Mamuthi leshator ishte një nga burimet më të çmuara që një komunitet njerëzor mund të siguronte gjatë Epokës së Akullit.
Një kafshë e vetme mund të siguronte sasi të mëdha mishi dhe yndyre. Lëkura përdorej për veshje, kockat dhe fildishi për vegla, armë dhe art, ndërsa kockat më të mëdha mund të përdoreshin edhe në struktura banimi.
Por një studim i ADN-së së lashtë tregon se gjuetarët nuk i zgjidhnin viktimat krejt rastësisht.Rreth 70% e mamuthëve të gjetur në vende që lidhen me gjuetinë njerëzore ishin femra. Në vende ku kafshët kishin vdekur nga shkaqe natyrore, vetëm rreth 34% ishin femra. Studiuesit analizuan 521 mamuthë nga një periudhë që shtrihet rreth 50,000 vjet dhe përfshinë mostra nga Europa Qendrore dhe Lindore, Siberia dhe zona të tjera të Euroazisë.
Pyetja ishte e thjeshtë: pse njerëzit prehistorikë gjuanin më shumë femra?
Një nga shpjegimet lidhet me mënyrën e jetesës së mamuthëve.
Ashtu si elefantët e sotëm, femrat besohet se jetonin në tufa familjare të drejtuara nga femrat, së bashku me të vegjlit. Meshkujt e rritur, në të kundërt, jetonin shpesh vetëm ose në grupe më të lirshme. Një tufë familjare mund të kishte lëvizje më të parashikueshme. Njerëzit që njihnin territorin mund të mësonin se ku kalonte, ku pinte ujë dhe në çfarë periudhash shfaqej.
Femrat ishin gjithashtu më të vogla se meshkujt e rritur, duke e bërë gjuetinë potencialisht më pak të rrezikshme.Kjo nuk do të thotë se vrasja e një mamuthi ishte e lehtë. Studiuesit mendojnë se njerëzit mund të shfrytëzonin terrenin, moçalet, pengesat natyrore dhe strategji të organizuara për t’i immobilizuar kafshët.
Në sitin Kraków Spadzista në Poloni janë gjetur mbetjet e më shumë se 100 mamuthëve dhe prova të përpunimit të organizuar të trupave. Studimi nuk zgjidh debatin e madh se çfarë i zhduku përfundimisht mamuthët. Ndryshimet klimatike dhe presioni i gjuetisë njerëzore vazhdojnë të konsiderohen faktorë të rëndësishëm.
Por ADN-ja po zbulon diçka shumë më intime: mënyrën se si njerëzit e Epokës së Akullit i njihnin kafshët që gjuanin dhe ndoshta merrnin vendime të qëllimshme për objektivin e tyre.






















