Kronika 19 Janar 2025, 22:54 Nga VNA

Një protestë të cilës duhet t’i bashkohemi!

Ndaje në Whatsapp
Një protestë të cilës duhet t’i bashkohemi!

Në javën e kaluar, disa nga mediat në vend, kryesisht portalet në rrjetet sociale, kanë shtjelluar ngjarjen me një drejtues automjeti që shkaktoi aksident (pa njerëz të lënduar) në afërsi të Kuvendit të Shqipërisë, ngjarje e cila tërhoqi vëmendjen për shkak se aksidentuesi është djali i një prej biznesmenëve më të mëdhenj dhe më të afërt me qeveritë dhe politikën shqiptare, Samir Mane. Nuk ishte e thënë që ngjarja të përfundonte këtu, pavarësisht heshtjes së thellë të mediave të mëdha dhe institucioneve shtetërore e politike (që për raste të ngjashme kanë tjetër sjellje). Pas dy ditësh, oficeri i policisë, i përfshirë në ngjarjen e shoqërimit të aksidentuesit Martin Mane, tentoi vetëvrasjen dhe prej asaj nate ndodhet në trajtim spitalor.

Që këtej rrodhën analiza dhe kundëranaliza, një reagim inatçor dhe i acaruar i Ministrit të Brendshëm kundër dy forcave të reja politike, që ditën e hënë, më 20 janar, në orën 17:00, kanë thirrur një protestë përpara kësaj ministrie. Dita e dielë (19 janar) u shoqërua me publikime mbi një deklaratë të policit të dëmtuar dhe një tjetër më pas të familjes së tij, ku pretendohet se nuk ka asnjë lloj presioni mbi policin.

Pra, edhe njëherë, DITËN E HËNË, 20 JANAR, PËRPARA MINISTRISË SË BRENDSHME MBAHET PROTESTA PËR KËTË NGJARJE. Nuk ka rëndësi kush e thirri i pari apo i dyti këtë protestë dhe cilët janë ata që e kanë thirrur. E rëndësishme është se kjo është NJË PROTESTË TË CILËS DUHET T’I BASHKOHEMI! Ministri i Brendshëm nuk ka pse të humbasë qetësinë e tij dhe të shkruajë statuse zemërake. Kjo është një protestë e nevojshme, e dobishme dhe që i vlen zhvillimit të opinionit dhe vetëdijësimit të tij, sepse:

• Për një ngjarje aksidenti të ndodhur në një zonë me shumë qarkullim, pranë një institucioni të rëndësishëm të shtetit, ende nuk ka asnjë deklarim publik se si ndodhi dhe çfarë veprimesh u kryen ndaj aksidentuesit.

• Për një ngjarje tragjike, që për fat nuk ka përfunduar në fatalitet, siç është rënia nga lartësia e një punonjësi të policisë, nuk ka ende një hetim se çfarë ndodhi dhe përse ndodhi. Ndërkohë që ka nxitim për të marrë vetëdeklarimin që Ministria e Brendshme e lexon si shfajësues të përgjegjësisë së saj. Publiku duhet të gëzohet vetëm për një fakt: që polici i dëmtuar është, me sa duket, në rikuperim të mirë, përderisa ka pasur forcën dhe kthjelltësinë të sqarojë çështjen e presionit të supozuar.

• Për një varg ngjarjesh ku përfshihen dhe shumë personazhe, çuditërisht media heshti me këmbëngulje derisa nuk mundej më. Po ashtu edhe opozita, që konsiderohet si opozita kryesore në vend. Në parantezë, kjo opozitë në rastin e vdekjes së të miturit Martin Cami nuk ngurroi të vinte në qendër të retorikës publike një tjetër minoren, pa pasur asnjë bazë faktesh, por vetëm për shkak të vendit të punës së prindërve të tij që lidhej me SPAK-un, organin që urrehet prej saj. Pra, kjo opozitë, që nuk kurseu të miturin Cami, fëmijën e një punonjësi administrativ të SPAK-ut, heshti si varri për rriturin 27 vjeçar Martin Mane, fëmijën e një biznesmeni të madh, Samir Mane. Opozitën revolucionare në këtë rast e zuri “sëmundja e gojës së Majkos”.

Nuk ka ende transparencë serioze mbi procesin hetimor: çfarë ndodhi realisht gjatë dhe pas aksidentit, përse ka pasur një hetim nga AMP dhe çfarë përfundimi është arritur, çfarë shqetësimi ka rënduar psikologjikisht punonjësin e policisë të vënë në qendër të opinionit.

Të mos habitet askush, as Ministri i Brendshëm, për mosbesimin që ka publiku në profesionalizmin dhe korrektësinë institucionale të Ministrisë së Brendshme dhe policisë.

PRANDAJ MË 20 JANAR DUHET PROTESTUAR!

Publiku ende pret hetimin profesional, të paanshëm dhe të drejtë të ngjarjes që përfundoi me vdekjen e Egli Progës në Pogradec. Është një ngjarje që, me shumë gjasë, kushedi ç’drejtim do të kishte marrë nëse në këtë rast institucionet e shtetit nuk do të kishin përballë një familje që, me sa duket, ka vendosur të mos pajtohet me sjelljen kriminalizuese, por të kërkojë drejtësi dhe të vërtetën. Protesta që u zhvillua para disa muajsh për këtë ngjarje në Tiranë duhet të vijojë më 20 janar po në Tiranë. PRANDAJ, NË ORËN 17:00 DUHET T’I BASHKOHEMI PROTESTËS PARA MINISTRISË SË BRENDSHME!

Një fjalë të fundit për acarimin e Ministrit të Brendshëm. Ka të drejtë që reagon me tërbim. Protesta si ajo e Egli Progës dhe kjo që pritet të mbahet janë të tilla që duhet të merren me seriozitet nga qeveria, opozita revolucionare e pa gojë dhe media memece e Tiranës. Sepse këto janë protesta ku secili bashkohet jo për shkak të atij personi apo asaj force politike që i thërret. Me një vështrim të shpejtë kupton që aty mblidhen qytetarë të indinjuar, që reagojnë ndaj kriminalizimit të gjithçkaje dhe që nuk kanë frikë edhe kur kundër kanë politikën dhe median.

Edhe pse mund të jenë pak në numër, protesta të tilla janë flaka që mban gjallë frymën e vërtetë opozitare dhe të rezistencës ndaj arrogancës, krimit, mashtrimit, e dikur do të arrijnë rezultat.

Është më e udhës që institucionet shtetërore të kenë kurajën të kryejnë sa më shpejt detyrën me profesionalizëm, në vend që të replikojnë me qytetarët e indinjuar. Prej tyre pritet zbardhja e plotë e ngjarjes dhe informimi pa deformime i publikut. Kur të tregojnë që për ta nuk ka rëndësi Maliq Mane apo të ngjashmit e tij, por ka rëndësi vetëm ligji dhe e drejta e qytetarit, vetëm atëherë kanë të drejtë të kërkojnë të mos protestohet.

Deri atëherë, DUHET TË JEMI ATY PËRBALLË JUSH DUKE PROTESTUAR!

Video

Teksa Orikumi është përfshirë nga flakët, në Pyllin e Sodës janë rrëzuar pishat, duke bllokuar përkohësisht qarkullimin drejt fshatit të Zvërnecit.

Një vatër zjarri ka shpërthyer në orët e mbrëmjes në Orikum. Në vendngjarje janë angazhuar forcat zjarrfikëse të Vlorës, ndërsa për ndihmë kanë shkuar edhe mjete dhe efektivë nga Himara. Era e fortë po favorizon përhapjen e flakëve, duke vështirësuar ndërhyrjen për shuarjen e zjarrit.

Shtetet e Bashkuara po përjetojnë stuhinë më të fuqishme të dëborës në dhjetë vitet e fundit, e cila ka shkaktuar ndërprerje të mëdha në furnizimin me energji elektrike dhe në transportin ajror, si dhe ka detyruar autoritetet të shpallin gjendje emergjence në një numër të madh shtetesh. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 130 mijë banesa kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa mbi 12 mijë fluturime janë anuluar për shkak të kushteve të rënda atmosferike. Gjendja e emergjencës është shpallur në 21 shtete, ku autoritetet lokale u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin udhëtimet e panevojshme.

Alpinisti amerikan Alex Honnold ka realizuar një ngjitje historike të dielën, duke u bërë personi i parë që ka shkallëzuar ndërtesën më të lartë të Tajvanit, Taipei 101, pa përdorur litar, parzmore apo rrjet sigurie. Ngjitja u zhvillua në kushte të kontrolluara dhe ka tërhequr vëmendje të gjerë ndërkombëtare, për shkak të nivelit ekstrem të rrezikut dhe vështirësisë që paraqet një strukturë prej 508 metrash lartësi. Taipei 101 konsiderohet një nga ndërtesat më ikonike në botë dhe një sfidë e jashtëzakonshme për çdo alpinist. Alex Honnold është i njohur globalisht për ngjitjet e tij pa mjete sigurie (free solo), duke shtyrë kufijtë e alpinizmit modern. Autoritetet lokale nuk kanë raportuar incidente gjatë ngjarjes, ndërsa ngjitja është cilësuar si një arritje e rrallë sportive dhe teknike.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme