Sociale 8 Prill 2025, 13:45 Nga VNA

"Një masterplan privat”: Shembje dhe kulla pas Muzeut Kombëtar

Ndaje në Whatsapp
"Një masterplan privat”: Shembje dhe kulla pas Muzeut

 

Mbi 17,000 m2 truall në qendër të Tiranës, ku aktualisht ndodhen rreth 35 ndërtesa, përfshirë katër pallate deri në 9 kate, si dhe godinat publike të Teatrit Metropolitan dhe “Info-Point” i bashkisë, pritet të rrafshohen për t’i hapur rrugë një plani për kulla.

Kjo u mësua të hënën gjatë konkursit ndërkombëtar për të ashtuquajturin Masterplan i Qendrës së Tiranës, një garë arkitekturore që kishte për synim ridizejnimin e një prej zonave më të lakmuara nga ndërtuesit: hapësira në qendër pas Muzeut Historik Kombëtar krah “Bulevardit Zogu I-rë”, e njohur si zona e ish-Cirkut (shembur në 2021 pasi trualli iu kthye pronarëve).

Zona ndodhet mes universitetit jopublik “Albanian University” (ish-UFO) dhe gjimnazit “Sinan Tafaj”. Ajo është një hapësirë e ngjeshur me banesa të vjetra, pallate dhe godina me funksione kulturore e arsimore.

Fitues i konkursit u shpall propozimi i studios franceze l’AUC. Ata propozonin ndërtimin e katër kullave tregtare, rezidenciale dhe të hotelerisë – njëra mbi 150 metra e lartë – dhe krah tyre një pallat publik (Palazzo Civico) me salla për shfaqje, ekspozita, teatër dhe kinema.

Juria, e përbërë nga arkitektë të huaj si Xaveer De Geyter, apo Bjarne Mastenbroek dhe zyrtarë të urbanistikës dhe politikës shqiptare, mes të cilëve kryeministri Edi Rama, vlerësoi te ideja e l’AUC “qasjen skulpturore dhe poetike”.

Megjithatë, në fund, juria sugjeroi që studioja franceze të rishikojë strategjinë e ndjekur për një plan më realist dhe kosto më të ulëta ndërtimi. Për këtë u këshillua të bashkëpunohej me arkitektë të tjerë.

Teksa modelet 3D e prezantonin të ashtuquajturin “Masterplan për qendrën” si një tjetër “hap përpara” për kryeqytetin, qytetarët nuk u sqaruan se si u mbërrit deri në këtë fazë. Asnjë media apo institucion publik nuk dha detaje në këtë pikë.

Asnjë dokument zyrtar i masterplanit nuk ishte bërë publik para vendimit të jurisë. Njësoj nuk ka asgjë të botuar në lidhje me marrëveshjet mes autoriteteve publike dhe subjekteve private të zonës.

Nuk ka një raport të ndikimit social, nuk ka të dhëna për konsultim me banorët, dhe nuk është bërë e ditur çfarë do të ndodhë me ta apo funksionet aktuale të godinave që sugjerohen të shemben.

Paralelisht në konkurs morën pjesë edhe studiot: Archea e Marco Casamontit, Nieto Sobejano, Groupwork, Go Hasegawa, Cobe etj. Të gjitha paraqitën vizione të ngjashme për kulla me intensitet të lartë ndërtimi.

Në këtë pikë, masterplani i shton të tjera ndërtesa të larta siluetës së qendrës, e cila aktualisht ka të paktën tetë ndërtesa të larta rreth saj.

“Zhvillimi larg qytetarëve”

Konkursi u promovua nga kompania Veliaj Construction, e Astrit Veliajt, sipërmarrës i njohur ky në fushën e stomatologjisë, arsimit privat dhe ndërtimit. Ndërtesa të mëdha të stilit neoklasik janë ngritur nga Veliaj – jo pa kontestime – në Durrës, Berat, Fier dhe Tiranë.

Ai ka pasur një të shkuar si politikan në radhët e Partisë Demokratike ku ka qenë dhe deputet.

Pjesëmarrja në konkurs e studiove të njohura ndërkombëtare ngriti pritshmëritë për një projekt me vlera reale arkitektonike. Por pa transparencën dhe pa përfshirjen e publikut, edhe konkursi më i mirë rrezikon të kthehet në instrument legjitimues për një zhvillim që konceptohet pa komunitetin.

Për publikun nuk ishte e qartë se me çfarë tagri e zhvilloi konkursin sipërmarrësi Veliaj. Çfarë roli do të ketë ai për zhvillimin e vizionit të l’AUC, çfarë roli do të ketë bashkia dhe çfarë pritet të përfitojë publiku nga kjo pjesë veç hapësirave të reja për Teatrin e Metropolit dhe Info-Pointit.

Ky projekt është vetëm një nga dhjetëra zhvillime të vrullshme urbane që po ndodhin në kryeqytet – nga kullat e betonit në qendër te terminali verior, ku nuk është e qartë nëse po ndërtohet në mënyrë të ligjshme.

Në këto raste, duket se planifikimi urban ka kaluar nga një proces institucional dhe publik, në sipërmarrje private në bashkëpunim me pushtetin qendror dhe vendor.

Mungesa e transparencës, e pjesëmarrjes qytetare dhe e planeve afatgjata për zhvillimin social të qytetit është kthyer në normë. Tirana nuk po rritet, po ngushtohet për shumicën dhe zgjerohet për pakicën.

Burimi: Citizens Channel

 

Video

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ka përshkallëzuar retorikën ndaj Kubës, duke thënë se pret të ketë “nderin” për ta “marrë Kubën”. Duke folur me gazetarët, Trump la të kuptohet se beson që Shtetet e Bashkuara “mund të bëjnë çfarë të duan” me Kubën. Këto deklarata vijnë në një kohë kur Uashingtoni dhe Havana kanë nisur bisedime me qëllim përmirësimin e marrëdhënieve të tyre kryesisht të tensionuara, të cilat kanë arritur një nga momentet më të kontestuara në 67 vite, që nga rrëzimi i një aleati të ngushtë të ShBA-së nga Fidel Castro.

Pas 35 vitesh ja kush sfidon seriozisht Sali Berishën për postin e kryetarit të PD…

Ish numri dy i AKSHIT Hava Delibashi i është drejtuar Gjykatës së Posaçme me kërkesë për zëvendësimin e masës së sigurisë. Delibashi ndodhet aktualisht në arrest shtëpie pasi dyshohet si pjesë e grupit kriminal të drejtuar nga Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri.

Kryeministri Rama ka qenë sot në Vlorë, ku është takuar me deputetët e zonës dhe kryetaren e bashkisë. Pamjet e siguruara nga VNA flasin qartë për nota nervozizmi në bisedën mes tyre, në dalje të një lokali ku u zhvillua takimi.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme