Politika 15 Tetor 2024, 17:11 Nga VNA

Negociatat/ BE: Lufta kundër korrupsionit ende e pamjaftueshme

Ndaje në Whatsapp
Negociatat/ BE: Lufta kundër korrupsionit ende e pamjaftueshme

Shqipëria dhe Bashkimi Evropian mbajtën të martën në Luksemburg konferencën e dytë Ndërqeveritare, që shënon dhe çeljen e grup-kapitullit “Themeloret” në negociatat për anëtarësim.

Péter Szijjártó, ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë i Hungarisë, e cila mban presidencën e radhës dhe Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi, e konsideruan këtë moment një hap të rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por për të ardhmen e zgjerimit të Unionit.

“Pesëmbëdhjetë vjet pritje është e papërshtatshme, na duhet të përshpejtojmë procedurën e zgjerimit tani,” tha ministri hungarez, duke folur gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin shqiptar Edi Rama.

Kryeministri Rama e cilësoi këtë moment si “një gur themeli historik në rrugëtimin e përbashkët drejt ribashkimit tërësor europian” dhe tha se ky është i vetmi plan për të ardhmen e Shqipërisë. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Rama shpalli ambicien për ta përmbyllur deri në vitin 2030 procesin.

Qeveria shqiptare kërkon integrim të përshpejtuar për disa kapituj, ku përfshihet funksioni i institucioneve demokratike; reforma në Administratën Publike; Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore; Drejtësia, Liria dhe Siguria si dhe Prokurimet Publike.

Por sipas pozicionit negociues të Bashkimit Evropian, i cili u bë publik, Shqipëria ka ende shumë punë për të bërë në lidhje me luftën kundër korrupsionit, me lirinë e medias apo me regjistrimin dhe transparencën e pronësisë.BE nënvizon gjithashtu se ecuria e ekonomisë shqiptare ka qenë “nën potencial” dhe konvergjenca, pra afrimi i nivelit ekonomik të Shqipërisë me mesataren e BE-së, është “i ngadaltë”.

Kritikat më të mëdha lidhen me zhvillimin në dukje më domethënës të viteve të fundit, luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, me disa ministra dhe dy dyzina me zyrtarë të lartë të akuzuar apo të dënuar, përfshirë një ish-zëvendëskryeministër dhe një ish-kryeministër. Ndërsa këto zhvillime duken të mëdha në krahasim me pothuajse zero të dënuar më parë, për zyrtarët e Brukselit rezultati është jo më shumë se sa inkurajues, por gjithsesi “i pamjaftueshëm”.

“BE mban shënim si pozitive disa dënime finale për akuza për korrupsion kundër zytarëve të lartë,” thuhet në pozicionin negociues të BE-së. “BE nënvijëson gjithsesi se korrupsioni është i gjithëpërhapur në shumicën e fushave të jetës publike dhe të biznesit, përfshirë të gjitha degët e qeverisjes qendrore dhe vendore dhe institucionet dhe kjo mbetet një fushë shqetësimesh serioze,” shkruhet më tej në dokument.

“BE mban shënim gjithashtu se masat anti-korrupsion kanë pasur në përgjithësi ndikim të kufizuar deri tani në sektorët më të rrezikuar nga korrupsioni.”

Shqipëria ndërmorri Reformën në Drejtësi në vitin 2016 dhe që nga ajo kohë, suksesi i arritur në pastrimin e sistemit përmes procesit të vetingut dhe rastet e para të akuzave dhe dënimeve për korrupsion nga Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka shërbyer si argument kyç për përparimin e Shqipërisë në arritjen e kritereve të kërkuara për anëtarësim. Por ndryshe nga kjo, BE duket se ka shtruar pyetjen nëse suksesi i deritanishëm është apo jo i mjaftueshëm për të konkluduar se korrupsioni po luftohet siç duhet dhe ka dalë në konkluzionin se ndikimi real ka qenë “i kufizuar”.

Krahas vlerësimit të përgjithshëm për gjendjen e korrupsionit, BE bën thirrje veçanërisht për hipotekat që të “ndërmarrin masa të shëndosha kundër korrupsionit” si dhe të kujdeset që kërkesat të trajtohen tërësisht brenda afatit ligjor 45 ditor. Dokumenti vëren se mungesa e të drejtave të pronësisë në vend dhe vështirësitë në regjistrimin e pronave “vijojnë të kufizojnë funksionimin efikas të ekonomisë së tregut”.

Probleme të mëdha me lirinë e shprehjes

Pika e dytë në pozicionin negociues ku Shqipëria ka marrë kritika veçanërisht të forta ka të bëjë me lirinë e shprehjes. Ajo gjithsesi vëren në këtë pikë si “fakt pozitiv” se Shqipëria ka shprehur vullnetin të ndërmarrë reforma të thella në kuadrin ligjor dhe rregullativ. Shqipëria, sipas BE-së, duhet të “forcojë transparencën e pronësisë së medias, pluralizmin e medias dhe pavarësinë editoriale, të forcojë transparencën e financimit të medias nga burimet private dhe shtetërore dhe të forcojë autonominë e rregullatorit të medias dhe pavarësinë e transmetuesit publik”.

Shqipëria ka një treg televiziv të dominuar nga pak operatorë, të cilët kanë interesa të shumëfishta me qeverinë, përfshirë kontrata të partneritetit publik-privat apo prokurime publike ndërsa natyra e pronësisë në këto televizione, zakonisht me një pronar apo nën pronësinë e një familjeje, pakëson mundësinë e pasjes së një stafi editorial në të cilin vendimet editoriale ndërmerren mbi bazën e parimeve të gazetarisë së pavarur dhe jo të interesave të pronarit.

“BE vëren se atmosfera e sulmeve verbale dhe fizike, fushatave shpifëse dhe padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike që shënjestrojnë gazetarët nuk është përmirësuar dhe mbetet një problem për t’u adresuar,” thuhet në dokument. “BE nënvijëzon rëndësinë që Shqipëria të shfuqizojë tërësisht parashikimet penale për fyerjen dhe shpifjen dhe të përafrojë aspektet civile të shpifjes me standardet evropiane,” thekson dokumenti./ Reporter.al

Video

Teksa Orikumi është përfshirë nga flakët, në Pyllin e Sodës janë rrëzuar pishat, duke bllokuar përkohësisht qarkullimin drejt fshatit të Zvërnecit.

Një vatër zjarri ka shpërthyer në orët e mbrëmjes në Orikum. Në vendngjarje janë angazhuar forcat zjarrfikëse të Vlorës, ndërsa për ndihmë kanë shkuar edhe mjete dhe efektivë nga Himara. Era e fortë po favorizon përhapjen e flakëve, duke vështirësuar ndërhyrjen për shuarjen e zjarrit.

Shtetet e Bashkuara po përjetojnë stuhinë më të fuqishme të dëborës në dhjetë vitet e fundit, e cila ka shkaktuar ndërprerje të mëdha në furnizimin me energji elektrike dhe në transportin ajror, si dhe ka detyruar autoritetet të shpallin gjendje emergjence në një numër të madh shtetesh. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 130 mijë banesa kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa mbi 12 mijë fluturime janë anuluar për shkak të kushteve të rënda atmosferike. Gjendja e emergjencës është shpallur në 21 shtete, ku autoritetet lokale u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin udhëtimet e panevojshme.

Alpinisti amerikan Alex Honnold ka realizuar një ngjitje historike të dielën, duke u bërë personi i parë që ka shkallëzuar ndërtesën më të lartë të Tajvanit, Taipei 101, pa përdorur litar, parzmore apo rrjet sigurie. Ngjitja u zhvillua në kushte të kontrolluara dhe ka tërhequr vëmendje të gjerë ndërkombëtare, për shkak të nivelit ekstrem të rrezikut dhe vështirësisë që paraqet një strukturë prej 508 metrash lartësi. Taipei 101 konsiderohet një nga ndërtesat më ikonike në botë dhe një sfidë e jashtëzakonshme për çdo alpinist. Alex Honnold është i njohur globalisht për ngjitjet e tij pa mjete sigurie (free solo), duke shtyrë kufijtë e alpinizmit modern. Autoritetet lokale nuk kanë raportuar incidente gjatë ngjarjes, ndërsa ngjitja është cilësuar si një arritje e rrallë sportive dhe teknike.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme