Martin Williams
“Declassified” zbulon se tatimpaguesit britanikë financuan “shërim terapeutik” për ushtarët izraelitë që luftuan në Gaza. Një organizatë izraelite mori një shumë të padeklaruar përmes një organizate bamirësie britanike, ndërsa qeveria britanike i shtoi shumës edhe 25% nëpërmjet skemës “Gift Aid” (Ndihma dhuratë është një skemë e cila lejon që për donacionet që i jepen organizatave të bamirësisë dhe plotësohen kushtet e skemës, qeveria britanike i shton këtij donacioni edhe ekuivalentin e tatimit mbi të ardhurat).
E-mailet e siguruara nga “Declassified” tregojnë se Fondacioni “Yahalom”, një organizatë izraelite për veteranët, u kërkon mbështetësve britanikë t’i kanalizojnë donacionet përmes “platformës së saj partnere të regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar”. “Përpunimi i donacionit përmes tyre garanton që të përfitoni njohje të plotë tatimore dhe aktivizimin e skemës Gift Aid, duke maksimalizuar ndikimin e kontributit tuaj”, thuhet në të. “100% e dhurimit tuaj i kalon drejtpërdrejt “Yahalom”-it për të mbështetur misionin tonë kryesor.”
Fondacioni “Yahalom” i drejton mbështetësit britanikë te një listë projektesh për mbledhjen e fondeve për veteranët e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), duke pretenduar se si rrjedhojë e donacioneve do të përfitonin subvencionim tatimor. Lista përfshin financimin me 5,000 paund të një “procesi shërimi terapeutik” për ushtarët që kthehen nga Gaza, si edhe “trajtime psikologjike individuale”.
Fondacioni po mbledh para edhe për një sallë përkujtimore prej 100,000 paundësh, në nderim të ushtarëve izraelitë të rënë.
Dokumente të tjera, të dy viteve më parë, tregojnë se donacionet britanike u përdorën për të financuar pajisje për ushtarët izraelitë në shërbim, megjithëse nuk është e qartë nëse mbi këto donacione u shtua skema Gift Aid. Në një faqe për mbledhjen e fondeve thuhej: “Me ndihmën tuaj mund të blejmë më shumë pajisje të specializuara dhe t’ua japim ushtarëve tanë.”
Komisioni i Bamirësive ka paralajmëruar më pare se: “Nuk është e ligjshme dhe as e pranueshme që një organizatë bamirësie të mbledhë fonde për të mbështetur një ushtar të një ushtrie të huaj.”
“Familje luftëtarësh”
E trajnuar për përdorimin e eksplozivëve dhe “shkatërrimin e tuneleve terroriste”, “Yahalom” është njësia elitare inxhinierike e IDF-së dhe ka pasur një rol të rëndësishëm në luftën në Gaza, përfshirë shkatërrimin e infrastrukturës civile.
“Njësia Yahalom është dislokuar kudo në Rripin e Gazës”, ka deklaruar një zëdhënës i IDF-së, ndërsa një prej ushtarëve të njësisë ka folur publikisht për hedhjen në erë të ndërtesave në Gaza dhe operacionet në spitalet palestineze. Ushtarët dhe veteranët e kësaj njësie mbështeten nga Fondacioni “Yahalom”, i cili synon të jetë një “pikë mbështetjeje” për “familjen e luftëtarëve” të “Yahalom”-it.
Si organizatë e huaj, Fondacioni “Yahalom” nuk mund të përfitojë drejtpërdrejt nga skema Gift Aid në Mbretërinë e Bashkuar. Por e-mailet nga drejtuesi i mbledhjes së fondeve të fondacionit sugjerojnë se një organizatë bamirësie britanike, “UK Toremet”, shërben si ndërmjetëse për donacionet me skemën Gift Aid. “´UK Toremet´ është platforma jonë partnere e regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar, e cila përpunon donacionet në emrin tonë”, thuhej në e-mail. “Për shkak se ´UK Toremet´ është një organizatë bamirësie e regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar, përpunimi i donacionit përmes saj garanton njohjen e plotë për efekte tatimore dhe aktivizimin e skemës Gift Aid, duke maksimalizuar ndikimin e kontributit tuaj.”
PTSD (çrregullim nga stresi post-traumatik)
Duke iu përgjigjur hetimit të “Declassified”, “UK Toremet” konfirmoi se i kishte dhënë para Fondacionit “Yahalom” për “ofrimin e trajtimit të PTSD-së për përfituesit e shoqatës” dhe pretendoi: “Monitorimi nga ´UK Toremet´ i grantit të saj për Fondacionin ´Yahalom´ ka konfirmuar se fondet janë përdorur ekskluzivisht për qëllimin e kufizuar për të cilin janë dhënë.” Zëdhënësi i Toremet shtoi: “Ofrimi i trajtimit të shëndetit mendor për një individ është mirëqenie dhe ndihmë mjekësore, veprimtari bamirësie sipas ligjit anglez.”
Organizata bamirëse mohoi gjithashtu të ishte “platformë partnere” e Fondacionit “Yahalom”, duke thënë se ky përshkrim “nuk është i saktë”. Administratorët thanë se do të “ndiqnin këtë çështje me Fondacionin ´Yahalom´ lidhur me formulimin e përdorur prej tij”.
Një deklaratë e UK Toremet shtoi: “Një donator mund të rekomandojë një kauzë të zgjedhur prej tij; më pas administratorët vlerësojnë, në mënyrë të plotë, por vetëm, nëse një grant për atë kauzë do të ishte në përputhje me ligjin anglez për organizatat bamirëse dhe ligjin tatimor.”
Por pretendimet e organizatës britanike nuk përputhen me ato të Fondacionit “Yahalom”, i cili thotë se “100%” e donacioneve “kalojnë drejtpërdrejt te ´Yahalom´” për të mbështetur misionin e tij kryesor.
Dhe ndërsa “UK Toremet” pretendoi se Fondacioni “Yahalom” është thjesht një “shoqatë ish-studentësh” për veteranët e IDF-së, vetë faqja e fondacionit thotë se ai u kushtohet ushtarëve “që kanë shërbyer dhe që aktualisht shërbejnë”.
Zbulimet tona vijnë pas njoftimit të Komisionit të Bamirësive javën e kaluar se kishte nisur një hetim ndaj tetë organizatave bamirëse britanike që veprojnë në vendbanime izraelite të paligjshme. Rregullatori tha se do të shqyrtonte nëse fondet po përdoren për të çuar përpara qëllime bamirësie. Kur “Declassified” e pyeti “UK Toremet”, organizata nuk pranoi të konfirmonte nëse ishte mes organizatave nën hetim. Megjithatë, një zëdhënës i rregullatorit tha se hetimi ishte nisur pas “akuzave serioze” për “veprimtari në vendbanime të paligjshme izraelite në Palestinë”. “Të gjitha organizatat bamirëse duhet të jenë në gjendje të dëshmojnë se po përmbushin qëllimet e tyre bamirëse, kudo në botë që veprojnë dhe çfarëdo që bëjnë”, shtoi ai.
UK Toremet
Zbulimet e “Declassified” shënojnë rastin më të fundit në një varg polemikash që lidhen me “UK Toremet”. Organizata bamirëse u themelua nga Jonny Cline, një britanik që emigroi në Izrael, ku, sipas raportimeve, kandidoi për partinë Jewish Home (Shtëpia e hebrenjve), të cilën BBC e ka cilësuar si “parti të ekstremit të djathtë”, dhe ishte zëdhënës i një vendbanimi të paligjshëm në Bregun Perëndimor.
Në qershor, deputetja laburiste Melanie Ward foli publikisht për “UK Toremet”, duke thënë se ajo ishte një nga dy organizatat britanike që kishin dhuruar gjithsej 28 milionë paund për vendbanime të paligjshme izraelite. Ward tha se, nëse për këto donacione ishte shfrytëzuar skema Gift Aid, kjo do të nënkuptonte se tatimpaguesit britanikë kishin shtuar 5.6 milionë paund në financim.
Ndërhyrja e saj erdhi pas hetimit të “Declassified” në fillim të këtij viti, i cili zbuloi se si një tjetër organizatë bamirësie izraelite, “Shivat Zion”, i kishte ftuar mbështetësve të kërkonin zbatimin e skemës Gift Aid britanik kur bënin donacione, duke thënë se paratë do të “kalonin përmes” “UK Toremet”.
Hetimi ynë i fshehtë zbuloi se “Shivat Zion” u ofronte ndihmë shtetasve britanikë të zhvendoseshin në një vendbanim të paligjshëm në Bregun Perëndimor, duke e përshkruar atë si “fantastik”.
Vitin e kaluar, edhe “Guardian” pretendoi se “UK Toremet” kishte shërbyer si ndërmjetëse për një tjetër organizatë bamirësie, duke transferuar rreth 5.7 milionë paund për një shkollë të mesme në një vendbanim izraelit në Bregun Perëndimor. “Guardian” tha se kjo ishte bërë me “miratimin” e Komisionit të Bamirësive, i cili e kishte përshkruar financimin si “të ligjshëm”.
Më së fundi, një dokumentar i “Al Jazeera”-s që hetonte bashkëfajësinë britanike në dhunën e kolonëve bënte lidhjen e “UK Toremet” me “Regavim”, një grup ekstremist në mbështetje të kolonëve, ndaj të cilit BE-ja ka vendosur sanksione për mbështetjen e shkatërrimit të shtëpive palestineze. Në dokumentar, drejtorja ndërkombëtare e “Regavim”, Naomi Linder Kahn, u filmua fshehurazi duke thënë: “Ne veprojmë përmes ´UK Toremet.”
Kahn shpjegon: “´UK Toremet´ i dhuron para një organizate bamirësie izraelite të quajtur ´Giving´, që është një organizatë simotër. ´Giving´ na I dhuron drejtpërdrejt neve. Në këtë mënyrë, në regjistrat e familjes suaj, të individëve, organizatave apo edhe të vetë ´UK Toremet´, nuk shfaqet se ata i kanë dhuruar ´Regavim´-it.” Ajo shtoi: “Nuk ka gjurmë dokumentare… Nuk ka asnjë lidhje reale midis ´Regavim´-it dhe ndonjë organizate bamirësie britanike.”
Gjithashtu dokumentari bënte lidhjen e “UK Toremet” me “Ateret Cohanim”, një organizatë izraelite që blen “pasuri të paluajtshme ideologjike” për kolonët e paligjshëm. Drejtori i saj, Daniel Luria, është filmuar duke pranuar se grupi subvencionon armë. “Gjithçka ka të bëjë me sovranitetin hebraik,” thotë ai. Në një e-mail të mëvonshëm, Luria pretendoi se “UK Toremet” ishte përdorur më parë për të “transferuar me sukses fonde tek ne nga Mbretëria e Bashkuar”, duke shtuar: “Ato iu dërguan organizatës sonë jofitimprurëse ‘simotër’, nën kujdesin tonë.”
Ndërkohë, “UK Toremet” këmbëngul se vepron plotësisht në përputhje me ligjin britanik për organizatat bamirëse dhe I tha “Declassified”: “Politikat e ´UK Toremet´ për dhënien e granteve, verifikimin paraprak dhe monitorimin janë hartuar me këshilltarë ligjorë të specializuar”.
Megjithatë, që nga viti 2016, Komisioni i Bamirësive në tri raste të veçanta ka verifikuar e përputhshmërisë ligjore lidhur me veprimtarinë e “UK Toremet” në Palestinë. Administratorëve të organizatës iu dhanë gjithashtu udhëzime ligjore dhe një plan veprimi, ku paralajmërohej se ajo duhej të respektonte Ligjin e Konventave të Gjenevës të vitit 1957. Një zëdhënës tha se Komisioni i Bamirësive u kishte “komunikuar administratorëve qëndrimin e qeverisë se ndërtimi i vendbanimeve në Palestinë është i paligjshëm sipas së drejtës ndërkombëtare”.
Duke reaguar ndaj hetimit tonë për Fondacionin “Yahalom”, Gearóid Ó Cuinn, drejtor i Global Legal Action Network (GLAN – Rrjeti i Veprimit Ligjor Global), i tha “Declassified” se kjo dukej të ishte “një tjetër rast kur Mbretëria e Bashkuar nuk respekton detyrimet e qarta sipas së drejtës ndërkombëtare për të eliminuar lidhjet financiare me abuzimet ndërkombëtare”. “Mbretëria e Bashkuar jo vetëm që po zvarrit ndalimin e importit të mallrave nga vendbanimet e paligjshme, por tani ekziston shqetësimi serioz se fondet publike nga skema Gift Aid mund të përdoren për të mbështetur ushtarë izraelitë që kanë kryer gjenocid në Gaza dhe krime lufte në Bregun Perëndimor.”
Kur “Declassified” e pyeti, një zëdhënës i HMRC-së, institucionit përgjegjës për skemën Gift Aid, nuk pranoi të komentonte, duke thënë se rregullat e konfidencialitetit e pengonin të diskutonte çështjet tatimore të organizatave bamirëse.
Fondacioni “Yahalom” nuk iu përgjigj kërkesës së Declassified për koment.






















