Sociale 6 April 2025, 13:03 Nga VNA

Kriza shëndetësore në Durrës cenoi besimin e prindërve te sistemi arsimor

Ndaje në Whatsapp
Kriza shëndetësore në Durrës cenoi besimin e prindërve

Pas dy rasteve me meningit akut në shkollat e Durrësit në dhjetor, komuniteti i nxënësve dhe prindërve u përball me mungesë reagimi dhe keqinformim, çka solli panik dhe braktisje të shkollës dhe si pasojë afatgjatë – cenimin e besimit tek institucionet arsimore.

Kur sistemi arsimor i Durrësit u përball me një krizë shëndetësore në dhjetor 2024, qindra prindër dhe nxënës u ndjenë të pasigurtë dhe të keqinformuar.

Brenda një kohe të shkurtër, dy nxënës të shkollave “Leonik Tomeo” dhe “Kushtrimi i Lirisë” u infektuan me meningit akut – një sëmundje e rrezikshme që infekton membranën e trurit dhe atë të palcës kurrizore. Si pasojë, një gjimnaziste 17-vjeçare e shkollës “Leonik Tomeo” humbi jetën.

Situata shkaktoi panik mes prindërve dhe nxënësve, ndërkohë që reagimi i vonuar I institucioneve arsimore dhe shëndetësore e përkeqësoi situatën.

“Kur e çova fëmijën në shkollë duke i besuar shkollës, ai u gjend i vetëm në një klasë bosh,” kujton Oriola Tufa, nënë e dy fëmijëve, njëri prej të cilëve studion në shkollën “Kushtrimi i Lirisë”.

“Prisnim një reagim nga autoritetet e shkollës dhe Shëndetit Publik si dhe dezinfektimin e mjediseve, por informacioni u mbajt i fshehtë. Si prind, kërkoj përgjegjshmëri dhe kujdes për shëndetin e fëmijëve të mi dhe çdo fëmije tjetër,” shtoi ajo.

Kërkesa kryesore e prindërve ishte dezinfektimi i shkollave, por kjo u realizua vetëm në katër prej tyre dhe në distancë kohore nga njëra-tjetra. Në vend të reagimit, autoritetet shëndetësore dhe arsimore tentuan që të minimizojnë shqetësimin e prindërve, duke dhënë deklarata të kufizuara dhe të paqarta. Kjo vetëm sa rriti ndjenjën e pasigurisë dhe e përkeqësoi situatën, duke sjellë përgjysmimin e frekuentimit të shkollave për javë me radhë.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se situata nuk u arrit të menaxhohej për shkak të mungesës së komunikimit dhe bashkëpunimit mes institucioneve të arsimit dhe atyre të pushtetit lokal.

Lindita Muhedini, drejtuese e Qendrës Ekonomike të Arsimit në bashkinë e Durrësit, deklaroi asokohe se u krye dezinfektimi i 13 kopshteve publike me fjetje dhe 5 çerdheve, për shkak të mungesës së theksuar të fëmijëve. Por ajo shtoi se Qendra nuk pati asnjë kërkesë nga zyrtarët e arsimit dhe shëndetësisë për dezinfektimin e shkollave, pavarësisht kërkesës së vazhdueshme nga prindërit. Si rrjedhojë, u dezinfektuan vetëm katër shkolla.

Mungesa e reagimit të shpejtë e rriti panikun mes prindërve dhe i boshatisi përkohësisht shkollat nga nxënësit.

“Vajzën e mbajta 15 ditë në shtëpi vetëm për këtë arsye. Nga prindër në rrjetet sociale u tha se dezinfektimi është bërë, por pamje nuk kemi parë. Më shumë ka mungesë informacioni dhe bashkëpunimi me njëri-tjetrin,” tha babai i një nxënësi të arsimit fillor në shkollën “Kushtrimi i Lirisë”.

“Nëse nuk përgjigjet administrata, e bëjmë ne si prindër. Ne për fëmijët po i bëjmë të gjitha përpjekjet,” shtoi ai.

Një tjetër prind, Qerime Rudi, i tha BIRN se për të lehtësuar shqetësimin ishin detyruar që të vaksinonin fëmijët dhe t’i ndryshonin shkollën mbesës.

“Fëmijëve u bëmë vaksinën se kishim frikë. Nuk i sillnim dot në shkollë. I ndryshuam shkollën mbesës nga frika dhe mungesa e masave. Të gjithë prindërit e kërkonin, por nuk e morëm vesh pse nuk u bë dezinfektimi,” shtoi Rudi.

Drejtoresha e njërës prej shkollave të dezinfektuara i tha BIRN në kushtet e anonimatit se situara ishte kthyer në normalitet vetëm pasi ajo kishte këmbëngulur në dezinfektimin e shkollës.

“Në klasa kishte mbi 50% mungesa. Nuk hezitova sapo më thanë për dezinfektim. Kjo ishte një masë që i qetësoi të gjithë dhe riktheu normalitetin në procesin mësimor,” tha ajo.

Meningiti akut është një sëmundje e rrallë dhe sipas Institutit të Shëndetit Publik, gjatë pesë viteve të fundit janë identifikuar shtatë raste, nga të cilat vetëm pesë janë konfirmuar.

Duke iu referuar rastit në Durrës, ISHP thotë se ishin ndërmarrë të gjitha masat e duhura dhe se rastet kishin qenë të kufizuara.

“…Në Durrës janë raportuar vetëm 2 raste me meningit meninogkoksik dhe nuk ka pasur raste të tjera të raportuara, ndërsa infeksionet virale kanë qenë të pranishme si në çdo sezon,” deklaroi ISHP.

Por për punonjësit e shëndetit mendor, mungesa e transparencës dhe e reagimit kanë cenuar besimin e prindërve te institucionet arsimore.

“Kur një fëmijë diagnostikohet me këtë sëmundje, komuniteti i prindërve reagon me panik dhe ndjenjë pafuqie. Meningjiti bakterial është infektues, duke kërkuar reagim të shpejtë nga institucionet arsimore dhe shëndetësore. Mbi te gjitha informacion dhe veprim,” thotë Armela Bejko, psikologe klinike.

“Refuzimi për të dezinfektuar ambientet shkollore, jo vetëm që nxiti revoltë sociale, por edhe përkeqësoi ndikimin psikologjik tek fëmijët dhe prindërit,” shtoi ajo, duke theksuar se menaxhimi i dobët i situatës e rëndoi gjendjen më shumë seç duhej./BIRN/

 

Video

Kokainë kolumbiane e fshehur në kërcell plastikë trëndafilash, një lulishte fantazmë dhe një vilë në Marathona. Mes të arrestuarve raportohet edhe Lulzim Caka, një emër i njohur i kronikës shqiptare. I dënuar me 25 vite burg, i liruar gabimisht para kohe në vitin 2019 dhe më pas i shpallur në kërkim, Caka rikthehet tashmë në një dosje ndërkombëtare droge. Mbi 110 kilogramë kokainë lidhen me grupin e goditur në Greqi. Si përfundoi një i kërkuar nga drejtësia shqiptare në zemër të kësaj skeme?

Rama “djeg” Allajbeun dhe i fik dritën jeshile tenderit prej afro 50 milionë eurosh. Pas denoncimeve të VNA, Ministria e Shëndetësisë anulon procedurën për hemodializën në pesë spitale rajonale, ku në garë ishte vetëm “Diaverum AB”. Por “shkundja” nuk ndalet këtu. Nga drejtimi i OSHIS largohet Arisa Cane, e cila kishte punuar më parë në Spitalin Amerikan të Klodian Allajbeut. Kontrata që dukej se po shkonte drejt firmosjes tashmë është ndalur. Çfarë do të ndodhë me tenderin 50-milionë eurosh dhe kush do ta marrë në dorë hemodializën?

Elektriçistët po vdesin në shtyllat e OSHEE-së: tre viktima në pak muaj dhe ende asnjë përgjegjësi

Elektriçistët po vdesin në shtyllat e OSHEE-së: tre viktima në pak muaj dhe ende asnjë përgjegjësi

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme