Nga Elías Thorsson
Kompania “Greenland Energy” tha se këtë dimër nuk do të kryejë shpime për naftë në Groenlandën Lindore, dy javë pasi Ministria e Burimeve Minerare të Groenlandës e qortoi partnerin e saj në sipërmarrjen e përbashkët për sjelljen në breg të pajisjeve pa leje.
Tani synohet që lejet të merren për dimrin e vitit 2027. Kompania e listuar në Nasdaq tha se Qeveria e Groenlandës ia kishte bërë të ditur partnerit të saj, 80 Mile plc, se projekti ka nevojë për një shqyrtim më të gjerë. 80 Mile zotëron licencat dhe është përgjegjëse për procedurat e marrjes së lejeve. Ajo konfirmoi shtyrjen e projektit po atë ditë në Bursën e Londrës.
“Veprimtaria në Arktik kërkon durim, fleksibilitet dhe një perspektivë afatgjatë,” tha Robert Price, drejtor ekzekutiv i kompanisë “Greenland Energy“.
Pajisjet mbërritën më 29 dhe 30 korrik, kur një rimorkiator tërhoqi një maune që transportonte një ekskavator dhe më shumë se një duzinë kontejnerësh drejt Nerlerit Inaat, rreth 40 kilometra nga Ittoqqortoormiit. Danwatch, që ka udhëhequr raportimin për projektin, zbuloi se „Greenland Energy“ kishte angazhuar „Permagreen Grønland“ për transportin.
Të nesërmen, ministria tha se zotëruesi i licencës nuk kishte miratim për të sjellë pajisjet në breg dhe se të gjitha operacionet e ardhshme logjistike duhej të miratoheshin paraprakisht. Megjithatë, ajo nuk shkoi deri aty sa të urdhëronte largimin e kontejnerëve.
80 Mile, nga ana tjetër, thotë se pajisjet vinin nga projekti i saj për ilmenitin në Dundas, në veriperëndim të vendit, se ishin magazinuar në bazë të një kontrate qiraje me Greenland Airports A/S, në pronësi shtetërore, dhe se kompania nuk e kishte kuptuar se nevojitej një leje e veçantë nga autoriteti rregullator i minierave. Naalakkersuisut thotë se pajisjet u sollën në Nunap Qeqqa për shpimet e planifikuara për kërkimin e naftës. Sido që të jetë, lejet nuk po jepeshin.
Një faqe informuese që Naalakkersuisut publikoi javën e kaluar e vendos projektin në hapin e parë të 11 hapave të fazës së kërkimit. Përshkrimi i projektit u nënshtrohet konsultimeve për 35 ditë, më pas hartohen vlerësimet e ndikimit në mjedis dhe në shoqëri, të cilat u nënshtrohen edhe tetë javë të tjera konsultimesh; më pas negociohet një marrëveshje për ndikimin dhe përfitimet. 8 nëntori është data më e hershme kur mund të miratohet diçka, dhe kjo vetëm nëse nuk ka asnjë vonesë.
Jørgen Hammeken-Holm, drejtuesi i Ministrisë së Burimeve Minerare, i tha Danwatch se shpimet këtë dimër nuk ishin të mundshme.
Puset ndodhen në ligatina të mbrojtura nga Konventa e Ramsarit, ku shpimet kufizohen në dimër, ndërsa pajisjet e rënda mund të transportohen atje me maune vetëm gjatë verës. Pesë ditë përpara ndryshimit të qëndrimit, Greenland Energy u kishte thënë aksionarëve se takimet me autoritetet rregullatore kishin qenë konstruktive dhe se projekti ishte në afat.
Groenlanda ndaloi dhënien e licencave për naftë në vitin 2021. White Flame Energy A/S, një degë e 80 Mile, zotëron tri licenca të dhëna përpara ndalimit, të fundit që kanë mbetur në vend. Greenland Energy hyri në Nasdaq në mars përmes një bashkimi SPAC, siguroi 70 milionë dollarë në prill dhe pritet të marrë një pjesë kontrolluese të projektit në këmbim të financimit të shpimeve. Drejtuesit e kompanisë kanë pretenduar se nën Jameson Land mund të ketë deri në 1 trilion dollarë naftë bruto. Shërbimi Gjeologjik i Danimarkës dhe Grenlandës vlerëson se burimet arrijnë në rreth 2.35 miliardë fuçi ekuivalent nafte.
„Guardian“ raportoi këtë muaj se „Greenland Energy“ ka emëruar në bordin e saj një veteran të Marinës së SHBA-së që punon për Golden Dome, programin e mbrojtjes kundër raketave të cilit Trump i është referuar kur ka argumentuar në favor të kontrollit amerikan mbi Groenlandën. Dy ditë pas paralajmërimit të ministrisë, Tramp publikoi në Truth Social një imazh të tij duke qëndruar mbi një fshat të Groenlandës.
Ende e pazgjidhur mbetet çështja e anijes. „Greenland Energy“ ka thënë se 300 kontejnerë dhe një platformë shpimi do të nisen nga Kanadaja më 12 shtator, ndërsa Danwatch raportoi se Desgagnés kishte konfirmuar rezervimin. Hammeken-Holm tha se nuk ishte bërë asnjë kërkesë për sjelljen e tyre në breg dhe se një ngarkesë e përmasave të tilla do t’i nënshtrohej konsultimeve më vete.
Kompanitë mund të lundrojnë nëse dëshirojnë, tha ai. Por nuk mund të zbresin në breg.






















