korçës, Petrit Taren, i cili në atë kohë kishte në plan të ndërtonte një impiant fotovoltaik dhe eksperiencën do ta merrnin në një kompani në vendin fqinjë. Ndërsa takimi me Klodian Mërtirin ishte në kuadrin e ndihmës që do t’u ofronte ky i fundit duke krijuar kontaktet me përfaqësuesit e kompanisë italiane që aplikonte fotovoltaikët e tillë.

Ministri i Mbrojtjes ka pranuar se kanë qëndruar në të njëjtin hotel me Mirel Mërtirin, ndërsa pagesat për udhëtimin janë bërë nga ndërmarrja e ujësjellësit të Korçës, pasi ai vet ishte i ftuar.

“...Në atë kohë impiantet fotovoltaike nuk ekzistonin në Shqipëri, ndërkohë që tashmë është bërë e zakonshme ndaj dhe kishte shumë pyetje. Drejtori Petrit Tare më tha se nuk do ta financonim si deri atëherë ishin financuar ujësjellësit, pra përmes kredisë së Bankës Gjermane, por me një financim nga investitorët privat. Emra nuk më kujtohet të ketë thënë në fillim, në bisedën e parë. Por ndërkohë dua të them që në atë kohë që folëm, ujësjellësi kishte realizuar një projekt të ngjashëm financimi për zëvendësimin e matësave të ujit. Pra nuk ka diskutuar për skemën e financimit, por për zgjidhjen teknike. Kam përshtypjen se kanë qenë të njëjtët njerëz, ose i njëjti grup që ka bërë dhe zëvendësimin e matësave të ujit, sipas perceptimit tim, pasi fiks nuk e di kush ka qenë në kontratë. Personi që unë mbaj mend është Klodi Mërtiri. Unë me Petritin e kemi takuar Klodi Mërtirin. Në kuadrin e kësaj zgjidhje, Petriti më tha se dhe ai nuk ishte i bindur se çfarë ishte kjo gjë, por të shkonim në Itali të shihnim një zgjidhje të aplikuar te fermat fotovoltaike. Mesa më kujtohet duhet të ketë qenë para zgjedhjeve të vitit 2013, ndoshta nga pranvera e këtij viti, ku jam nisur bashkë me Petritin për në Itali. Udhëtimi është kryer me avion. Nuk më kujtohet të ketë qenë me ne ndonjë person tjetër përveçse unë me Petritin. Në këtë kohë, oferta ishte dorëzuar pranë UKKO-së dhe Petriti më tha që të shkonim në Itali. Pra, Petriti e kishte marrë ofertën dhe po punonin për ofertën. Në Itali nuk e di në çfarë vendi kemi shkuar, por kur kemi shkuar aty kemi takuar Klod Mërtirin dhe nja dy persona të tjerë italianë që ishin të kompanisë që do të shihnim zgjidhjen e aplikuar të impiantit fotovoltaik. Kemi fjetur në një hotel, nuk më kujtohet sa kemi qëndruar, por besoj vetëm 1 natë. Unë kam fiksuar që kam qenë në të njëjtin hotel me Petritin, por nuk mbaj mend persona të tjerë. Nuk më kujtohet nëse Klodi Mërtiri ka qëndruar në të njëjtin hotel me ne. Në lidhje me pagesat për qëndrimin në hotel dhe për biletën e avionit, pra për të gjithë udhëtimin, unë nuk kam bërë pagesa pasi isha i ftuar nga ndërmarrja UKKO Korçë dhe në këtë mënyrë prezumoj që pagesat i ka kryer kjo ndërmarrje... Unë Klod Mërtirin mbase mund ta kem takuar disa herë. Nuk më kujtohet në ç’rrethana. E kam takuar, kemi diskutuar për gjëra të ndryshme si një lloj inercie e njohjes që patëm për projektin e specifikuar” – shprehet Peleshi.

Më tej ai thotë se Peleshi ka folur edhe si është takuar me Klodian Zoton dhe Arben Ahmetajn, që sipas tij i ka takuar kur ka shkuar në Itali. Zoton e ka njohur aty, ndërsa Ahmetajn e kishte gjetur atje dhe se nuk kishte udhëtuar me të dhe Taren.

“Dua të shtoj se edhe Klodian Zoton më duket se e kam takuar kur shkova në Itali me drejtorin Petrit Tare. E kam takuar aty. Nuk e kisha të fiksuar si fytyrë shtetasin Klodian Zoto, por më kujtohet tani pasi është bërë publike nëpër media. Klodian Zoto ka qenë me Klod Mërtirin në Itali por unë nuk është se i kisha të qarta pozicionet e këtyre dy shtetasve në raport me projektin, pra nëse ishin konsulent, përfaqësues të ndonjë shoqërie italiane, por ishin këta që promovonin këtë zgjidhje, projekt. Dua të theksoj se kur kemi qenë në Itali, kur kemi shkuar për të parë impiantin që kishin italianët, bashkë me Klod Mërtirin, kemi gjetur në Itali Arben Ahmetajn. Pra, Arben Ahmetaj nuk ka qenë në udhëtim me mua dhe Petrit Taren por e kemi gjetur në Itali, në shoqëri të Klod Mërtirit dhe Klod Zotos dhe disa personave të tjerë italianë. Nuk më kujtohet nëse kishte ndonjë shqiptar tjetër të pranishëm. Nuk më kujtohet se ku ka qenë i akomoduar shtetasi Arben Ahmetaj, kur kemi qëndruar në Itali atë natë.

Në lidhje me fotografinë ku shfaqen 6 persona, deklaron se kjo fotografi duhet të jetë bërë në Romë. Në foto unë identifikoj drejtorin Petrit Tare me të cilin kisha udhëtuar, Klodi Mërtirin, Arben Ahmetajn, Klodian Zoton dhe personi tjetër ka qenë një italian por nuk më kujtohet emri. Arben Ahmetaj ka qenë deputet i Korçës për zonën e Devollit deri në zgjedhjet e vitit 2013. Nuk më kujtohet kur kam bërë udhëtimin në Itali me Petrit Taren nëse më ishte thënë që në Itali ishte edhe Arben Ahmetaj. Nuk më kujtohet se ku dhe kur takova Arben Ahmetajn në Itali, por përderisa shoh që kemi dalë edhe fotografi, kemi qenë të gjithë bashkë. Mesa më kujtohet kam perceptuar nga takimi që kam pasur me këta shtetas me të cilët shfaqem në fotografi, se Arben Ahmetaj ishte i njohur me Klod Mërtirin dhe gjatë kohës që kemi qenë në Itali, Arbeni nuk ka prezantuar ndonjë interes në lidhje me projektin për të cilin ne kishim shkuar për ta parë në zbatim. Nuk di ta ndaj se kur jam prezantuar me Klod Mërtirin për herë të parë, por dua të them se në lidhje me projektin për impiantin fotovoltaik mua më ka vënë në dijeni Petrit Tare. Jam takuar dhe herë të tjera me Klod Mërtirin dhe Arben Ahmetajn, por nuk më kujtohen temat e diskutimeve dhe rrethanat e takimit. Nuk më kujtohet në takimin që kam pasur me Arben Ahmetajn vet apo me Klod Mërtirin, nëse është diskutuar ndonjëherë për projektin fotovoltaik. Sidoqoftë, për shkak se ka kaluar një kohë e gjatë nuk më kujtohet dhe nuk mbaj mend të them me siguri në lidhje me kë e kam kryer udhëtimin në drejtim të Italisë, por në kujtesën time më ka ngelur që udhëtimin e kam kryer me Petrit Taren. ... Udhëtime të tjera që në një farë mënyre të përfshijnë shtetasit Klod Zoto apo Klod Mërtiri, nuk kam kryer” – ka deklaruar Peleshi.

Ajo që është kontradiktore, është edhe pse Niko Peleshi thotë se shpenzimet e udhëtimit ishin kryer nga ndërmarrja, pasi ai ishte i ftuar nga drejtori i Ujësjellësit të Korçës, Petrit Tare. Ky i fundi në deklaratën e tij për SPAK, pranon që biletën ia ka paguajtur Klodian Zoto, ndërsa ministrit Peleshi nuk i kujtohej se kush ia kishte paguar.

 

“...Biletën time të avionit e ka paguar shtetsai Klodian Zoto ndërsa për shtetasin Niko Peleshi, nuk më kujtohet. Rrrugës për në Romë kemi parë impiante fotovoltaikë. Në udhëtim nga Bari në Romë ka qenë prezent dhe shtetasi Mirel Mërtiri, por nuk më kujtohet se ku jemi takuar fillimisht. Nëse ka ardhur nga Rinasi a jemi takuar në Bari këtë nuk e mbaj mend. Qëllimi i udhëtimit ka qenë për të vizituar impjantet fotovoltaike të kompanisë italiane “Futura”, për të parë eksperiencën e tyre, kapacitetet dhe prezantimin e kompanisë. Vendi ku ndodhej kompania isjhte midis qytetit të Barit dhe Romës vendi i sakt nuk më kujtohet. Aty kemi qëndruar një natë në hotel. Nuk e di kush ka paguar hotelin nëse ka qenë shtetasi Klodian Zoto apo kompania italiane “Futura” por di që unë s’kam paguar gjë. Të nesërmen kemi vizituar impjante të tjera të kësaj kompanie dhe pasdite jemi nisur për në Romë. Kemi mbërritur në Romë në darkë dhe kemi shkuar në hotel i cili ka qenë në qendër mbrapa Koloseut, por emrin e hotelit nuk e mbaj mend. Më pas nga hoteli kemi lëvizur me taksi për darkë dhe kemi shkuar në një restorant të cilin nuk e mbaj mend si emër. Në restorant jemi takuar me shtetasin Arben Ahmetaj, të cilin e njihja si emër por jo nga afër. Aty janë diskutuar biseda politike. Me sa kuptova shtetasi Arben Ahmetaj kishte lidhje shoqërore me shtetasit Klodian Zoto dhe Miel Mërtiri, por me shtetasin Klodian Zoto ishte si më afrueshëm. Gjithashtu dhe shtetasi Francesco Pistritto kishte njohje të mëparshme me ta. Më pas u ndamë dhe shkuam në hotel dhe të nesërmen jemi nisur për në aeroport, për në Tiranë. Edhe në këtë rast biletat e avionit ishin të paguara nga shtetasi Klodian Zoto. Lidhur me pagesën e darkës, mund të sqaroj se unë nuk kam paguar gjë...” – shprehet ish drejtori i Ujësjellësit të Korçës, Petrit Tare.

 

 

Video

Këto janë momentet e arrestimit të një 45-vjeçari pasi sulmoi dy burra hebrenj me thikë në zonën Golders Green, një lagje me komunitet të madh hebre në veri të Londrës. Sipas autoriteteve, sulmi po trajtohet si një akt terrorist dhe hetimet po drejtohen nga njësia kundër terrorizmit. Të plagosurit, të moshave 76 dhe 34 vjeç u dërguan në spital, ku raportohet se ndodhen në gjendje të qëndrueshme. Dëshmitarët thanë se autori ishte parë duke vrapuar në rrugë me thikë dhe duke synuar persona të identifikueshëm si hebrenj. Ai u neutralizua nga policia me Taser dhe më pas u arrestua nën dyshimin për tentativë vrasjeje. Policia Metropolitane deklaroi se i dyshuari kishte edhe një histori të mëparshme dhune dhe probleme të shëndetit mendor. Kryeministri britanik Keir Starmer e dënoi sulmin duke e cilësuar si “plotësisht të tmerrshëm”, ndërsa liderët hebrenj kërkuan masa më të forta sigurie për komunitetin.

Kjo video nga darka zyrtare në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Donald Trump, Zonjën e Parë Melania Trump dhe Mbretin Charles III po bëhet virale në rrjet. Shkak është një moment i sikletshëm gjatë fotos zyrtare, ku Melania duket se i heq dorën Trump, duke nxitur reagime të shumta dhe diskutime për gjuhën e trupit dhe marrëdhënien mes çiftit presidencial.

Një aksident rrugor është regjistruar në aksin Orikum–Vlorë pranë fshatit Tragjas. Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip Volkswagen, i drejtuar nga shtetasi Vladimir Gaba, ka përplasur një tufë me bagëti të imta (dhi) si dhe çobanin, shtetasin Andi Demiraj, rreth 35 vjeç, i cili ndodhej në fund të kopesë. Si pasojë e përplasjes, Demiraj ka pësuar traumë dhe është transportuar me autoambulancë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës për ndihmë mjekësore.

Një aksident rrugor ka ndodhur pasditen e kësaj të mërkure në aksin Tepelenë Krahës, në afërsi të fshatit Iliras. Dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin teksa qarkullonin në anë të kundërt. Nga aksidenti kanë mbetur të lënduar 8 persona, të cilët janë transportuar në spitalin e Gjirokastrës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. “Rreth orës 18:30, në aksin rrugor “Tepelenë–Krahës”, në vendin e quajtur “Iliras”, automjeti me drejtues shtetasin indian Sh. P., 27 vjeç, është përplasur me automjetin me drejtuese shtetasen L. B., 42 vjeçe, banuese në Tiranë. Si pasojë e aksidentit, janë dëmtuar lehtë 2 drejtuesit e automjeteve dhe 6 pasagjerë, të cilët ndodhen në Spitalin Rajonal Gjirokastër, për ndihmë mjekësore. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit“- njofton policia.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme